Gjuha e urrejtjes, media dhe liria e shprehjes
Oriada Dajko
Vitet e fundit po diskutohet gjithnjë e më shumë për gjuhën e urrejtjes dhe përdorimin e saj në media, duke dëshmuar për rastet e shpeshta, por edhe për ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe organizatave mediatike që evidentojnë dhe kundërshtojnë rastet flagrante. Megjithatë për shumë njerëz mbetet ende e paqartë se çfarë është gjuha e urrejtjes dhe se deri ku mund të shkojnë kufijtë e lirisë së shprehjes.
Gjuha e urrejtjes lidhet më së shumti me paragjykimin, kundërshtimin dhe përbuzjen për shkak të etnisë, racës, gjinisë, religjionit, orientimit seksual, etj.
Sipas ligjit aktual për mbrojtjen nga diskriminimi në Shqipëri, “gjuha e urrejtjes” është çdo formë e shprehjes në publik, me çdo mjet, e promovimit, nxitjes së denigrimit, urrejtjes ose shpifjes, çdo shqetësim, fyerje, stereotip negativ, stigmatizim ose kërcënim ndaj një personi ose grupi personash, si dhe çdo justifikim i të gjitha formave të shprehjes e bazuar në një listë joshteruese të shkaqeve, sipas nenit 1 të këtij ligji.
Duhet përmendur që shpesh njerëzit e konceptojnë gjuhën e urrejtjes vetëm si verbale, megjithatë gjuha e urrejtjes mund të shprehet në forma jo verbale si gjeste, veprime, simbole, imazhe, por edhe nëpërmjet artit, i cili mund të shërbejë për të përforcuar urrejtjen dhe paragjykimet, sidomos nëse flasim për urrejtjen dhe stereotipet me bazë gjininë, etninë dhe orientimin seksual.
A duhet lejuar gjuha e urrejtjes në media për hir të lirisë së shprehjes?
Liria e shprehjes është një e drejtë themelore e garantuar nga kushtetutat e shumë shteteve, si dhe konventat ndërkombëtare. Megjithatë, dihet se njerëzit priren të abuzojnë me liritë. Dhe nga ana tjetër, shumë shtete nuk ofrojnë mbrojtjen e duhur për të garantuar lirinë e fjalës. Për rrjedhojë, një ndër argumentet më të përmendura për të mos marrë masa ligjore ndaj përdorimit të gjuhës së urrejtjes, është se këto masa ligjore mund të keqpërdoren më vonë për të cenuar lirinë e shprehjes, si formë censure ndaj gazetarëve dhe opinionit të lirë të njerëzve.
Fillimisht, që të mbrojmë lirinë e shprehjes, duhet të kuptojmë përse është e rëndësishme dhe përgjegjësitë që vijnë bashkë me këtë liri. Jo gjithçka që njerëzit mendojnë, ndjejnë dhe shprehin mund të konsiderohet si e drejtë, e duhur apo pranueshme nga të tjerët, gjithsesi çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes, megjithatë liria e shprehjes duhet të jetë e bazuar në arsyetim e argumentim dhe jo tek instikti që mund të cenojë dinjitetin e dikujt apo të një komuniteti.
A është vërtet gjuha e urrejtjes kaq shumë e pranishme në Shqipëri apo nxitet nga media?
Parimisht, biem dakord se media duhet të thotë të vërtetën, dhe a nuk është media duke treguar atë çka vërtet ekziston në shoqërinë tonë? A nuk jemi ne të vetëdijshëm për praninë e paragjykimeve, stereotipeve dhe gjuhës së urrejtjes? Apo mos ndoshta kërkojmë prej medias të na paraqesë si një shoqëri më të mirë se ajo që vërtet jemi? Nga ana tjetër, a është e nevojshme përcjellja e çdo mendimi në media, edhe atyre më ekstremeve?
Media duhet të jetë e lirë megjithatë, kjo nuk do të thotë se media duhet të jetë e lirë nga përgjegjësitë. Dhe po, media duhet të vazhdojë të thotë të vërtetën por pa cenuar dinjitetin e një pjesë të popullsisë sepse në këtë mënyrë rrezikon të humbasë besueshmërinë te një pjesë e audiencës së saj.
Krahas pasqyrimit të asaj çka ndodh në realitet, njihet edhe ndikimi i medias në krijimin e opinionit, qëndrimeve dhe sjelljeve publike, duke formuar stereotipe dhe paragjykime. Për më tepër, disa media i japin përparësi materialeve që sjellin reagim në masë dhe fitim kundrejt raportimit të materialeve që kanë vlerë për interesin publik. Për këtë arsye, diskutohet se mënyra sesi komunitete të caktuara pasqyrohen nga media, mund të rrisë gjuhën e urrejtjes ndaj tyre.
Gjuha e urrejtjes është jo vetëm një pasqyrim i përdoruesve të saj, por dhe e realitetit social e kulturor, në të cilin ata jetojnë. Ndaj gjuha e urrejtjes në media paraqet edhe ndryshimet shoqërore, si dhe mënyrën sesi shoqëria reagon ndaj tyre. Për shembull, nëse 35 vite më parë në Shqipëri, gjuha e urrejtjes me bazë orientimin seksual nuk mbizotëronte në media, sepse vetë orientimi seksual ishte një çështje që as nuk diskutohej në publik, tashmë gjuha e urrejtjes me bazë orientimin seksual është ndër më të raportuarat në Shqipëri.
