
Dezinformimi dhe edukimi për mediat dhe informacionin: Minimi i besimit në institucionet shoqërore
Mishel Mita
Kohët e fundit, përdorimi i fjalës “dezinformim” ka ardhur në rritje në sferën publike në Shqipëri. Nga një fjalë pak e njohur e me gjasë e përdorur në rrethe të ngushta akademike, tashmë ajo tingëllon e dëgjuar për shumë qytetarë shqiptarë, edhe pse shumë pak mund ta kuptojnë thelbin e saj. Fatmirësisht po flitet më tepër mbi këtë temë, por fatkeqësisht kjo vëmendje e shtuar nuk ka ardhur si rezultat i edukimit mediatik në rritje, por si pasojë e një mjedisi toksik dhe kaotik të krijuar në hapësirën mediatike online që zhvillohet paralelisht thuajse në çdo vend të botës, por që në Shqipëri merr përmasa më të mëdha, si rrjedhojë e një niveli të ulët të edukimit mediatik në përgjithësi.
“Dezinformimi” përdoret tashmë rëndom në hapësirën mediatike shqiptare, që nga përcjellja e ethshme e ngjarjeve botërore, të tilla si agresioni rus në Ukrainë apo zgjedhjet presidenciale në SHBA e deri tek politika e ditës, ku shumë figura politike sa herë që u thuhet diçka që nuk u shkon me atë që propagandojnë, e etiketojnë menjëherë si “dezinformim”. Pra flitet shumë për dezinformimin dhe një sërë fenomenesh të lidhura me të, por aspak mbi fenomenin më të rrezikshëm në terma afatgjatë, atë të minimit të besimit të individëve tek institucionet shoqërore, apo të lëkundjes së besimit te praktikisht çdo gjë sot. Për ta kuptuar se përse diçka e tillë është kaq shqetësuese, le të ndalemi shkurtimisht te disa prej institucioneve kryesore shoqërore që kanë rënë pre e dezinformimit. Me institucione shoqërore nënkuptojmë “Struktura dhe organizata që formojnë themelet e funksionimit të shoqërisë, duke ndikuar në mënyrën si njerëzit bashkëpunojnë, komunikojnë, dhe ndërveprojnë”. Më konkretisht do të ndalemi në tre grup-kategori kryesore:
Qeveria, politika dhe institucionet publike: Në fakt, të nisësh diskutimin e rënies së besimit publik te qeveria si pasojë e dezinformimit është pak problematike për kontekstin shqiptar. Kjo jo vetëm për faktin se shpesh qeveria shqiptare është vetë burim dezinformimi (Zguri, 2023)1, por edhe për vetë zhvillimet demokratike përgjatë tranzicionit në Shqipëri, ku si në shumë vende të tjera ish-komuniste qeveria ka dështuar të jetë një burim i paanshëm i së vërtetës, duke mos arritur të bëjë ndarjen e shtetformimit nga retorika politike. Ndaj, ende pa filluar dezinformimi në media, qytetarët shqiptarë kishin rezerva ndaj të vërtetave që komunikonte qeveria si pjesë e retorikës politike, por mediat sociale i dhanë kësaj dukurie një dimension tjetër. Pandemia e Covid-19 është shembulli ideal për të ilustruar këtë situatë.
