Edukimi mbi median dhe informacionin në Shqipëri
Xhensila Dautllari
Kanë kaluar tashmë më shumë se 30 vjet që nga fillimi i tranzicionit politik në shtetet e Evropës Lindore dhe Ballkanit, transformim i cili do të bënte të mundur një ndryshim themelor në perceptimin e medies si koncept, e institucioneve mediatike, informacionit dhe informimit në tërësi nga syri i një audience me liri dhe informim të kufizuar për vite të tëra. Megjithatë, kjo audiencë ka mbetur ende prapa, në nivele shumë shqetësuese të edukimit mbi median dhe informacionin.
Çfarë përfshin edukimi mbi median dhe informacionin? Sipas përkufizimit të UNESCO-s, edukimi mbi median dhe informacionin përfshin një grup kompetencash që mundëson qytetarët të aksesojnë, të marrin, të kuptojnë, vlerësojnë dhe përdorin, të krijojnë si dhe të ndajnë informacione dhe përmbajtje mediatike në të gjitha formatet, duke përdorur mjete të ndryshme, në mënyrë kritike, etike dhe efektive, në mënyrë që të marrin pjesë dhe të angazhohen në aktivitete personale, profesionale dhe shoqërore.
Sipas gjetjeve të Media Literacy Index për vitin 2022 nga Iniciativa për Politikat Evropiane (EuPI) të Institutit të Shoqërisë së Hapur, Sofje, Shqipëria renditet në vendin e 37-të nga 41 vende të marra në studim. Ndërkohë, në vitin 2023, Shqipëria ka rënë në vendin e 38-të, që tregon përkeqësim të nivelit të edukimit mediatik në audiencat shqiptare. Nëse i hedhim një sy hartës së përgjithshme, do të shohim të njëjtin nivel të edukimit mediatik në pothuajse të gjitha vendet postkomuniste, dhe kjo nuk është aspak rastësi.
Një nga arsyet kryesore të këtij niveli të ulët të edukimit mbi median si në Shqipëri edhe në vendet e tjera postkomuniste, është periudha e gjatë e nënshtrimit të këtyre vendeve ndaj regjimit totalitar komunist, periudhë në të cilën media ishte e centralizuar dhe nuk kishte liri për të prodhuar përmbajtje mediatike që kundërshtonin politikën e sistemit. Vlen gjithashtu të përmendim se gjatë kësaj kohe, informimi i audiencave nuk bazohej në sjelljen e së vërtetës, por përkundrazi në një manipulim të skajshëm dhe përhapjen e propagandave pro regjimit komunist, duke filluar që nga gazetat, më kryesorja “Zëri i Popullit”, edicionet informative në Televizionin Shqiptar, filmat, programet argëtuese, këngët, dhe përgjithësisht çdo përmbajtje mediatike që prodhohej nga mediumet e asaj kohe. Koncepti i “Dritares Magjike” që i referohej televizionit, si një mjet që shfaqte realitetin, i bënte njerëzit të besonin se çdo gjë që atyre u servirej si e vërtetë ishte e tillë.
Sot, parimisht media është e lirë të krijojë përmbajtje mediatike në forma dhe mënyra nga më të ndryshmet. Mjafton një aparat celular i lidhur me Internet që edhe një qytetar i thjeshtë të prodhojë dhe të publikojë përmbajtje, dhe në të njëjtën kohë, të verifikojë lehtësisht burimet e informacionit ndaj të cilit ekspozohet. Me zhvillimin e teknologjisë dhe medieve online, tashmë është shumë më e thjeshtë të shpërndash informacion, të informohesh rreth kulturave dhe vendeve që nuk i njeh, ta shohësh një ngjarje nga disa burime dhe perspektiva narrative të ndryshme, dhe të jepet mundësia të analizosh çdo lloj përmbajtje që të serviret nga prodhuesit. Po sot, niveli i edukimit mbi median në Shqipëri është shqetësues dhe sa vjen e përkeqësohet. Pse?
