Edukimi Mediatik ndër breza : Përballja e së kaluarës me të tashmen
Ani Turhani
“The bigger the information media, the less courage and freedom they follow. Bigness means weakness.” Eric Sevareid
Përgjatë historisë së përhapjes së saj, media ka njohur një zhvillim të vrullshëm, si në rritjen e numrit të burimeve transmetuese edhe në shtimin e volumit të informacionit që transmetohet periodikisht në të. Por shtimi i kapaciteteve transmetuese dhe i volumit të informacionit ndër vite nuk ka qënë në gjendje të eleminojë disa problematika që e kanë shoqëruar median që në fillimet e veta. Dhe një ndër këto problematika ka qënë edhe manipulimi i popullsisë prej organeve mediatike për qëllime përfitimi. Dhe kur flasim për qëllime përfitimi, krahas fitimit monetar ekziston edhe faktori i manipulimit të mendimit të lirë. Por këto dy faktorë kanë pasur përhapje të ndryshme në kohë. Teksa faktori manipulues ka qënë i pranishëm në media që me lindjen e saj si fenomen i përhapjes së informacionit e deri në ditët tona, faktori monetar filloi të ishte i pranishëm kur media nisi të masivizohej në gjithë popullsinë e vëndeve të botës.
Në një vështrim të hollësishëm, kombinimi i këtyre dy faktorëve i ka rrënjët e veta në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe ravijëzimin e dy blloqeve të reja kundërshtare, të cilat do ta mbanin botën nën presion për një periudhë gati gjysëmshekullore. Është fjala për Bllokun Perëndimor, të përbërë prej vendeve demokratike të Europës Perëndimore dhe Amerikës Veriore si dhe Bllokun Lindor të përbërë prej vendeve komuniste ose të ashtuquajturat “demokraci popullore” të cilat përfshinin Bashkimin Sovjetik dhe ‘aleato-vasalët’ e tij, në Europën Lindore, Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine. Dhe ndërmjet këtyre 2 blloqeve, në Bllokun Perëndimor kombinimi i faktorëve manipulues dhe monetarë filloi më shpejt për shkak të ekzistencës së kompanive mediatike private dhe dëshirës së tyre për shumëfishimin e fitimeve prej raportimeve mediatike. Gjithashtu situata në arenën ndërkombëtare jepte material me bollëk për këto media, të cilat edhe me miratimin e qeverive perëndimore, trajtonin artikuj mbi konfliktet rajonale dhe zhvillimet e Luftës së Ftohtë. Popullsitë e vendeve perëndimore i ndiqnin me kuriozitet në fillim këto njoftime. Por me kalimin e viteve, mediat nuk po i pasqyronin më me vërtetësi këto njoftime. Një pjesë e këtyre mediave filluan të mbanin qëndrime sipas forcave politike që vinin në pushtet, disa të tjera mbanin qëndrim më pranë forcave opozitare, por pati edhe kanale mediatike të cilat u përpoqën t’i pasqyronin zhvillimet e kohës ashtu siç ishin në realitet. Në disa vende pati edhe organe mediatike që u shërbenin vendeve komuniste dhe financoheshin prej tyre direkt ose indirekt, si dhe partitë politike të ekstremit të majtë.
Prania e kaq shumë organeve mediatike në këto vende ndikoi në krijimin e një opinioni të gjerë publik me ide të ndryshme, por edhe ndihmoi në një proces edukimi autodidakt të popullsisë së këtyre vendeve, të cilat duke ndjekur një sërë kanalesh po arrinin të kuptonin se në cilat burime duhej të kërkonin të vërtetën dhe cilat burime ishin më pak të besueshme në gjetjen e saj. Gati krejt e kundërt paraqitej situata në Bllokun Lindor. Këtu pas konsolidimit të “diktaturave të proletariatit” ose “demokracive popullore,” filloi procesi i ngritjes së organeve shtetërore mediatike, të cilat do të informonin popullsinë e këtyre vendeve sipas ‘dëshirës’ së nomenklaturës sunduese. Organet mediatike merrnin ‘ direktivat ’ prej organizmave më të larta udhëheqëse të Partive Punëtore dhe Komuniste, si dhe përfaqësuesve qeveritarë për materialet që duhej të transmetoheshin dhe të dëgjoheshin prej ‘masave popullore’. Këto direktiva kishin të bënin në përgjithësi me: arritjet e mëdha ekonomike nën pushtetin e ri popullor; përhapjen e shpejtë të lëvizjeve punëtore në Perëndim, kundër të ashtuquajturave ‘regjime shtypëse kapitaliste’; goditjet e ‘grupeve armiqësore’ të dërguara prej Perëndimit për spiunazh dhe veprimtari sabotuese kundrejt pushtetit popullor, etj. Pra, në Bllokun Lindor pjesa më e madhe e popullsisë, duke mos patur burime të tjera informimi përveçse atyre shtetërore, njihte si të vërtetë vetëm atë çka u servirte propaganda shtetërore. Shumë pak banorë të këtyre vendeve e kishin të mundur të binin në kontakt me mediat e huaja, të cilat e përçonin sinjalin e tyre transmetues edhe në vendet komuniste. Por edhe ata që binin në kontakt me këto media, detyroheshin të heshtnin, që të mos binin pre e ‘makinës shtetërore të sigurisë.’