E ndodhur përpara një situatë emergjence të pashembullt, me shfaqjen e rastit të parë të infektuar, qeveria shqiptare adaptoi masat që shumë qeveri të tjera në botë po ndërmerrnin; karantinim, vendosje maskash, distancë sociale dhe më vonë, nisjen e programit të vaksinimit. Veç momenteve të para të panikut, ku instiktivisht të gjithë iu bindën rregullave të imponuara në këtë situatë të jashtëzakonshme, me kalimin e javëve të para filloi një tendencë në rritje mosbesimi tek masat ndaj pandemisë, raportimeve të qeverisë, efektshmërisë së vaksinave, madje edhe te vetë ekzistenca e virusit. Kjo tendencë u përforcua dita-ditës në muajit në vijim dhe rezultoi në shkelje të hapur të masave, refuzim të vaksinimit dhe më shumë humbje jetësh e fatalitete ndër personat e infektuar. Ky është një ndër shembujt më tragjikë të pasojave të përhapjes së dezinformimit mbi COVID-19 dhe vaksinimit në shoqërinë shqiptare, i cili u ndihmua në masë edhe nga mosbesimi ndaj institucioneve publike dhe qeverisë. Kjo klimë u krijua mbi të gjitha nga lajmet e rreme në mediat sociale, shpërndarja e teorive anti-covid dhe informacioni i paverifikuar që qarkullonte kudo lirshëm në mediumet shqiptare. Të ndodhur përballë këtij realiteti, pa asnjë set aftësish të edukimit mediatik dhe atij kritik, si dhe në mungesë të njohjes së taktikave të dezinformimit, një pjesë shumë e madhe e shoqërisë shqiptare i mori për të mirëqëna këto informacione, i shpërndau dhe i bëri pjesë të opinionit vetjak. Kjo klimë mosbesimi nuk u kufizua vetëm me ngjarjet atipike të pandemisë, por apatia shtrihet tek e gjithë klasa aktuale politike në vend, ku qytetarët shqiptarë, me të drejtë, të zhgënjyer nga zhvillimet e tranzicionit shënojnë normat më të ulëta të besimit tek klasa politike në sondazhe (IDM, 2023)2. Edhe pse në nivele të caktuara kjo mund të jetë e justifikuar, një situatë e tillë është e rrezikshme për zhvillimin normal të një shteti demokratik. Për më tepër, ky mund të jetë edhe një ndër faktorët kryesorë të mosndryshimit të elitave politike në vend, pasi qytetarët shqiptarë shfaqin automatikisht nivele të larta të mosbesimit për çdo kandidaturë të re, siç po vërehet edhe në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2025.
Media tradicionale dhe mediat e reja: Mediat tradicionale si televizioni, radiot apo gazetat kanë qenë prej kohësh burimi kryesor i informacionit në kushtet e ekzistencës së pak mjeteve të informimit, ashtu siç edhe janë përdorur për qëllimi propagandistike dhe manipuluese nga aktorë të ndryshëm, për interesa të ngushta. Megjithatë, deri para pak vitesh televizioni gëzonte “monopolin e së vërtetës” dhe ajo çfarë thuhej dhe raportohej aty diktonte opinionin publik dhe zhvillimet shoqërore. Diçka e tillë sigurisht që shoqërohej edhe me abuzime, por së paku qytetarët kishin një institucion ku mund të drejtoheshin për të qartësuar mendimet e tyre, në një botë gjithnjë e më të komplikuar. Në realitetin e mediave digjitale ky institucion jo vetëm që u shemb, por edhe e vërteta u nëpërkëmb, duke kaluar në plan të dytë. Interesi publik ia la vendin interesit për vëmendje, reklamave dhe klikimeve që gjenerojnë të ardhura dhe e vërteta u zëvendësua me gjysmë të vërteta, në rastin më të mirë dhe nga manipulimi i pastër në rastin më të keq. Numri i limituar i mediave tradicionale u zëvëndësua nga një numër i pakontrolluar i faqeve të tipit “portale”, ku çdokush mund të shkruajë për çdo gjë, pa asnjë kualifikim, pa asnjë filtër dhe verifikim, si dhe mbi të gjitha pa përgjegjësi personale në kushtet e një anonimati të plotë. Teksa synohej liria absolute e fjalës dhe shpëtimi nga censura, kjo situatë e re krijoi një kaos informimi, ku e pavërteta është vështirë të dallohet nga e vërteta dhe ku qytetarët, të gjendur përballë një situatë të tillë, priren të mos besojnë më askënd dhe të jenë indiferentë ndaj asaj çfarë ndodh e thuhet. Në tërësi kjo përbën kërcënimin me serioz të qytetarisë aktive dhe të pjesëmarrjes, elementë që garantojnë ekzistencën e lirisë dhe demokracisë. Ndaj edhe tendencat në rritje autoritariste kudo sot në Evropë e më gjerë nuk janë rastësore.