Përse gjuha e urrejtjes është më shumë e pranishme në median online?
Fillimisht, mediat online u prezantuan si hapësira neutrale ku përdoruesit e tyre mund të shpreheshin lirshëm, duke mos e lënë përcjelljen e informacionit vetëm në dorë të mediave tradicionale, por edhe në dorë të njerëzve të thjeshtë. Rrjedhimisht, në këto platforma mund të publikojë kushdo pa qenë gazetar apo ekspert në një fushë të caktuar, si dhe të dërgojë një mesazh potencial drejt një audience të gjerë. Nga ana tjetër, kushdo mund të jetë marrës potencial i një mesazhi për një kohë shumë të shkurtër, duke i tejkaluar barrierat gjeografike dhe gjuhësore. Me zhvillimin teknologjik, njerëzit janë më pranë informimit, por edhe keqinformimit dhe çinformimit. Tashmë njerëzit janë të lirë çinformojnë dhe të çinformohen, kjo si rrjedhojë edhe e anonimatit, që diskutohet gjerësisht për rolin e tij në nxitjen e urrejtjes, keqinformimit, çinformimit dhe toksicitetit në media online. Të qënit anonim i jep mundësi shumëkujt të mos mbajë përgjegjësinë për atë çka thotë, duke qenë se identiteti mbetet i pazbuluar.
Gjuha e përdorur në media është një pasqyrim i gjuhës që njerëzit përdorin në përditshmëri. Megjithatë, mesazhet e përcjella nëpërmjet artikujve të ndryshëm në median online kanë avantazhin që të mos kufizohen në një grup të vogël njerëzish, por të kenë një ndikim më të madh, si dhe gjuha e urrejtjes së përdorur kundrejt një personi a një komuniteti të caktuar në artikuj apo komente mbetet në historikun e motorëve të kërkimit. Për të reduktuar komentet denigruese, disa media online kanë zgjedhur të seleksionojnë komentet, duke i fshirë ato që përmbajnë elemente të gjuhës së urrejtes, por për pasojë akuzohen vazhdimisht për fshirjen e kritikave e zërave oponentë dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes si një justifikim.
Dhe si reagon shoqëria jonë ndaj gjuhës së urrejtjes?
Kohët e fundit, një prej konkurrenteve të një formati reality show është shprehur me fjalë tejet më të thjeshta se e konsideron një person të gjinisë mashkullore më superior se një person i gjinisë femërore. Kjo deklaratë e saj u shpërnda nga shumë media online në Shqipëri dhe në rrjetet e tyre sociale, duke shkaktuar një reagim masiv. Parimisht, reagimi në masë ndaj këtij qëndrimi mund të konsiderohej si diçka pozitive. Përderisa kundërshtojmë qëndrime që promovojnë stereotipe dhe teori të superioritetit të qenies me bazë gjininë, i bie të jemi më të ndërgjegjshëm, më të informuar dhe më të përgjegjshëm se më parë. Ama, mënyra sesi një pjesë e madhe ka zgjedhur ta kundërshtojë këtë deklaratë ka qenë nëpërmjet gjuhës së urrejtjes dhe jo argumentimit. Nga ky rast i fundit, por edhe nga raste të mëparshme, rezulton se një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë i lufton stereotipet, paragjykimin dhe gjuhën e urrejtjes me të njejtën formë, me një gjuhë urrejtjeje, duke paragjykuar dhe përforcuar stereotipe.
A mbetet gjuha e urrejtjes një përgjegjësi e medias, institucioneve rregullatore dhe aktorëve të tjerë, apo është përgjegjësi e secilit prej nesh?
Për reduktimin e gjuhës së urrejtjes, masa të ndryshme janë marrë nga vetë mediat online, mediat sociale, si dhe institucionet rregullatore, dhe megjithatë rastet nuk janë pakësuar, duke lënë të kuptohet se zgjidhja nuk qendron as te censura, as te marrja e masave ligjore, por tek audienca. Për këtë arsye, masa më efektive që mund të ndërmerret është edukimi, informimi dhe ndërgjegjësimi i saj.
Pavarësisht, se gjuha e urrejtjes nuk është një fenomen vetëm në Shqipëri, duhet analizuar edhe marrëdhënia e shoqërisë sonë me lirinë e shprehjes dhe të shtypit, edhe pse gjatë periudhës të diktaturës kjo liri ishte e garantuar nga kushtetuta, ne jemi të vetëdijshëm sesa të garantuar mund ta kenë lirinë e fjalës shtypi dhe shtetasit e një vendi diktatorial. Fitimi i një lirie të munguar, si liria e shprehjes, kërkon kohë për të mësuar dhe respektuar kufinjtë e saj, si dhe përgjegjësitë që vijnë me të, sepse liritë nuk vijnë pa përgjegjësi.
Pyetja që mund të ngrejmë në këtë rast është se a jemi ne të gatshëm për të marrë hapin e parë, për të qenë të hapur për të edukuar vetveten dhe të mbajmë përgjegjësi për liritë që kërkojmë?
Literatura
“Hate Speech” Explained A toolkit, 2015 edition.
Jeffrey W. Hoëard, Free Speech and Hate Speech, Annual Review of Political Science, 2019.
Ligji Nr. 10 221, datë 04.02.2010, Për mbrojtjen nga diskriminimi.
Michał Drożdż, Hate Speech in Media Discourse, Folia Litteraria Polonica 5(35), 2016.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.