
“Roli i mendimit kritik mbi median dhe informacionin në epokën digjitale”
Kledisa Jakupllari
Jetojmë në një periudhë, ku burimet e informacionit janë të shumta në numër dhe lehtësisht të aksesueshme, mjafton që ti të zotërosh një telefon dhe rrjete sociale. Informacionet janë aq të shumta në numër, sa shpesh herë ne bëhemi konfuzë nëse ajo çfarë ne po lexojmë është e vërtetë apo jo.
Jo rrallë herë prindërit tanë na kanë treguar diçka që kanë parë në Facebook, e kanë menduar se ajo është e vërtetë. E ndoshta në ato momente ne mund të kemi menduar për çdo rast, që kemi marrë për të mirëqënë, atë çka na është servirur nga rrjetet sociale. Dhe është qesharake, se si ky reflektim vjen fill, pasi kemi menduar se si prindërit tanë besojnë çdo gjë që shikojnë, pa kuptuar se dhe ne si ata po besonim çdo gjë që shikojmë ose lexojmë. E më pas mund të kemi pyetur veten, se si mund të bëjmë diferencën midis një informacioni të vërtetë apo të rremë.
E për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, na ndihmon mendimi kritik. Ku mendimi kritik, sipas Universiteti të Louisville, është përshkruar si një aftësi për të pyetur; për të pranuar dhe testuar supozimet e mbajtura më parë; për të njohur paqartësitë; për të shqyrtuar, interpretuar, vlerësuar, arsyetuar dhe reflektuar; për të marrë gjykime dhe vendime të informuara. Ndryshe me fjalë më të përmbledhura, Terry L. Gilmour mendimin kritik e ka përcaktuar si, mbledhjen dhe analizimin e informacionit për të bërë një gjykim racional.
Sipas një studimi të bërë nga Pearson Institute and The Associated Press-NORC Center, 91% e individëve që kishin marrë pjesë në studim besonin se shpërndarja e informacioneve të pavërteta, është një problem i madh; 71% besonin se kishin qënë të ekspozuar përballë një informacioni të rremë, e nga ky grup 41% prej tyre besonin se vetë ata kishin shpërndarë informacione të rrema; 77% prej tyre besonin se informacionet e rrema promovojnë krime të ndyshme, kryesisht të motivuara nga feja, raca ose gjinia.
Pra siç u përmend edhe pak më sipër, shpërndarja e informacioneve të rreme në ditët e sotme nëpërmjet medias është shumë e lehtë. Sot gjithsecili prej nesh ka lirinë që të shkruajë diçka dhe ta publikojë atë. Problemi qëndron tek përmbajtja që ky informacion i rremë ka, si dhe tek dëmet që ato i shkaktojnë shoqërisë sonë, sidomos nëse ai ka të bëjë me shëndetin apo problemet sociale. Nëse ndodh që disa lajme të rreme dhe të pabaza të shpërndahen, ato do të kontribuojnë në përhapjen e kaosit dhe të konfuzionit në shoqëri. Ndaj është shumë e rëndësishme që të gjithë ne të kemi të zhvilluar mendimin kritik, sidomos në një botë si kjo e jona, ku teknologjia po përparon gjithnjë e më shumë, duke e bërë mendimin kritik një nevojë të domosdoshme.
Por si mund ta përmirësojmë mendimin kritik?
Për të zhvilluar këtë aftësi, ne duhet të ndjekim disa taktika; së pari, ne duhet të kërkojmë burime të pavarura dhe të krahasojmë informacionin nga disa perspektiva, e kjo do na ndihmonte të kemi një pamje më të plotë.
Së dyti ne duhet të edukojmë veten, për sa i përket taktikave të manipulimit që përdor media. Duhet të theksojmë se edukimi mediatik, ashtu sikurse dhe njohuritë mbi teknologjinë e inormacionit, janë mjete shumë të rëndësishme, që na ndihmojnë të identifikojmë dhe shmangim manipulimin. Për fat të keq në
Shqipëri edukimi mbi median, pothuajse nuk ekziston, çka e bën akoma edhe më të vështirë, për shoqërinë tonë, diferencimin e informacionit që na jepet nga media.
Mendimi kritik mbi median dhe informacionin është çelësi për të qenë qytetarë të përgjegjshëm dhe të informuar, në një botë ku informacioni mund të jetë jo vetëm një mjet fuqie, por edhe manipulimi. Vetëm duke analizuar me kujdes, duke pyetur dhe duke sfiduar burimet, mund të kuptojmë të vërtetën përtej asaj se çfarë na paraqitet.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare: Nga pilotimi në zbatim”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