Shkenca dhe teoritë konspirative: Krahas infektimit të institucioneve politike dhe mediatike, keqinformimi ia doli të depërtonte edhe tek arsimi e shkenca, institucione me një pozitë shumë më të respektuar në mesin e shqiptarëve dikur. Nga një shoqëri e paarsimuar në masë si trashëgimi e periudhës osmane, shqiptarët historikisht kanë qenë të etur për shkollim dhe dije, një tendencë kjo që u theksua sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, me krijimin e kushteve për ndërtimin e më shumë institucioneve arsimore në vend. Një etje që i dha formë idealizimit që shoqëria shqiptare i bëri “shkollës” dhe “njeriut me shkollë”, si një individ i ditur, qytetar, me kulturë dhe me besueshmëri të lartë në komunitet. Kjo shoqërohej sigurisht edhe me arsye pragmatike, ku arsimimi siguronte punë më pak të lodhshme nga ana fizike dhe me më shumë të ardhura, gjë që garantonte në tërësi një nivel jetese më të mirë. Teksa ky pragmatizëm vazhdon ende në Shqipëri, ajo që pushoi së ekzistuari ishte besimi absolut dhe i pakontestueshëm tek arsimi si model zhvillimi dhe bindja ndaj njohurive shkencore. Nisur edhe nga nivelet e larta të korrupsionit në arsim dhe postet shkencore pas viteve ’90 e sidomos nga dezinformimi që tanimë konteston hapur çdo gjë shkencore, shoqëria shqiptare (masa dërrmuese) priret të mos besojë më atë çfarë mësohet nëpër institucione akademike dhe shkencore, duke i etiketuar si mashtrime, gënjeshtra dhe gjysmë të vërteta për interesat e një grupi të ngushtë. Kjo qasje merr forma nga më kreativet me skenarët konspirativë për çdo zhvillim që përjetojmë sot, që me fantazinë e tyre krijojnë një version “Netflixi-shqiptar”. Qarkullimi i ideve abuzive dhe të paprovuara shkencërisht, por që u ofrohet kudo hapësirë mediatike, fillon që nga tezat lokale se si shqiptarët janë populli më i vjetër në botë, për të përfunduar tek teoritë për një komitet të fshehtë botëror që drejton punët e gjithë botës, duke përcaktuar edhe zhvillimet më periferike. Është e vërtetë që fenomene të tilla ndodhin kudo sot, por masa e njerëzve që besojnë në to në Shqipëri është shumë më e madhe, duke pasur një ndikim domethënës në zhvillimet në vend. Sipas një studimi ndërkombëtar të BIEPAG3, Shqipëria mban vendin e parë në Ballkan për shkallën e “infektimit” nga teoritë konspirative. Në këtë situatë, është shumë e vështirë të diskutosh edhe për gjërat më të thjeshta duke u mbështetur mbi fakte dhe të dhëna shkencore, pasi ato kontestohen, anatemohen dhe përbuzen, në një realitet të ri ku nuk ekziston më objektivja, por vetëm përvoja subjektive.
Në përfundim, nëse duam ta shohim problemin e dezinformimit në një pikëpamje holistike në terma afatgjatë, për të kuptuar se si ai po i jep formë një realiteti të ri që Matthew d’Ancona e identifikon me termin “post truth”, mjafton të përmendim vetëm nivelin e besimit tek këto tre institucione shoqërore, për të kuptuar ndryshimet strukturore që shoqëria shqiptare po përjeton sot. Një shoqëri e cila nuk beson në asnjë institucion publik dhe politik, një shoqëri e cila nuk beson më as mediat dhe as shkencën, është një shoqëri që ka humbur besimin tek vetvetja.
1 Rrapo Zguri, Edukimi për mediat dhe informacionin, 2023.
2 Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), Besimi në qeverisje: Sondazhi i opinionit publik 2023
3 Balkans in Europe Policy Advisory Group (BIEPAG). The Suspicious Virus: Conspiracies and COVID-19 in the Balkans. 2020.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare: Nga pilotimi në zbatim”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
