A është kthyer industria mediatike në “han”?
Marinela Pashaj
Qëllimisht e përdor termin “han”, si një mënyrë për të treguar rrëmujën mediatike e cila përngjason pikërisht me një vend të tillë ku ka hapësirë për të gjithë dhe për gjithçka.
Po a duhet të jetë media vendi ku shfaqen të gjithë, ku thuhet gjithçka dhe pa asnjë Kod Etik? Ku qëndron dallimi midis raportit të etikës dhe të drejtës në vetvete?
Imanuel Kant shprehet se “Etika merr në konsideratë atributet e brendshme njerëzore, por të drejtat janë të lidhura me sjelljet e jashtme praktike”. Parimet e Kantit njihen ndryshe si teoria e deontologjisë. Etika sipas kësaj teorie, përdor rregullat për të dalluar të drejtën nga e gabuara. Kant beson se “veprimet etike ndjekin ligje morale, të tilla si mos gënjej, mos mashtro, e që në rastin e medias përkthehen mbi respektimin e parimeve bazë profesionale për t’iu afruar sa më tepër të vërtetës dhe të drejtës pa cenuar lirinë dhe të drejtat e askujt”. (Çipuri, Media përball pasqyrës, 2021)
Pse media vendos të thyej kodin etik dhe si është transformuar kjo qasje?
Ekranet televizive janë shëndrruar në arena ku gjenerohen debate vulgare pa asnjë normë etike dhe komunikimi. Liria pa kufi e të shprehurit në hapësirën mediatike qoftë atë tradicionale apo online duket se po cenon vlerat shoqërore.
Shoqëria jonë mediatike është shëndrruar në një shkollë të re aristoteliane ku çdo gjë e cila konsiderohet jo etike apo jo e moralshme duhet që të thuhet në hapësirën mediatike me justifikimin e thyerjes së tabuve shoqërore.
Media, e cila është krijuar për zhvillimin, ruajtjen e normave dhe vlerave kulturore përditë po tregon një fytyrë të re, e cila nuk çon aspak në zhvillimin dhe emancipimin shoqëror, por në rritjen e vulgaritetit, dhunës fizike, psikologjike, emocionale të individit. Media shqiptare po prodhon antivlera. Adoleshentët janë viktimat e para nga ky prodhim mediatic, i cili duket se ka shuar ndjenjën e empatisë sociale. Bullizimi, gënjeshtrat, mashtrimet, ofendimet, dashakeqësia apo sjelljet e pahijshme janë disa nga elementët që vihen re në këtë sferë të re të komunikimit mediatik.
Mjafton të marrësh në studim disa nga formatet më të shikuara televizive si “Përputhen”, “Love Island” apo “Big Brother Vip” për të kuptuar se dëshira për të gjeneruar sa më shumë fitime dhe para, thyen çdo normë etike dhe komunikimi për t’u bërë virale. Hapësira mediatike shqiptare është e mbushur me personazhe publikë të cilët në shumë raste nuk janë kompetentë për të shprehur opinione të cilat kanë peshë në psikologjinë e turmës si audiencë. Këto personazhe krijohen apo dalin në skenën mediatike nga media të fuqishme kombëtare të cilat kanë impakt të fortë mbi publikun. Është e frikshme të mendosh se sot një fëmijë apo adoleshentë ka idhull një figurë që është krijuar nga një format televiziv i cili më së shumëti ka prodhuar një debat shterp, dhunë, denegrim të personit apo është përdorur një fjalor fyes.
Ne komunikojmë përmes shumë medieve. Kjo do të thotë se ne komunikojmë me ndihmën e fotografisë, muzikës, veshjes, fjalimeve dhe shkrimit. Shpesh herë edhe i kombinojmë që të gjitha këto forma të shprehjes mediatike. Të gjitha këto forma të komunikimit kthehen në praktika sociale, në norma shoqërore të cilat më pas gjenerojnë konflikte shoqërore, denigrojnë figurën e gruas, të burrit, të një besimtari apo grupeve të tjera shoqërore.
Prodhimi i këtij “zhaneri” mediatik ka ulur ndjeshëm besueshmërin e audiencës. Nga ana tjetër ka rritur ndjeshëm agresivitetin e audiencës kundrejt moderatorëve, gazetarëve, personazheve publikë duke përdorur një gjuhë denigruese, ofenduese, sjellje e cila vjen si rezultat i konsumimit të një ushqimi mediatik pa vlera.
A është audienca e interesuar për përmbajtjet joetike të cilat transmetohen nga media?
Evoluimi i hapësirës mediatike ka ndryshuar edhe qasjen e konsumatorit. Shpesh audienca krijon “kushte” përballë medias duke nxitur thyerjen e etikës. Kryesisht audienca e cila vjen me një background më të ulët arsimimi është e prirur të “joshet” më tepër nga përmbajtjet joetike.
Ajo çka vihet re në mediat shiqptare nuk është vetëm përmbajtja apo komunikimi joetik në disa programacione, por Kodi i Etikës thyhet edhe në rastet e publikimit të lajmeve të cilat kanë kryesisht përmbajte sensitive. Media sipas studiuesve është e vetëdijëshme se ajo çfarë i kërkohet më së shumti në këto momente është shpejtësia në transmetim. Po nga ana tjetër, kjo sjell probleme të ndryshme etike të cilat janë larg “të bërit gazetari”. (McFadden, 2016)
Nuk janë të pakta rastet kur mediat kanë publikuar pa asnjë lloj filtri fytyrat e viktimave, fëmijëve të abuzuar seksualisht, grave të dhunuara për të qenë jo vetëm të parët në transmetim, por edhe për të gjeneruar më shumë para.
Media është zhytur në botën e biznesit dhe në pastrimin e parave të pista duke humbur rolin e saj primar, informimin mbështetur mbi një Kod Etik dhe edukimin qytetar.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.