Edukimi mediatik tek studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, një domosdoshmëri
Mishel Mita
Është bërë tanimë traditë, që në fundin e çdo viti kalendarik, mediat më të mëdha ndërkombëtare, bazuar në algoritmet e motorëve të kërkimit që përdorim në përditshmërinë tonë, si dhe në kontekstin e përgjithshëm të vitit që lemë pas, të zgjedhin fjalën e vitit.
Në përmbyllje të 2022, fjala e përzgjedhur ishte “gaslighting”, një fjalë që vështirë të përshtatet mirë në shqip, por që shkurtimisht përkufizohet si “manipulimi psikologjik i vazhdueshëm i dikujt, duke e bërë atë të dyshojë qëndrueshmërinë e tij mendore”. Një vit më parë, në 2021, fjala e përzgjedhur ishte “vaksinë”, fjalë kjo që nuk ka nevojë për shumë shpjegim në kontekstin e një viti postpandemik. Fjalët ndryshojnë nga viti në vit, por nëse do të ndaleshim pak, cila do të ishte fjala e dekadës? Pa shumë hezitim do të thoja “media”, e madje “edukim mediatik”.
Dekadat e fundit, që pas viteve ’90 e në vazhdim, kanë qenë të dominuara nga zhvillimet e vrullshme teknologjike në media dhe përdorimi masiv i internetit. Megjithatë, valët e para të forta të dezinformimit filluan të ndiheshin kryesisht pas vitit 2010 dhe tërhoqën vëmendjen botërore me zgjedhjen e Donald Trump si President i SHBA-ve, me akuzat se dezinformimi dhe ndërhyrja e qeverisë ruse kishte përçudnuar votuesit amerikanë dhe kishte sjellë humbjen e kandidates Hillary Klinton. Ndoshta për herë të parë, u kuptua se çfarë efekti dramatik kishte realisht media sociale në dhënien formë të mendimeve dhe veprimeve të grupeve kaq të gjera shoqërore. Ardhur në kontekstin shqiptar, këto zhvillime të reja, nuk prodhuan ndryshime kaq drastike politike, të paktën në dukje, ama biem dakord se në një realitet ku thuajse gjithë shoqëria është përdoruese aktive e mediave sociale, dezinformimi, lajmet e rreme dhe vulnerabiliteti i publikut/audiencës për t’i besuar ato pa asnjë lloj filtri është i frikshëm.
Përhapja e teorive anti-Covid dhe anti-vaksinë, ishin ndoshta demonstrimet më të frikshme të këtij ndikimi. Kështu, jemi duke folur për probleme që kthehen në probleme sociale. Dhe kur flasim për probleme shoqërore, flasim për disa mekanizma që shteti duhet të ketë për të ndërhyrë dhe me këto mekanizma nënkuptojmë armatën e shërbimeve sociale; punonjës socialë, administratorë socialë, sociologë & psikologë që mund të realizojnë këto ndërhyrje në nivel komuniteti. Në kontekstin shqiptar, thuajse të gjithë këta profesionistë diplomohen nga Fakulteti i Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, ndaj edhe edukimi mediatik i këtyre studentëve merr një rëndësi të veçantë.
Megjithatë, edhe pse është bërë mëse e dukshme se dezinformimi në mediat e reja sociale dhe ato tradicionale është një e përditshme me të cilën qytetarët shqiptarë bashkëjetojnë çdo ditë, mungon një strategji për edukimin mediatik të studentëve të shkencave shoqërore, krahas atyre të gazetarisë, si profesionistët e ardhshëm që mund të kurojnë këtë “sëmundje” në zhvillim.
Në këtë kontekst, mangësitë e edukimit mediatik tek studentët mund t’i grupojmë në 3 kategori:
- Mangësi të sistemit arsimor, një strategji nga Ministria e Arsimit për përfshirjen në kurrikul të edukimit mediatik, sidomos në programet e studimit të shkencave shoqërore. Për më tepër, Universiteti i Tiranës është një institucion autonom arsimor, ndaj duhet të integrohen me patjetër orë të caktuara apo pjesë nga kurrikula ku të trajtohet edukimi mediatik i studentëve të shkencave sociale. Kjo përbën një problematikë themelore, pasi edukimi mediatik nuk mund të lihet në vullnetin individual të studentit, por kërkon një vëmendje të caktuar në kurrikul në mënyrë që të gjithë të marrin konceptet bazë.
- Mangësi të studentit, ku shpesh shumë studentë kanë iluzionin se ata nuk kanë nevojë për edukim mediatik, pasi janë mjaftueshëm të zgjuar për të dalluar lajmet e rreme. Këtu duhet qartësuar se me edukim mediatik nuk nënkuptojmë vetëm dallimin e një lajmi të vërtetë nga një lajm i pavërtetë. Edukim mediatik do të thotë të aksesosh, analizosh dhe vlerësosh një informacion dhe të prodhosh përmbajtje mediatike që nxit ndryshimin. Ndaj, secili prej studentëve duhet të edukohet që nga burimi ku duhet ta marrë informacionin, si ta analizojë dhe vlerësojë atë dhe se si çdo postim i bërë në rrjetet sociale, në mos të nxisë ndryshimin, mos të dezinformojë publikun.
