
Edukimi për median dhe informimin – nga projekt në përparësi e politikës arsimore
Astrit Dautaj, ASCAP
Misioni kryesor i arsimit është të përgatisë brezin e ri për jetën e sotme dhe të ardhme, t’i sigurojë atij mundësitë të fitojë kompetencat e nevojshme për vendimmarrje të mirëmenduara në përmbushjen e nevojave të jetës, të shkollimit të mëtejshëm, të punësimit dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës. Për këtë arsye, arsimi ka përgjegjësinë të njohë realitetin ku jetojmë dhe të ndjekë me vëmendje dhe në mënyrë të qëllimtë të gjitha zhvillimet që ndodhin në të, në tërë larminë e tyre, sikurse ka përgjegjësinë të parashikojë, brenda mundësive, edhe prirjet për të ardhmen, për të mbështetur ato pozitive dhe për të frenuar ato që janë negative.
E reja e realitetit të sotëm, që me shpejtësi po kthehet në tipar themelor të tij, është zhvillimi i teknologjisë, në përmasa të tilla që ka krijuar një botë të dytë paralele me botën fizike, botën digjitale, e cila i ndryshon dhe i zgjeron horizontet e saj me shpejtësi. Kjo botë ka hapur mundësi të reja për të rinjtë, ka sjellë një dimension të ri në jetën e tyre të përditshme, “të qenit online”. Fëmijët, të rinjtë e kanë pranuar mjedisin digjital si një dimension të natyrshëm, themelor dhe të padiskutueshëm të jetës së tyre.
Nga ana tjetër, bota e informacionit u pasurua dhe pasurohet me ngjarje të ndryshme, ide, veprime dhe ideologji ekstremiste e radikale, dilema dhe kundërshti të mëdha, të cilat tronditin dhe shqetësojnë mendjen njerëzore, duke shtuar edhe rreziqet me të cilat përballen dhe do të përballen fëmijët dhe të rinjtë gjatë rritjes së tyre. Pra bota online qëndron mes tyre dhe realitetit fizik, si një mur që pengon procesin e njohjes, por, në shumë raste, edhe si një filtër që e shtrembëron realitetin fizik të cilin ata duhet ta njohin më mirë, për të qenë vendimmarrës të mirinformuar në jetën e tyre.
Sot, gjithnjë e më shumë, përforcohet nevoja që njohja e botës të ngrihet në një nivel më të lartë cilësor, që t’i shërbejë qëllimit të çdo individi. Në përmbushje të këtij qëllimi, Edukimi për Median dhe Informimin (EMI) shfaqet si përparësi dhe domosdoshmëri, e cila mundëson që bota dhe të qenit online të kthehen në një instrument të fuqishëm njohjeje dhe si fushë e mjet për formuar dhe shprehur aftësitë e tyre krijuese.
Në këto kushte, si përgjigje dhe në zbatim të një filozofie të tillë, erdhi në vitin 2020 edhe projekti i Edukimit për median dhe informimin (EMI) për trajnimin e mësuesve, i UNESCO dhe BE, i mundësuar nga Instituti Shqiptar i Medias (ISHM), i cili ofroi një kurrikul ndërkombëtare për trajnimin mësuesve në fushën e EMI.
Kurrikula e EMI e UNESCO, e ofruar përmes Institutit Shqiptar të Medias, e përshtatur dhe e zbatuar nga Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar në bashkëpunim MAS, me Drejtoritë Rajonale dhe Zyrat Arsimore të Arsimit parauniversitar është një kurrikul model, tërësore, që përfshin të gjithë përbërësit e domosdoshëm që e bëjnë një kurrikul jo vetëm të synuar, por edhe të zbatueshme. Ajo është hartuar për mësuesin dhe vjen me synimin për t’u integruar në sistemin e zyrtar të formimit të tij profesional. Mësuesit e arsimuar në fushën e medias dhe të informimit do të kenë mundësi më të mëdha për të fuqizuar, në vazhdimësi, veten dhe nxënësit në përpjekjet e tyre për të mësuar si të mësojnë, për të mësuar në mënyrë të pavarur gjatë gjithë jetës me qëllim që të jenë vendimmarrës të informuar.
Në këto vite të zbatimit të projektit janë hedhur, pilotuar, korrigjuar e konfirmuar ide dhe praktika që kanë synuar të integrojnë EMI në procesin e të mësuarit, në të gjitha nivelet e arsimit, ashtu sikurse janë përfshirë të gjitha përfituesit dhe të interesuarit e tjerë të arsimit, duke i dhënë atij tiparet e një veprimtarie gjithëpërfshirëse.
Cilat janë rrugët/dimensionet që u përzgjodhën për integrimin e edukimit për median dhe informimin në procesin e të mësuarit?
- Rruga e parë është ajo e trajtimit dhe e përdorimit të EMI si burim plotësues kurrikular.
- Rruga e dytë është ajo e përdorimit të EMI si instrument për zhvillimin e aftësive të larta të të menduarit.
- Rruga e tretë është ajo e përdorimit të medias dhe informimit si mjet për shprehjen krijuese të ideve dhe qëndrimeve.
Mësuesit e përfshirë në këtë projekt u trajnuan në këto tre dimensione.
Cila është vlera e këtyre trajnimeve për mësuesit dhe për nxënësit?
