Raporti i mediave shqiptare me lajmet e rreme
Bjorni Tane
Media shqiptare është “pushteti i katërt” faktik që ka për detyrë pasqyrimin e vërtetësisë së rrethanave të një ngjarjeje të caktuar. Kohët e fundit i është vënë theksi edukimit ndaj medias, nëpërmjet gjuhës së përdorur për të sintetizuar mendimet sa më saktë. Raporti i medias me lexuesit dhe impakti që krijon ka ndryshuar ndër vite, por në koncept mbetet i njëjtë për sa i përket transmetimit në kohë e hapësirë, shoqëruar edhe me përdorimin e teknologjisë së re.
Përgjatë viteve të fundit ajo ka fituar terren dhe epërsi pasi po evidenton dita-ditës çdo ngjarje që përbën lajm dhe po e shfaq atë në kohë rekord. Këto standarde janë arritur falë profesionalizmit të “aktorëve” që luajnë një rol thelbësor në shërbim të pasqyrimit të origjinalitetit të fakteve.
Pa dyshim ka vend për përmirësim që të reflektojë edhe më qartë misionin e marrë përsipër nga ky “pushtet”. Një ndër problematikat kryesore që haset sot është ajo e “konkurrencës” me fenomenin fake news, i cili po kundërvepron si baraspeshë për qëllime të kundërta ku më kryesori është dezinformimi.
Në vijim të argumentit dua të shtoj se u bë kohë që po imponohet të mbizotërojë kjo mënyrë e interpretimit të fakteve, por gazetaret e mirëfilltë dhe ne që po përgatitemi ta ushtrojmë këtë profesion duhet ta evitojmë subjektivitetin, dhe të tregohemi profesionalistë në prezantimin e fakteve.
Një nga mënyrat është përgënjeshtrimi me fakte dhe ballafaqimi me të vërtetën edhe pse është impenjativ. Ka raste kur mjafton vetëm këmbëngulja për të dalë e vërteta në dritë, siç ka edhe “bombardim mediatik me fake news” që kërkojnë një kohë të gjatë për t’u cilësuar si të tilla. Në kohët moderne kur mjafton vetëm një klikim online për informim, gazetarët duhet të tregohen shumë të përgjegjshëm, pasi gabimet e tyre janë shumë lehtë të aksesueshme për audiencën. Lufta kundrejt lajmeve të rreme kërkon shumë përkushtim në emër të profesionit dhe misionit të marrë përsipër. Ne dita-ditës duhet të ndërmarrim hapa konkrete duke kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve, qoftë edhe të publikut, për një informim e transmetim më cilësor, objektiv dhe të saktë. Për të identifikuar një fake news, duhet të përdoren sa më shpesh mjetet për verifikimin e informacionit duke ndjekur këto rregulla: Kontrolloni llojin e faqes, Shikoni datën e publikimit, Verifikoni identitetin e autorit, Gjurmoni origjinën e lajmit, Shtroni pyetjet e duhura. Gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit kanë qarkulluar lajme të rreme për virusin. Këto akuza të rreme nuk kanë prova legjitime shkencore që mbështesin pretendimet e tyre.
Kur ndahet me të tjerët, informacioni i rremë mund të marrë një jetë më vete dhe të ketë disa pasoja të rënda. Kjo mund të çojë në frikë shëndetësore, akuza të rreme dhe histori mashtrimi potencialisht të dëmshme. Një pretendim i cili ishte fake news thoshte se koronavirusi prek vetëm të moshuarit, kështu që të rinjtë nuk duhet të shqetësohen për këtë. Në të vërtetë edhe te rinjtë u prekën nga ky virus, por shumica e njerëzve që nuk janë të moshuar dhe nuk kanë kushte themelore shëndetësore nuk do të sëmuren rëndë nga COVID-19. Sëmundja ka ende një shans më të lartë për të çuar në simptoma serioze të frymëmarrjes sesa gripi sezonal, dhe ne ende po mësojmë për disa nga efektet e tjera afatgjata.
Mediat shqiptare për shkak dhe të aspekteve social-politike kanë pasur probleme të mëdha me fake news duket e përdorur atë si një mjet për të manipuluar situata të ndryshme politike, sociale dhe ekonomike por duhet të theksoj që një pjesë e mirë e keqinformimit e dezinformimit vjen edhe për pasojë të presionit për ta nxjerrë lajmin të parët duke vendosur të parën sasinë kundrejt cilësisë. Shqipëria duke qenë një ndër vendet e fundit në botë që u përball me një periudhe shumë të gjatë të një sistemi ndër më të ashprit, siç ishte ai komunist, është rritur me propagandën dhe e ka marrë për të vërtetë. Lajmet janë konsideruar gjithmonë si të vërteta duke mos zhvilluar të menduarit në mënyrë kritike.
Fillimisht dua të bëj një thirrje për mediat që të jenë sa më transparente dhe të kujdesen që të kenë përmbajtje që synojnë edukim dhe fakte më shumë se sa interpretim dhe keqinformim, por gjithashtu dua t’i bëj edhe një thirrje lexuesve të këtij blogu që të zhvillojnë vetë atë të menduarin kritik që komunizmi e shtypi aq shumë në mënyrë që të mos biem pre e lajmeve të rreme dhe propagandës. Ta fillojmë edukimin mediatik nga vetja pikësëpari, të mësojmë brezat e rinj të jenë përzgjedhës ndaj lajmeve dhe për pasojë edhe mediat do të detyrohen të jenë më të vërteta. “Siguria e vetme për të gjitha gjendet në një shtyp të lirë”, Thomas Jefferson.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Zhvillimi i Edukimit për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
