
Media sociale apo desocializim?
Ani Turhani
Përpara krijimit të mediave online dhe përhapjes së të ashtuquajturve rrjete sociale, mjetet kryesore të përhapjes së informacionit ishin televizioni,radioja, por edhe gazetat dhe revistat vazhdonin të frekuentoheshin prej publikut të gjerë. Shumë njerëz mendonin se e ardhmja e medias do të pasqyrohej tek zhvillimi i televizionit dhe nuk e prisnin se do të kishte forma të tjera të zhvillimit të medias. Por evoluimi i teknologjisë kompjuterike të krijuar që në vitet 1970, solli në vitet 2000 kompjuterat modernë që janë përmirësuar deri në ditët e sotme. Nëpërmjet kompjuterëve dhe laptopve që u krijuan lindën websitet, të cilat do të ishin format e para të kërkimit online të informacioneve në internet. Kjo formë e re e kërkimit do të nxiste kryesisht ndërmjet brezave të rinj, metoda të reja në përhapjen e informacioneve. Dhe kjo do të arrihej në sajë të të ashtuquajturave Media Sociale.
Mbas vitit 2010 me krijimin e telefonave smart si Iphone ose Samsung, filloi edhe aksesimi i websiteve shpejt edhe thjesht nëpërmjet këtyre telefonave. Tashmë të rinjtë, si dhe një pjesë e brezit të mesëm filluan t’i gjenin burimet e informacionit direkt nëpërmjet internetit. Ky aksesim i burimeve informative në kohë më të shpejtë pati një përhapje të gjerë, fillimisht në vendet perëndimore ku edhe u krijua kjo teknologji e re. Shumë njerëz e vlerësuan si një ndër arritjet më të mëdha të shekullit XXI. Këto smartphone u shoqëruan edhe me krijimin e aplikacioneve të reja krahas përshtatjes së atyre ekzistuese në kompjutera ose lapopë siç ishin: Youtube, Facebook, Google, etj. Të gjitha këto zhvillime u menduan si fillimi i asaj çka ishte portretizuar si e ardhmja në periudhën e paraluftës së Dytë Botërore ose gjatë Luftës së Ftohtë. Sa i takon përhapjes së teknologjisë së re dhe bashkë me të edhe të medias sociale, do ta perifrazoja në 3 periudha. Periudha e parë (2010-2015) gjatë së cilës përhapja e kësaj teknologjie nuk solli ndryshime të menjëhershme për disa arsye. Së pari prototipat e krijuar nuk patën një përhapje masive në tregun global, por u përqëndruan fillimisht në tregjet e vendeve perëndimore ku edhe u krijua kjo teknologji. Së dyti, çmimet e larta në treg me të cilat dolën këto modele, e frenoi pjesën më të madhe të konsumatorëve që t’i blinte ato menjëherë. Së treti risitë teknologjike që këto pajisje ofruan ishin vërtetë një kapërcim i madh në raport edhe me arritjet e 4 ose 5 viteve më parë, por jo çdo kush e kuptoi rëndësinë e tyre deri në periudhën e dytë.
Periudha e dytë (2016-2020) solli një masivizim të përdorimit të smarphoneve kudo në botë, sepse filloi të rritej ndjeshëm nevoja e përdorimit të tyre. Gjithashtu filloi të bëhej trend për të rinjtë përdorimi i smart-phonave, duke frekuentuar në mënyrë aktive rrjetet sociale. Ky trend i ktheu ata në konsumatorët më të mëdhenj në botë. Ndërsa brezit të mesëm i shërbeu kryesisht lidhur me nevoja të përditshmërisë ose në marrdhëniet e punës duke iu lehtësuar disa rrethana, që nga dërgimi i emaileve deri edhe në gjetjen e destinacioneve apo të adresave për dërgimin e mallrave ose kryrjen e shërbimeve postare.
Por krahas anëve pozitive që ofroi kjo teknologji, u masivizuan edhe anët negative të saj. Përhapja e shpejtë e informacionit do të nxiste edhe një përhapje të shpejtë të dezinformimit ose keqinformimit të përdoruesve të websajteve, mediave online
etj, sepse në shumicën e rasteve, nuk kishte një filtrim të informacioneve që publikoheshin në shumicën e portaleve dhe njerëzit ishin të prirur të besonin gati çdo gjë që iu servirej. Këto dhe të tjera veprime linin shteg për manipulim të opinionit publik në një shkallë më të madhe dhe në një kohë më të shpejtë. Anë të tjera negative në sferën sociale do të ishin mashtrimet, kërcënimet dhe shantazhet nga ana e individëve problematikë tek përdoruesit e moshave të mitura të rrjeteve sociale për qëllime përfitimi dhe kryerje të veprave të paligjshme, si rrëmbimi, trafikimi i qënieve njerëzore, prostitucioni etj.
Periudha e tretë (2020-2024) do të përkojë me fillimin e Pandemisë Botërorore Covid-19, ku shkalla e rritjes së varësisë së individëve nga media sociale do të rritej jashtë mase si pasojë e politikave të izolimit social për tu ruajtur nga përhapja e virusit. Faza e izolimit, që u mendua se nuk do të zgjaste shumë kohë, i bëri njerëzit më të varur prej teknologjisë dhe më pak ndërveprues në jetën sociale reale. Kjo do ishte edhe periudha kur media sociale arriti kulmin e vet me klikimet e portaleve online dhe përpunimin e informacioneve pa filtrimin e duhur.
Gjithashtu përhapja e aplikacionit TikTok si dhe krijimi i përmbajtjeve me video të shkurtra ku paraqiten imazhe dhe informacione të përmbledhura u bënë trendi i kohës. Kjo për faktin se shumë njerëz e humbën përqëndrimin dhe durimin e tyre prej konsumit të përditshëm dhe ekspozimit ndaj medias online. Këto edhe të tjera efekte bënë që edhe pas përfundimit të masave kufizuese të pandemisë, pasojat që ajo la pas në jetën sociale të mos rikuperoheshin menjëherë. Një pjesë e mirë e të rinjve u përballën me fenomenin e desocializimit. Ky fenomen erdhi si pasojë e veçimit të të rinjve nga jeta e përditshme sociale dhe zhytja në realitetin virtual. Pra periudha e tretë është faza në të cilën media sociale ka nxitur efektin negativ, të njohur si desocializimi, kryesisht tek të rinjtë. Madje rritja e varësisë nga media sociale dhe ç’orientimi që ajo jepte si efekt do të perifrazohej me shprehjen “Brainrot”, e cila do të konsiderohej edhe si termi më i përdorur i vitit 2024. Por si të mbrohemi prej kësaj varësie dhe pasojave që ajo sjell në ditët tona dhe në ambientin social ku ne jetojmë? A mos duhet të kufizohet në masë të madhe aksesi në mediat sociale derisa përdoruesit të ndërgjegjësohen për pasojat që sjell frekuentimi i saj pa kriter? Apo duhet ndërmarrë një politikë më ndërgjegjësuese dhe edukuese mbi përdorimin e platformave sociale?
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare: Nga pilotimi në zbatim”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
