Ne si produkt i rrjeteve sociale dhe domosdoshmëria e edukimit mbi rrezikshmërinë e ekspozimit të të dhënave personale
Nga Emirjon Senja
Teknologjia e informacionit ka ndryshuar rrënjësisht tashmë mënyrën se si ne jetojmë dhe ndërveprojmë me të tjerët.
Kjo nuk është kufizuar vetëm tek komunikimi, por edhe në fusha të tjera siç janë puna, edukimi, raporti ynë me veten, mënyra si e shohim botën që na rrethon, etj. Vetë pandemia na bëri të zhvillojmë forma të tjera për të pasur akses në punë apo në komunikimet me njeri-tjetrin. Rrjetet sociale janë platforma më e përhapur përmes të cilave komunikojmë, gjë të cilën e konfirmon edhe rritja e konsumit të “datave” nga viti në vit në botë dhe Shqipëri.
Është mëse e vërtetë se këto platforma kanë mundësuar ndryshime sistematike në të gjithë globin, kanë bërë që të bashkohen familje apo të rilidhen kontakte mes miqve të shkollës pas shumë vitesh ndarjeje, madje kanë mundësuar edhe sigurimin e fondeve për kurimin e të sëmurëve përmes fushatave në rrjet.
Por, e gjithë kjo nuk ka ardhur pas asnjë kosto. Madje, siç thotë edhe Sofokliu: “Asgjë e madhe nuk hyn në jetën e njerëzve pa një mallkim”.
Sepse, kompanitë e rrjeteve sociale konsiderohen sot si platformat që bëjnë mbledhjen më të madhe të të dhënave aktualisht në botë.