Etika në media dhe komunikim
Hysen Cobani
Realiteti mediatik në Shqipëri është i dominuar totalisht sot nga përpjekja për të fituar sa më shumë audience, qoftë kjo në programet e transmetuara mediatike apo edhe në përmbajtjet që shpërndahen në median online. Gjithnjë e më shumë po shikojmë sesi media është shkëputur nga misioni i saj themelor që është informimi i drejtë i publikut. Ndryshimi ka prekur çdo kanal televiziv, çdo program që transmetohet, të gjitha portalet që kanë uzurpuar hapësirën online dhe çdo lloj forme tjetër të informimit publik.
Në transmetimet televizive është bërë një gjë normale sot që të ketë debat mes të ftuarve sidomos në prime time, në emisionet e mbrëmjes ku TV Klan, Top Chanel, Report TV, News 24, RTSH, MCN TV si dhe kanale të tjera të vogla sfidojnë njëra-tjetrën për të tërhequr sa më shumë audiencë. Duke ftuar përnatë të njëjtët analistë, duke u përpjekur që të mbajnë audiencën të mbërthyer para ekranit dhe kur shikojnë se nuk ka formë tjetër për të krijuar diferencën nga njëra- tjetra, zgjedhin që ta çojnë emisionin drejt një banaliteti në mënyrën e të komunikuarit që nuk është aspak e hijshme për formatet televizive. Por çfarë tregon kjo?
Është e qartë se situata të tilla do ndodhin kur e gjithë kjo bëhet për një shfaqje në sytë e publikut, për një “lavazh të trurit” të audiencës që i ndjek. Një moderator emisioni që fton në panel përfaqësues nga dy partitë rivale në vend, një përshkallëzim tensioni në mënyrën e të debatuarit që kalon limitet e përcaktuara kur tonet e zërit ngrihen, kur një fjalor i gjuhës së rrugës përdoret nga personalitete që përfaqësojnë figurën e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, asgjë nuk duket më normale. Është bërë një traditë e mirë për të krijuar pak “zhurmë” në dukje kur çdo gjë kalon në normalitet. Konflikti kalon nga një gjuhë e egër dhe e dhunshme në përplasjet fizike ku duhet ndihma e moderatorit për të qetësuar një “konflikt fals”, i cili e ka arritur synimin e tij kur të ftuarit e kanë fyer njëri-tjetrin dhe në këtë pikë ndihen të plotësuar për objektivin e arritur.
E gjithë kjo përmbajtje sjell një fitim të dyfishtë për televizionin në të cilin transmetohet. Nga njëra anë krahas audiencës që emisioni arrin të marrë gjatë transmetimit “live”, materiali shitet dy herë sepse kalon edhe në median online ku operon përmes portalit përkatës të televizionit në fjalë duke u përkthyer në klikime të shumta. Kjo situatë krijohet sepse duke studiuar psikologjinë e audiencës shqiptare, duke parë përfshirjen e qytetarëve në politikë, duke parë qasjen që ata kanë, media i njeh interesat e tyre dhe e kthen çdo gjë në një shfaqje argëtuese ku situata del plotësisht nga kontrolli sa moderatori e ndërpret kur tensioni mes të ftuarve nuk qetësohet.
Në këtë pikë etika dhe serioziteti i një televizioni të madh në vend baltoset për të fituar ca copëza audience sepse ato na duhen për të siguruar klikimet që kemi zgjedhur t’i sigurojmë duke transmetuar fragmente aspak të hijshme për modelin e një transmetuesi publik. Sot çdo gjë është shkatërruar në garën për të siguruar sa më shumë të ardhura, nuk ka më etikë në komunikim sepse personi përballë nuk dëgjohet apo respektohet gjatë fjalës së tij, gjuha që përdoret nuk është e pastër dhe themelet e një komunikimi bëhen pluhur pa filluar ende.
Për të kuptuar se kjo situatë është reale dhe madje është kthyer në një fenomen aktual, mjafton të ndjekësh “Repolitix” në Report TV, emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut,” Top Story”-n e moderuar nga Grida Duma,emisionin “Open” të Eni Vasilit dhe shumë të tjerë më tej. Si çdo natë nga ora 21:00-23:00 është piku kur debati televiziv kap kulmin e tij.
Kapërcimi i materialeve në median online bëhet shumë lehtësisht sepse mjafton t’i vendosësh shkrimit një titull tërheqës dhe të bashkangjisësh një copëz video të shkëputur nga emisioni ose vetëm një foto të momentit më kulminant për ta bërë audiencën të bjerë “pre” e grackës që ke ngritur për të arritur numrin e klikimeve të dëshiruara. Shkrimet në median online, pra në portalet e panumërta nuk plotësojnë gjithashtu standardet e shkrimit të lajmit sepse e gjithë situata shpeshherë përmblidhet në dy apo tre fjali.
Abuzimi më i madh në komunikim dhe thyerjen e rregullave të etikës shikohet më së miri te portalet sepse si një formë transmetimi informacioni ato shfaqen më tunduese duke vendosur tituj bombastikë që shumë herë përmbajnë edhe fjalë jo etike që në titull, por askush nuk interesohet për këtë pjesë. Gjithashtu qarkullimi i shpejtë i informacionit në median online i jep mundësinë shumë individëve që ta marrin dhe ripublikojnë në një formë tjetër duke i ndryshuar paketimin, duke i tjetërsuar titullin prezantues dhe duke i dhënë këtë pamje të re ndodh që edhe të godasin drejtpërsëdrejti persona të rëndësishëm publikë në favor të interesave të tyre personale.
Problem shqetësues për transmetimet televizive mbetet fakti se Shqipëria e ka një organ përgjegjës për parandalimin, evidentimin dhe penalizimin e situatave të tilla, por AMA duket se ekziston si e tillë vetëm në letër duke shfaqur dukshëm një dobësi për të vepruar përballë abuzimeve dhe shkeljes së rregullave nga transmetuesit televizivë.
Përdorimi i një gjuhe vulgare, modeli i interpretimit të dhunës, fyerjet, përplasjet dhe çdo lloj forme tjetër e kërcënimit apo kanosjes nuk janë modeli që media duhet të transmetojë dhe prezantojë përpara audiencës së saj. Ekzistenca e qindra portaleve dhe faqeve online bën të vështirë përzgjedhjen e informacionit ideal nga audienca për konsum të përditshëm dhe në këtë garë që krijohet në hapësirën online, rrjedhimisht shkatërrohet struktura përmbajtësore e lajmeve duke filluar që nga titujt që lihen pezull për të marrë klikime duke ndezur kureshtjen në mendjen e lexuesve. Situata duket e vështirë për të ndryshuar sepse fenomeni ka goditur themelet mbi të cilat është e ngritur gazetaria duke e futur gjithçka në një vorbull të madhe informacioni ku nuk ka më respekt për personalitetet, imazhin dhe etikën mediatike.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.