Për audiencat shqiptare që i përkasin moshave të dyta dhe të treta, është ende shumë e vështirë të dalin nga flluska e krijuar që në periudhën e sundimit komunist. Ideja e televizionit si dritare magjike ende ekziston dhe besohet, duke ndikuar që besimi tek përmbajtjet televizive të mbetet i lartë. Siç më tha njëherë xhaxhai im: “Nëse del në lajmet e televizorit, është e vërtetë.”. Megjithëse teorikisht supozohet që redaksitë e televizioneve të punojnë për të prodhuar lajme sa më objektive, të paanshme dhe me synimin për të shfaqur të vërtetën, në Shqipëri media është në shumicë e varur ose nga politika, ose nga bizneset private, bindjet dhe synimet e botuesve apo pronarëve të medias. Si rrjedhojë, edhe axhenda që media do të pëcaktojë për publikun, do të influencohet në masë nga aktorët e lartpërmendur. Pra, në shoqërinë e sotme mediatike shqiptare, kemi në parim media të lirë, por jo të pacensuruar në realitet.
Për audiencat shqiptare që i përkasin moshave të reja, është vrulli i mediave sociale dhe atyre online që ka marrë vëmendjen dhe përqëndrimin e tyre. Rrjetet sociale si TikTok dhe Instagram kanë bërë që të rinj dhe adoleshentë shqiptarë të krijojnë varësi ndaj celularëve, duke shkurtuar kohën e vëmendjes së tyre, duke rritur zakonet e ekspozimit, duke vështirësuar menaxhimin e kohës dhe duke izoluar këto audienca në një flluskë virtuale të krijuar nga algoritmet.
Në të dyja rastet, kemi të bëjmë me audienca që nuk janë të informuara dhe të edukuara mjaftueshëm për efektet që masmedia ka sot mbi çdo individ. Në shumicën e rasteve, njerëzit ose nuk janë të vetëdijshëm, ose nuk janë të interesuar a të shqetësuar mbi këtë çështje, ose nuk e pranojnë se diçka e tillë si efektet e medias ekziston. Në këtë shoqëri të mbingopur me informacion, të mbingopur me përmbajtje komerciale, të fabrikuara, të relativizuara, të manipuluara, të paverifikuara, clickbaits dhe lajme të rreme, njerëzit zgjedhin të qëndrojnë pasivë, dhe në disa raste edhe të painformuar. Shumica e shqiptarëve nuk kanë dëgjuar kurrë, e në kanë dëgjuar, shumë rrallë, për edukimin mbi median dhe informacionin si koncept, si çështje, si nocion.
Ndërkohë që media dhe teknologjia po ecën me hapa shumë të shpejtë, shoqëria shqiptare ndryshon shumë ngadalë, dhe po me këto ritme ndryshon dhe mendësia dhe perceptimi që kjo shoqëri ka mbi komunikimin dhe median. Kjo çështje ngre alarmin dhe shqetësimin për të ardhmen që e pret një audiencë të tillë, në një botë që është gati të hyjë në një revolucion të pestë teknologjik, ku bashkë me risitë, shtohen edhe sfidat e medias. Në shoqërinë e sotme shqiptare, edukimi mediatik mbetet një nga sfidat kryesore, për të cilën duhet të merren masa në të gjitha drejtimet, institucionet mediatike, rregullatorët e medias, Ministria e Arsimit, kompanitë teknologjike dhe vetë ne si individë. Sa më parë të kuptojmë se kemi të bëjmë me një problem shqetësues, aq më shpejt do të arrihet edhe zgjidhja e tij. Si njerëz të komunikimit por edhe të çfarëdo profesioni tjetër, duhet të hapim rrugën drejt edukimit dhe zhvillimit të shoqërisë.
“Ai që di të lexojë, por nuk dëshiron të edukohet, nuk ka asnjë avantazh kundrejt atij që nuk di të lexojë.”
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.