- Mangësi në përcjelljen e modelit, për të sjellë ndryshimin e nevojshëm në komunitet. Patjetër që edukimi individual i secilit prej studentëve është i rëndësishëm, por edhe më i rëndësishëm është përhapja e modelit që ata mësojnë tek përdoruesit e shërbimeve sociale. Ndaj, këta studentë duhet të trajnohen që të ndikojnë në individë/grupe në komunitet me metodat e duhura për edukimin mediatik të tyre, për aq sa është e mundur.
Të gjitha sa më sipër kërkojnë një qasje inovative në të trajtuar, sepse edhe problemi me të cilin ballafaqohemi është i një natyre moderne. Kështu, do të duhet që përgjatë një semestri akademik, studentët të marrin pjesë në disa orë për edukimin mediatik. Temat duhet të jenë të një natyre praktike, që prekin përditshmërinë e secilit në raportin me median. Që nga tema të gjera si: propaganda në kohët moderne, dezinformimi, komunikimi masiv në hapësirën digjitale, e deri tek çështje konkrete se si të dallojmë një lajm të rremë, pyetjet që duhet t’i bëjmë vetes kur përballemi me një lajm të caktuar, ku të informohemi, etj.
Këto orë mund të organizohen brenda lëndëve që ligjërohen në fakultet, duke qenë se natyra sociale e tyre mund të lidhet mjaft mirë me median dhe edukimin. Si lektorë mund të shërbenin pedagogët e lëndëve, të cilët nëpërmjet një kërkimi mund të përcillnin konceptet bazë tek studentët. Më e mira do të ishte që këto orë të organizoheshin nga lektorë të jashtëm, duke ftuar profesionistë me ekspertizë për çështjen në fjalë. Krahas kësaj, mjaft kritike mbetet metoda e përdorur në trajnim. Është shumë e rëndësishme që formimi i studentëve mos të jetë thjesht në kuadrin teorik, por të fokusohet në atë praktik. Më konkretisht:
- Ndërgjegjësim për nivelin individual të dezinformimit. Studentët mund të ftohen të marrin pjesë në teste argëtuese që gjenden me shumicë në internet, ku jepen disa lajme dhe të duhet të dallosh nëse informacioni është i faktuar apo i rremë. Zakonisht, rezultatet e marra nga testi janë surprizues edhe për personat që e konsiderojnë veten shumë të aftë në dallimin e lajmeve të rreme. Ndaj, një përqasje e tillë do të ishte mjaft efektive për studentët, duke ofruar një dozë realiteti dhe ndërgjegjësimi për këdo;
- Orientim në burime të besuara. Edhe pse në Shqipëri është tepër e vështirë të gjesh një media të paanshme, që bën gazetari cilësore, studentët mund të orientohen drejt burimeve më të besuara, ose më saktë drejt disa burimeve. Është thelbësore që studentëve t’ju mësohet qasja se për të krijuar një opinion mbi një çështje të caktuar nuk mjafton vetëm informimi në një media, por duhet bërë ballafaqimi me informacionin nga burime të tjera dhe më pas audienca, nëpërmjet mendimit kritik, ndërton vetë kuptimin e saj. Gjithashtu, duhet bërë e qartë se informimi nuk mund të realizohet nga faqe me karakter argëtues, që kanë shumë audiencë, por pak ose aspak gazetari cilësore. Nga ana tjetër, duhet informim mbi nismat që po merren në këtë drejtim. P.sh. shumë pak veta e dinë që në Shqipëri ekziston një organizatë, Faktoje, e financuar nga BE, që punon në partneritet me Facebook, për të faktuar lajmet e rremë që qarkullojnë gjerësisht në mediat digjitale. Studentët duhet të orientohen dhe nxiten drejt nismave të tilla.
- Së fundmi, studentët duhet të ftohen ta fillojnë edukimin që nga rrethi i tyre i ngushtë. Në shoqërinë shqiptare, ndoshta ndryshe nga shoqëritë perëndimore, opinioni i të njohurve prevalon mbi opinionin e profesionistit/autoritetit. Ndaj, përpara se secili të tentojë të ndryshojë shoqërinë, duhet t’ia fillojë që nga familja dhe të njohurit e tij.
Edukimin mediatik të shoqërisë mund ta nisim edhe duke ia bërë të qartë prindërve, të afërmve apo miqve që jo çdo gjë që lexojmë sot është e vërtetë. Në fakt, kështu ka ndodhur gjithnjë e me gjasë do të vazhdojë të ndodhë edhe në vijim, ndaj s’na mbetet gjë tjetër veçse të edukohemi, duke u thelluar më shumë tek mundësitë që na jepen në fakultet.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Zhvillimi i Edukimit për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
