Mendimi kritik për median dhe informacionin
Hysen Cobani
Në Shqipëri sot funksionojnë dhe ofrojnë shërbimet e tyre shumë televizione dhe numri i tyre ka njohur një rritje kohët e fundit.Prodhimi i një sasie të madhe materialesh për transmetim,krijon një “bombardim” të audiencës,e cila ndodhet përballë një spektri të gjerë zgjedhjesh për informimin e saj. Ajo çfarë është e dukshme sot është fakti se vërtet prodhohet shumë informacion, por jo e gjithë kjo përmbajtje është lajm në cilësinë e saj. Megjithatë për televizionet situata është favorizuese sepse në vendin tonë edukimi mediatik është në një shkallë të ulët dhe sidomos në zonat lokale bëhet akoma më e vështirë që të analizohet apo verifikohet vërtetësia e një informacioni. Për të prekur më nga afër këtë fenomen do të ndalemi në disa pika.
Në vendin tonë sot nuk ekziston gazetaria e vërtetë,e cila duhet të jetë e ndërtuar mbi standardet e përcaktuara dhe duhet të funksionojë duke mbajtur parasysh parimet e verifikimit, saktësisë, paanësisë dhe pavarësinë e fakteve nga opinionet. Në këtë pikë gazetari nuk është i lirë në profesion dhe detyrohet të devijojë nga rruga e tij duke prodhuar diçka që nuk është lajm. Gazetari ka arritur sot në gjendjen ku merr thashetheme mediatike dhe i prezanton ato si lajme duke keqinformuar audiencën në këtë mënyrë,e cila e beson atë që publikohet.
Në këto kushte ne të gjithë jemi kthyer sot në prodhues informacioni duke u unifikuar të gjithë njësoj dhe audienca ndërkohë përjeton një iluzion dhe shfaqet tërësisht e humbur nëpër labirintet e informacionit ku nuk gjendet një rrugëdalje për të prekur të vërtetën.Në kohën kur çdokush krijon faqen e tij dhe poston aty vazhdimisht, në kohën kur fitimet që vijnë nga portalet japin kënaqësi te drejtuesit e tyre, askush nuk do t’ia dijë më për çfarë publikohet. Sigurisht pozicionimi ndaj këtij realiteti ndryshon te çdo individ për shkak të moshës, formimit të tij profesional dhe njohjes që ka në lidhje me funksionimin e medias në Shqipëri.
Media është mjeti më i mirë për të “mpirë” mendjen e audiencës dhe pandemia në Shqipëri e tregoi më së miri se qeveria e mbante nën kontroll popullin përmes medias duke i krijuar një realitet krejt ndryshe nga ajo çfarë po ndodhte në të vërtetë. Në këtë rast ishte i vështirë verifikimi i informacionit sepse të gjithë ishin të izoluar dhe nuk kishin mënyrë tjetër informimi përveç kanaleve televizive. Tejzgjatja e situatës së pandemisë në vend dhe lajmet që vazhdonin pa ndalim për rastet prezente me virus e zbehën besueshmërinë e lajmeve sepse shkuan përtej çdo limiti të imagjinueshëm.
Ne kemi sot në vitin 2023 kaq shumë burime informacioni,por asnjëra prej tyre nuk është plotësisht e besueshme sepse çdo televizion, çdo portal, çdo media lokale është në një bashkëpunim të ngushtë me qeverinë, partitë politike në vend, drejtuesit e tyre dhe biznesmenët më të fuqishëm. Pra ne zgjedhim të informohemi sot nga News 24 apo Top Channel, por harrojmë të shohim tendencën e organizimit dhe strukturën e ndërtimit të lajmeve që transmetohen. Këto kanale televizive kanë patur dhe kanë qëllim primar shumëfishimin e të ardhurave të tyre dhe më pas informimin e audiencës.
Është evidentuar shumë herë se gara për të transmetuar i pari një ngjarje apo lajm e bën televizionin mos ta japë këtë produkt të paketuar siç duhet, por nga shpejtësia lajmi shpeshherë nuk vjen i organizuar apo i shkruar saktë. Lajmi nuk kalon në një proces trajtimi për ta bërë të transmetueshëm për media sepse nuk premton koha. Në këtë garë News 24 ,Report TV, Top News, Ora TV synojnë të dalin të parët duke shitur produktin mediatik sa më shpejt.
Një lajm nuk mund të quhet i plotë nëse nuk është i ndërtuar mbi disa fakte që qëndrojnë dhe lidhen mes tyre.Një informacion nuk përbën lajm nëse nuk kalon në sitën e imët të verifikimit me prova, dëshmi ose dokumente. Ajo çfarë e karakterizon një lajm është edhe shpejtësia apo koha e publikimit sepse nuk mund të transmetosh materiale që një televizion tjetër i ka publikuar një ditë më parë. Mungesa e origjinalitetit ka shkatërruar sot funksionimin e tregut mediatik ku të gjithë kopjojnë njëri-tjetrin si në titujt apo përmbajtjen e lajmeve, si në temat e njëjta të debatit politik në mbrëmje apo edhe në programet që transmetojnë ku sjellin formate të reja me ide të ngjashme. Media është e prirur drejt aktualitetit dhe nuk mund të merret me histori apo çështje të kaluara për t’i prezantuar ato si të freskëta në sytë e publikut.
Organizimi i lajmeve nga një gazetar duhet të jetë i realizuar mbi seleksionimin dhe hierarkinë e fakteve për të prezantuar një produkt me vlerë dhe që qëndron për shkak të peshës që ka. Audienca përplaset në çdo moment të ditës në rrjetet sociale me informacione të dala nga konteksti me të cilin lidhen, pra një tjetërsim i interpretimit të një situate apo ngjarjeje. Nuk ka një recetë fikse që përcakton sesi duhet të jetë një informacion që publikohet sepse forma në të cilën zgjedh ta prezantosh është në dorën e atij që e publikon, por jo të devijojë nga shtyllat kryesore të përcaktuara për këtë fushë.
Është shumë e rëndësishme që sot të bëhen përpjekje më të mëdha për edukimin mediatik sepse nuk ka një mënyrë tjetër që të kemi një vështrim kritik për informacionet që marrim nga burime të ndryshme. Ky lloj edukimi duhet të përfshijë të gjitha moshat sepse vetëm në këtë mënyrë mund të quhet i plotë dhe të ketë impakt të dukshëm te audienca.Përpara se të klikojmë një informacion duhet të jemi të vetëdijshëm se nga kush po e marrim, në çfarë kohe dhe forme, por pa harruar kontekstin në të cilin ndodh. Nëse nuk hedhim sot një hap drejt ndërgjegjësimit mediatik nuk mund të jemi kurrë kritikë dhe përzgjedhës në materialet që zgjedhim të konsumojmë.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.