- Së pari është përfshirja në trajnim e mësuesve të të gjitha lëndëve. Në këtë rast kemi të bëjmë jo vetëm me përmbushjen e njërës prej kërkesave të strategjisë së Këshillit të Evropës për Arsimin, për realizimin e edukimit për qytetari demokratike për të gjithë mësuesit, nga të gjithë mësuesit, në shërbim të kurrikulave të lëndëve të ndryshme, por kemi edhe një model të realizimit të këtij objektivi.
- Së dyti, mësuesit u trajnuan, bashkëpunuan në trajnim, planifikuan integrimin e medias dhe informimit në orët e tyre mësimore në lëndët e tyre, në bashkëpunim me specialistët e kurrikulës së ASCAP të përfshirë në projekt, të cilët në këtë rast shërbyen si mentorë dhe më pas u vëzhguan dhe u vlerësuan profesionalisht prej tyre. Edhe në këtë rast kemi një model trajnimi me vlera të shtuara në raport me shumë trajnime që kryhen më shumë si seanca informuese, gjë që ka shtuar alergjinë e mësuesve ndaj fjalës trajnim, të kuptuar si seanca ku riciklohen informacione të njohura.
- Së treti, vlera e shtuar e këtij trajnimi ishin arritjet e nxënësve të përfshirë në këto orë mësimore, të cilët, përdorën median për të identifikuar çështjet globale, për t’i njohur më thellë përmes kërkimit (dimensioni i parë), për të identifikuar qëndrimet e ndryshme që lidhen me to (çështje kundërshtuese) dhe për të zgjedhur qëndrimin e tyre (zhvillimi i aftësive të larta të të menduarit) të cilin e bënë të ditur përmes një posteri, broshure, fletëpalosje, pikture, eseje etj. Në këtë rast mund të gjykojmë, bazuar në fakte konkrete, për vlerën e një trajnimi për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, për ndërtimin e situatave cilësore të të mësuarit, në funksion të përmbushjes së të drejtës së nxënësit për arsim cilësor dhe të detyrimit të mësuesit për t’i dhënë atij më të mirën.
Pikërisht, këto arritje shërbejnë si model për trajnimet e ardhshme.
E ardhmja ose një dimension i saj – Edukimi për median dhe informimin dhe Inteligjenca artificiale
Një ndër çështjet që në Konferencën e UNESCO-s, e mbajtur në mjediset e saj, në Sarajevë, u trajtua si e rëndësishme në fushën e edukimit për median dhe informimin në arsimin shqiptar, të realizuar përmes projektit në fjalë, është edhe ajo e lidhjes së saj me inteligjencën artificiale. Ku qëndron kjo lidhje?
- IA përfshin tre koncepte bazë: Të dhëna, algoritëm dhe vendimmarrje. Mbi bazën e të dhënave krijohen algoritmet, të cilat përdoren për të marrë vendime në fusha të caktuara të jetës dhe të veprimtarisë njerëzore.
Por, të dhëna të manipuluara, të njëanshme etj. krijojnë algoritme që nuk i shërbejnë qëllimit. Sigurisht, këto algoritme i shërbejnë qëllimit të manipuluesit të të dhënave, por jo të atij që merr vendimin mbi bazën e këtij algoritmi. Dhe, për rrjedhojë, humbet edhe pavarësia e njeriut në procesin e vendimmarrjes.
Për këtë arsye, UNESCO dhe KE e sheh inteligjencën artificiale nga këndvështrimi i demokracisë, i të drejtave të njeriut dhe i shtetit të së drejtës. Ky këndvështrim u përfshi edhe në përparësitë e politikës arsimore në Shqipëri, e shprehur, si e tillë, në raportin e Kongresit të Arsimit. Ky këndvështrim i përdorur si pikënisje në trajnimin e mësuesve në projektin e EMI kërkon që mësuesit dhe nxënësit të aftësohen për të kuptuar dhe shmangur rreziqet që shoqërojnë përdorimin e IA, veçanërisht në fushën e arsimit.
- Edukimi për median dhe informimin synon pikërisht aftësimin e nxënësve dhe të mësuesve për të krijuar modelet/algoritmet e tyre të të menduarit dhe të vepruarit. Në thelb, kjo ka të bëjë me vetë kompetencat për jetën. Kompetenca është pikërisht zotësia për të përdorur njohuritë dhe aftësitë për të marrë vendimet e duhura, të mirinformuara dhe të mirëmenduara për të zgjidhur problemet në interesin vetjak dhe shoqëror.
Në nivelin e politikës arsimore, duhet të vëmë në dukje, përfshirjen e Edukimit për median dhe informimin si përparësi e politikës arsimore edhe në Kornizën Kurrikulare të Arsimit Parauniversitar. Vijimësi logjike e një ndërmarrje të tillë është:
- integrimi i EMI në përmbajtjen e kurrikulës së lëndës së Qytetarisë për të vijuar me integrimin tij në kurrikulat e lëndëve të tjera.
- shtrirja e tij në sistemin e kualifikimit të drejtuesve të rrjeteve profesionale të të gjitha lëndëve në arsimin e mesëm, të lartë dhe, më pas, tek të gjithë mësuesit që janë në përgjegjësinë profesionale të drejtuesve në fjalë.
Si përfundim mund të themi që ky projekt, kjo ndërmarrje në fushën e arsimit, i ardhur dhe i realizuar në kohën e duhur, me mbështetjen e MAS nisi të sjellë ndryshime të ndjeshme në fushën e kurrikulës dhe të trajnimit të mësuesve, të cilat shpresojmë që do të bëhen pjesë e qëndrueshme e praktikës mësimore në Shqipëri.