Vërtetësia dhe transparenca e medias sot
Xhenisa Velia
Fjala greke për “të vërtetën” është “Aletheia”, që do të thotë “zbuloj” ose “asgjë për të fshehur”. Ajo është gjithnjë e hapur dhe transparente, nuk ka asgjë të fshehur ose të paqartë. Fjala hebraike për “të vërtetën” është “emeth”, që do të thotë “fortësi”, “qëndrueshmëri” dhe “kohëzgjatje”. Një e vërtetë me themele të forta, që mban peshë e reziston ne kohë.
Por në kohët e sotme, sa vlerë mbajnë këto përkufizime? Sa të zbatueshme janë ato? Në një garë “të ethshme” për përçimin e lajmit sa më shpejt, sa të vërteta janë informacionet që transmetohen? Po mbulimi efektiv i lajmit me interes për konsumatorin e tij, a është aty ku duhet?
Media, një ndër faktorët më me ndikim, ka shkatërruar ose konstruktuar jetë apo dhe karriera. Me një shkëndijë të vetme ka ndezur e rindezuar zjarre të shuara. Me tërë këtë peshë që mbart, a mund të themi se niveli i medias është aty ku duhet?
Shpesh na është rrahur veshi me termin “fake news”, të tilla lajme mund të jenë plotësisht të pavërteta apo pjesërisht të tilla. Bëhet fjalë për lajmet me titujt ekstavagantë me qëllim një dhe të vetëm, maksimizimin e shikueshmërisë. Debatet rreth zhvillimit teknologjik janë të shumta, faktor ky që ka prekur ndjeshëm dhe median. Me dëshirën e tyre ose jo, dhënësit e informacionit, të detyruar nga rrethanat, u janë larguar rrugëve tradicionale të informimit, si: gazetat e radiot, ku citohej thuajse në çdo lajm burimi i tij. Ndryshim ky drejt të ashtuquajturave portale, që numërojnë me qindra e mijëra klikime, për lajme që mund të jenë gënjeshtra, të artikuluara mirë ose jo. Sepse sot për sot, është e vështirë të gjesh minimalisht, një lajm të shkruar saktë nga ana gramatike.
Bota virtuale të ofron mundësi lundrimi pafund, shpeshherë të ndesh dhe me informacione jo vetëm të rreme, por edhe të dëmshme. Të gjendur përballë kësaj dyndjeje të rejash, lundruesit, shpesh herë për shkak të mungesës së kohës apo edhe dëshirës, e marrin tërë informacionin që iu serviret, pa filtër dhe si të mirëqenë. Por a i duhet lënë medias dorë e lirë në shkrimin e çdo artikulli që dëshirojnë të publikojnë? Ka ndonjë zgjidhje ky udhëkryq? Vënia e detyrueshme me ligj e çdo burimi të informacionit në fund të çdo artikulli, burime këto të kontrolluara, a do të sillte zgjidhje, apo thjesht do të vononte kanalizimin e lajmit? A duhet që më parë portalet, apo kushdo tjetër që vendos të publikojë në media, të kalojnë në një fazë seleksionimi?
Mbase do të kishte rezultat, por debatet do të ishin të shumta. Përtej tërë këtyre hipotezave, zgjidhja e vetme efektive është seleksionimi që ju i bëni informacionit që zgjidhni të besoni. Verifikimi i lajmeve, sidomos për çështje me rëndësi të veçantë, dhe mosbesimi jo i plotë i tyre, është në dorën e gjithsecilit.
Një tjetër çështje që lë hapësirë për disktutim është padyshim sa transparente është media në atë që transmeton. Pandemia që sapo kaluam ishte ndër më të rëndat që njerëzimi ka parë dhe mund të themi që media vloi gjatë tërë rrugëtimit të saj. I vetmi informacion i transmetuar nga çdo ekran televiziv apo portal ishte padyshim koronavirusi. Teoritë konspirative rreth saj ishin pafund, këtë e dimë të gjithë. Flitej çdo ditë për qindra e mijëra të infektuar zyrtarë dhe thuhej që shifrat reale mund të ishin dhe dyfish. “Presioni” që media ushtroi çdo ditë, çoi jo në pak raste, në panik dhe frikë të paarsyeshme. Virusi aty ishte, por në vend që të gjendej një rrugë për ta ndalur, përhapej më shumë frikë se informacion. U diskutua tepër pak rasti i mjekut kinez që u gjet i vdekur sapo kishte nisur të studionte origjinën e virusit, duke marrë parasysh si përhapen lajmet sot …. Virusi u dobësua, shumë segmenteve të popullatës iu detyrua, në një formë a në një tjetër, injektimi i vaksinave, edhe pse fillimisht u tha që do të ishte me dëshirë.
Ja ku jemi sot, pas 2 vitesh e pak që Toka pushoi së lëvizuri, askush nuk flet më. Mbase vërtet dhe çudia më e madhe 3 ditë zgjaska…
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Zhvillimi i Edukimit për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.