Ekzistenca e këtyre dy realiteteve të ndryshme dhe njëkohësisht të ngjashme vazhdoi deri në shembjen e regjimeve komuniste në Bllokun Lindor përgjatë viteve 1989-1991, ku realiteti i medias së kontrolluar dhe opinionit publik të përcaktuar sipas vijës së partisë në pushtet mori fund. Dhe menjëherë në këto vende filloi përhapja e mediave të pavarura prej ndikimit shtetëror, të cilat në teori u munduan të përhapnin opinione të ndryshme të disa grupimeve sociale. Kjo politikë pati anën e vetë pozitive pasi shumëkush nuk ishte i detyruar të kishte një opinion të caktuar për çështje të ndryshme. Por edhe anët negative nuk vonuan të vinin me këtë ndryshim që ndodhi me lirinë e fjalës dhe të shprehjes. Manipulimi mediatik me bazë përfitimin monetar gjeti përhapje të shpejtë në vendet e ish-Bllokut Lindor. Kjo ishte rrjedhojë e manipulimit të dikurshëm shtetëror, i cili i formoi brezat njerëzorë, të rritur nën sistemin komunist të besonin gati çdo informim që përcillej prej medias. Këtu filloi edhe një ndarje, gati fikse, midis brezave të paraviteve ’90 dhe atyre të pas viteve ’90 lidhur mbi shkallën e informimit në media. Brezi i parë, i cili ishte rritur pa pasur shkallën e duhur të njohurive mbi edukimin mediatik dhe për pasojë lehtësisht i manipulueshëm, në pjesën më të madhe të tij. Dhe brezi i dytë, i cili u rrit në një periudhë ku përveç medias publike, informohej nëpërmjet mediave private dhe atyre të huaja, duke arritur një edukim autodidakt në një pjesë të saj, por edhe duke rënë pre e manipulimeve në media, për ata të cilët nuk arrinin të vetedukoheshin.
Me ndryshimin e situatës ndërkombëtare dhe përfundimin e Luftës së Ftohtë, gjendja e manipulimit dhe edukimit në media po ashtu ndryshoi. Rëndësia e zhvillimeve ndërkombëtare nisi të përqëndrohej tek konfliktet rajonale dhe luftërat civile në vendet ish-komuniste; zgjerimin e marrdhënieve multilaterale midis vendeve të Europës Perëndimore dhe Lindore; zhvillimet në vendet e Botës së Tretë, etj. Edhe vendet e Europës Lindore filluan ta ndjenin valën e madhe të përhapjes së informacionit, nëpërmjet organeve mediatike me baza opinioni publike dhe private. Por shtimi i madh i burimeve të informacionit do të fillonte të kthehej në një dizavantazh të madh si në Lindje dhe në Perëndim, duke filluar me dekadën e dytë të shek.XXI, kur filloi përhapja masive e mediave sociale, e cila do të shënonte një etapë të re në manipulimin mediatik. Kjo sepse përhapja e aplikacioneve modifikueso-manipuluese siç janë Photoshop dhe të tjera të cilat mund të modifikojnë paraqitjen audio-vizive të një materiali filmik, duke arritur të sigurojnë besueshmëri më të lartë në publik. Një besueshmëri e tillë çon në manipulim më të lehtë, duke qenë se varësia e njerëzve ndaj pajisjeve të reja teknologjike po rritet dita-ditës me shpejtësi të madhe. Individë nga të gjithë brezat po bëhen më lehtë të manipulueshëm ndaj këtyre burimeve të reja informative dhe më lehtë të kontrollueshëm. Një faktor tjetër që po e rrit varësinë e njerzve nga teknologjia është edhe alternimi i llojit të informacionit që vihet në dispozicion dhe rritja e numrit të lajmeve nga bota e showbizit dhe përditshmëria, ndaj të cilave publiku ka treguar përherë një interes të madh kudo në botë. Dhe së fundmi, shtimi i numrit të burimeve informative e sidomos media sociale duket sikur po e konfuzon publikun që i ndjek ato duke u dhënë mbas ngjarjeve që për ta mund të duken të rëndësishme, por që nuk i’u përgjigjen nevojave të kohës për sa i përket edukimit mediatik të popullsisë lidhur mbi kërkimin e burimeve të besueshme informative dhe zhytjen e kësaj mase publiku të gjerë në mitin e shpellës së Platonit.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.