Tri fytyrat e kaosit digjital
Nga Irena Myzeqari
Nga Gutenbergu te ZuckerBergu duket se bota ka ndryshuar për të mbetur njëlloj. Pavarësisht epokës, njeriu i mesjetës, i botës moderne apo post-moderne, ka nevojë të informohet dhe të komunikojë. Por nëse Bergu i parë, e çliroi informacionin prej ngurtësisë së pergamenave, Bergu i dytë i ka dhënë gjithkujt mundësinë të ndihet i plotfuqishëm prej zotërimit, publikimit dhe diseminimit të informacionit nga një skutë e globit, në të gjithë anët e tij.
Për Richard Hornik, kjo omnipotencë nuk vjen pa të liga. Sipas tij, sot e vështirë të dallosh a të ndash të vërtetën nga faktet e fabrikuara, sepse teknologjia i ka bërë të gjithë viktima të garës së shpejtësisë. Ne duam informacion, e duam shpejt, e duam tani! Por në garën midis shpejtësisë dhe cilësisë, kjo e dyta nuk ka mundësi tjetër veç të bëhet kurban i epokës digjitale, duke krijuar kushtet ideale për një botë kaotike, kaos i cili tingëllon e projektohet më i frikshëm se ai i Parakrijimit, më i frikshëm se ai i Dekikës përfundimtare.