Mjaft me komentet negative, nuk mund t’u bëj like të gjithave
Kristian Muçaj
Shpesh, përmbajtja në rrjetet sociale, e maskuar si “humor”, përfshin tema të rënda si racizmi, homofobia dhe misogjinia. Është i zakonshëm në këto platforma fenomeni i përkrahjes së ndërsjellë mes përdoruesve me komentet negative në seksionin e komenteve.
Komenti i tipit “mjaft me komentet raciste/homofobe, nuk mund t’u bëj like të gjithave” është një shembull i kësaj ironie që në fakt nxjerr në pah një mbështetje të heshtur të qëndrimeve negative dhe gjuhës së urrejtjes. Kjo tregon një prirje të njerëzve për të mbështetur shprehjet e qëndrimet negative për çështje të ndjeshme.
Në këtë mjedis, vija midis humorit dhe komenteve negative është shumë e hollë. Ata që nuk janë të prekur direkt nga këto komente i shohin si thjesht shprehje të lirisë ose pak ”gallatë”, ndërsa për të prekurit, familjarët dhe miqtë e tyre, ato shndërrohen në një plagë të vazhdueshme, duke ndikuar ndjeshëm në shëndetin mendor të komuniteteve të ndryshme.
Negativiteti në rrjetet sociale, i mbushur me përmbajtje që ngjall reagime të forta, ka një çmim të fshehur: kohën dhe shëndetin tonë mendor. Sa më shumë që ne qëndrojmë të lidhur me këto përmbajtje, aq më shumë humbasim prej qetësisë sonë mendore.
Korporatat multi-miliarda dollarëshe, në formën e Meta apo TikTok, të vetëdijshme për këtë efekt, se negativiteti shet më shumë se pozitiviteti, vazhdojnë të promovojnë përmbajtje të tilla për të rritur angazhimin dhe fitimet. Ky fenomen është një tregues i qartë i mospërfilljes së rrjeteve sociale ndaj përgjegjësisë sociale, duke lënë të lirë diskursin e urrejtjes për të lulëzuar, në kërkim të interaktivitetit dhe trafikut që sjell reklama dhe të ardhura.
Prandaj, ne duhet të bëhemi më të vetëdijshëm për mënyrën si përdorim këto platforma dhe, duke u përqendruar më shumë në pozitivitet, duke krijuar dhe duke ndjekur burime që promovojnë mirëqenien dhe duke kufizuar ekspozimin ndaj përmbajtjeve negative, ne mund të rikthejmë njëfarë kontrolli mbi jetët tona digjitale. Kjo nuk do të thotë të jemi të paditur ndaj realitetit, por të gjejmë një ekuilibër më të shëndetshëm midis informacionit dhe kujdesit për veten.
Ne duhet të zgjedhim të fokusohemi në pozitivitet dhe të krijojmë një mjedis digjital më të shëndetshëm për veten dhe të tjerët. Duke reflektuar mbi pyetjet: “Ku është vëmendja ime?” dhe “Pse po e shes kohën time?”, ne mund të kuptojmë më mirë ndikimin e rrjeteve sociale në jetën tonë dhe të ndalojmë së ushqyeri me negativitet.
Në këtë botë ku koha dhe vëmendja jonë janë bërë mallra me vlerë, ne duhet të jemi më të kujdesshëm se si i shpenzojmë ato. Çdo minutë që kalojmë duke ”u mbytur në një det të komenteve dhe përmbajtjes negative”, ne në mënyrë efektive po japim diçka shumë më të çmuar se thjeshtë kohë – po japim copëza të shëndetit tonë mendor dhe lumturisë.
Ndalimi i kësaj spiraleje negative kërkon një ndërgjegjësim të thellë dhe një vendim të qëllimshëm për të ndryshuar mënyrën si përdorim rrjetet sociale. Kjo do të na ndihmojë të mbrojmë shëndetin tonë mendor dhe të kontribuojmë në një mjedis digjital më të shëndetshëm, jo vetëm për ne, por edhe për brezat e rinj që nuk kanë pse të ”infektohen” nga negativiteti i trashëguar.
Në fund të ditës, duhet të pyesim veten: “Pse po lejoj që shëndeti im mendor të dëmtohet?” Është koha të ndalemi nga të ushqyerit me negativitet dhe të fillojmë të jetojmë në mënyra që vërtet pasurojnë jetën tonë. Në këtë luftë për vëmendjen, fituesi duhet të jemi ne, jo korporatat që përfitojnë nga koha jonë e çmuar.
Prandaj, mos i hap komentet – kurse kohë dhe kursehu nga negativiteti. Shpenzo kohën tënde të vyer qëllimisht në rrjete sociale.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.