
Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në procesin mësimor
Përfunduam me sukses trajnimet me drejtuesit e rrjeteve profesionale të mësuesve në Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar në Korçë!
Trajnimi kishte si synim t’i pajiste pjesëmarrësit me njohuri më të thelluara rreth përdorimit të Inteligjencës Artificiale në procesin mësimor si një mjet bashkëkohor për të rritur cilësinë dhe interaktivitetin në mësimdhënie.
Gjatë aktivitetit, drejtuesit u njohën me mënyra konkrete se si mjetet e IA-së mund të ndihmojnë në krijimin e orëve mësimore më tërheqëse dhe efektive, duke përmirësuar qasjen ndaj mësimdhënies dhe të nxënit. U diskutua gjithashtu roli i IA-së në personalizimin e përmbajtjes, zhvillimin e të menduarit kritik te nxënësit, menaxhimin e informacionit dhe ofrimin e vlerësimeve në kohë reale.
Përdorimi i teknologjisë në edukim shihet si një mundësi për të lehtësuar ngarkesën e mësuesve dhe për t’u fokusuar më shumë te nevojat specifike të çdo nxënësi.
Ky trajnim është zhvilluar në kuadër të projektit “Krijimi i Besimit në Media në Evropën Juglindore dhe Turqi, Faza II”, mbështetur nga UNESCO dhe Bashkimi Evropian, dhe i zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias në bashkëpunim me ASCAP – Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar.










