Qasja ndaj medias sociale dhe elementëve pozitivë dhe negativë të saj
Hysen Çobani
Zhvillimi i shpejtë i teknologjisë dhe avancimi me hapa galopantë i rrjeteve sociale e çoi të gjithë botën në një transformim të modelit të jetesës dhe të komunikimit gjithashtu. Ky ndryshim me kalimin e kohës e preku dhe vendin tonë duke ndikuar drejtpërsëdrejti në shumë aspekte, por mbi të gjitha na bëri pjesë të një aventure të re, e cila shfaqej tërheqëse me kuriozitetin e saj. Sot përpara këtij revolucioni të fuqishëm teknologjik jemi të gjithë “të gjunjëzuar” sepse pavarësisht dëshirës tonë impakti që ka sjellë në jetët tona është i pandalshëm.
Përfitimet nga rrjetet sociale kanë qenë shumë pozitive në fillim sepse për herë të parë ato sollën një mundësi interaktiviteti. Edhe pse në një “mjedis” online, për herë të parë u krijua mundësia e komunikimit me pamje dhe zë në distanca shumë të largëta. Për herë të parë edhe shqiptarët u ndjenë të barabartë me europianët për mundësinë që u krijua për të qenë pjesë e një komuniteti online ku ekzistonte një larmishmëri mundësish të reja.
Kapërcimi në këtë epokë të re të informacionit na dha mundësinë që të informoheshim edhe duke qenë online në një shpejtësi rekord për çdo zhvillim apo ngjarje që ndodhte minutë pas minute. Një realitet i ri virtual solli një shkëputje totale të individit nga jeta reale duke e transferuar çdo informacion,çdo bisedë dhe format e ndryshme të komunikimit në dimensione të reja të paeksploruara më parë. Ky ndryshim që erdhi në mënyrë të drejtpërdrejtë nga zhvillimi teknologjik ndikoi aq fuqishëm sa na bëri që të ndryshonim edhe profilin, marrëdhënien dhe komunikimin tonë me të tjerët për t’u shfaqur sa më mirë.
Fenomeni i socializimit virtual ka depërtuar aq thellë në shoqërinë tonë sa të gjithë paraqiten në një këndvështrim si “të sëmurë” sot, kur nuk arrijnë të bëjnë dot dallimin mes virtuales dhe reales.Të gjithë kanë sot minimalisht një llogari në Facebook,Instagram apo Tik Tok duke filluar që nga fëmijët në një moshë shumë të vogël për të mbërritur në ekstrem deri te moshat e treta,të cilat e kanë parë dhe ato si një mundësi bashkëveprimi dhe socializimi me të tjerët. Për fat të keq sot rinia jonë nuk arrin të dalë dot nga ky rreth vicioz ku ka hyrë,por nuk gjen dot një rrugëdalje sepse e gjitha është një labirint.Në këto rrethana pas shumë përpjekjeve provon të orientohesh në rrugën e duhur,por ky realitet nuk të lëshon sepse ai funksionon bashkë me ty.
Nëse duam që të dallojmë pasojat e kësaj periudhe të re teknologjike duhet të shohim se çfarë i ka ndodhur shoqërisë tonë sot për shkak të këtij përparimi drejt të cilit kemi zgjedhur të ecim në këto vite.Shtresa që është ndikuar më shumë nga mediat sociale është padyshim rinia sepse po përjeton një moment transformimi në çdo dimension të jetës së saj.Të rinjtë sot janë në kontakt me çdo lloj fenomeni negativ që mund të ekzistojë, madje ata sot janë kthyer edhe në problemin më të madh që mund të ekzistonte, e gjitha kjo për shkak se nuk kanë kontrollin e duhur mbi atë çfarë po përjetojnë.
Ndryshimi i infrastrukturës së re mediatike është shoqëruar edhe me rritjen e sasisë së kontentit që shpërndahet online dhe është shoqëruar edhe me një ndryshim të sjelljes së audiencës. Në një botë ku jemi të gjithë “të bombarduar” nga furnizimi me informacion është e vështirë që të selektosh informacionin e duhur, të dallosh atë çfarë është reale dhe të gjesh mënyra që të shohësh edhe me një sy kritik produktet që shpërndahen online.
Është shumë e rëndësishme që të zhvillohen seanca të shumta informimi me të rinjtë dhe për t’i ndërgjegjësuar për të gjitha pasojat e rënda që ky zhvillim i shpejtë i teknologjisë ka sjellë për ne duke na transformuar komplet si qenie në ekzistencën tonë. Mediat sociale sot janë një shpëtim, por njëkohësisht edhe një rrezik i fshehur. Në këto korniza është shumë e rëndësishme që të kemi njohuri se ku duhet të lëvizim për të mos rënë “pre” e lojës së medias. Për fat të keq sot shumica e njerëzve nuk bëjnë dot këtë dallim dhe kjo vjen edhe për arsye se kanë mungesë informacioni në lidhje me këtë fenomen,i cili ka pushtuar botën. Prandaj çdo përdorues i medias sociale duhet të jetë përgjegjës për hapat që hedh duke mos klikuar linqe dhe përmbajtje në çdo hapësirë të mundshme, por duke reflektuar për lëvizjet që bën në platformat online.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.