Dezinformimi: si e kuptoj e si dua ta luftoj?
Lazarino Pjetri
Dezinformimi është një nga sfidat kryesore të kohës sonë. Ndonjëherë mund të duket se është kudo rreth nesh. Nga takimet familjare ku zhvillohen diskutime të nxehta mbi politikën, shoqërinë dhe madje edhe për politikat ndërkombëtare. Nuk janë vetëm individët në internet ata që krijojnë dhe përhapin dezinformata herë pas here. Shtetet e huaja, veçanërisht Rusia dhe Kina, kanë përdorur sistematikisht dezinformimin dhe manipulimin e informacionit për të mbjellë ndarje brenda shoqërive tona dhe për të minuar demokracitë tona, duke gërryer besimin në sundimin e ligjit, institucioneve publike, në shoqërinë civile dhe veçanërisht në media.
Dezinformimi dallon qartazi nga cilësia e gazetarisë dhe qarkullimi i informacionit të besueshëm që përputhet me standartet dhe etikën profesionale. Megjithatë dezinformimi ose keqinformimi quajtur ndryshe dhe të ngjashmet e tij, nuk janë të reja, por janë bërë gjithnjë e më të fuqishme pasi ushqehen nga teknologjitë e reja dhe të shpejta nëpërmjet shpërndarjes në internet. Pasoja është se keqinformimi i ushqyer në mënyrë dixhitale, në kontekste polarizimi, rrezikon të eklipsojë gazetarinë cilësore dhe të vërtetën.
Gjithnjë e më shumë, strategjitë për të luftuar dezinformimin janë më sociale dhe edukative në karakterin e tyre për të garantuar që e drejta për lirinë e shprehjes të mos cenohet nga dispozita ligjore tepër të gjera, të cilat kriminalizojnë ose në çfarëdo mënyre shprehen frikshëm. Pra dezinformimi është informacion falso i cili ka për qëllim të manipulojë, veçanërisht propaganda të iniciuara nga qeveria në drejtim të palës rivale ose drejt medias. Gjithmonë ka pasur lajme të rreme, por nëse informacioni i pasaktë qarkullohet pa dashje, atëherë nuk është i rrezikshëm. Në gjuhën e përditshme, ky mund të jetë një raport i rremë gazete ose dezinformimi. Disa lajme mashtrimi mund të jenë edhe qesharake, është aq e ekzagjeruar dhe e theksuar saqë është lehtësisht e dallueshme si ajo që synohet të jetë: satirë. Informacioni falso dhe manipulues behet i rrezikshëm, kur objektivi i tij është të mashtrojë ose të ndikojë qëllimisht te njerëzit dhe ai shpërndahet në mënyrë të synuar. Më pas ky quhet dezinformim. Prandaj, qëllimi që qëndron pas tij është ndryshimi thelbësor midis dezinformimit dhe “fake news”.
Dezinformimi mund të jetë një rrezik real; nuk është e lehtë të identifikosh dezinformimin e synuar për atë që është: ndonjëherë janë lajme të nxjerra qëllimisht jashtë kontekstit, të ekzagjeruara ose me informacion thelbësor të hequr, të gjitha të japin një përshtypje të rreme. Dhe jo gjithmonë përfshin tekst, imazhet dhe videot tani janë gjithashtu gjithnjë e më të lehta për t’u manipuluar, ka gjithashtu përpjekje për të portretizuar realitetin në një mënyrë thelbësisht të shtrembëruar – për shembull, duke nxjerrë figura ose citime jashtë kontekstit, duke paraqitur një opinion të pakicës si shumicë ose duke manipuluar artificialisht shtrirjen e një lajmi. Kohët e fundit ka pasur fushata dezinformuese të synuara drejt qytetarëve me qëllim përdorimin e pandemisë Covid-19 si përhapje të frikës, panikut dhe teorive të ndryshme konspirative. Ky lloj dezinformimi është i rrezikshëm sepse objektivi i tij është qartazi të përçajë shoqërine tonë. Qëllimi i tij është të shkaktoje dëme, të intensifikojë konfliktet dhe debatet ekzistuese, të minojë besimin në institucionet shtetërore dhe të nxise zemërim në përgjithësi.
Për të kuptuar se si të luftojmë dezinformimin, është e dobishme që së pari të kuptojmë se si përhapet ai. Me ardhjen e epokës së internetit, informacioni përhapet me një click të mouse-it. Por tre janë shkaqet më kryesore dhe shqetësuese që mundësojne përhapjen e dezinformimit: 1) Rënia e modeleve tradicionale të biznesit; – si rezultat i rënies së shpejtë të të ardhurave nga reklamat dhe dështimit të reklamave dixhitale për të gjeneruar fitime,redaksitë tradicionale janë duke “gjakosur” audiencën me reklama on-demand nga sponsorat pa u interesuar ne lidhje me vërtetësine e përmbajtjes. 2) Transformimi dixhital i redaksive dhe mënyra e dhënies së lajmeve; – me zhvillimin e dukshëm të epokës së informacionit, ka një transformim dixhital kolosal në industrinë e lajmeve, ky transformim bën që gazetarët të përgatisin përmbajtje për platforma të shumta, duke kufizuar aftësinë e tyre për të pyetur apo verifikuar sic duhet faktet. Shpesh gazetarët zbatojnë një parim të “botimit të parë social” sipas të cilit historitë e tyre postohen drejtëpërdrejtë në mediat sociale për të përmbushur kërkesat e audiencës në kohë reale. Kjo, nga ana tjetër, promovon praktikat e klikimeve dhe ndjekjen e “viralitetit” në krahasim me cilësinë dhe saktësinë. 3) Krijmi i ekosistemeve të reja të lajmeve; – me rritjen e aksesit në audiencën online si rezultat i mediave online, përdoruesit mund të krijojnë përmbajtjen dhe rrjetin e tyre të besimit, brenda të cilave mund të përmbajë informacione të pasakta, të rreme, keqdashëse dhe propagandistike të cilat mund të përhapen pa kriter.
Secili prej nesh mund të bëjë diçka për të luftuar dezinformimin. Dezinformimi përhapet shumë shpejt dhe në mënyrë të pa kontrolluar në internet, se sa ishte në epokën analoge. Në rrjetet sociale, gjithçka mund të përcillet, pëlqehet dhe komentohet Brenda pak sekondash, dhe është shumë më e lehtë dhe më e lirë për individët që të përhapin vetë dezinformimin: pothuajse të gjithë tani kanë një llogari në media sociale dhe për këtë arsye kanë mundësinë të krijojnë dezinformata dhe ta bëjnë atë të aksesueshme për një publik të gjerë.
Për të dalluar dhe luftuar dezinformimin duhet të jemi të vëmëndshëm dhe të vëmë re disa detaje kritike që nxjerrin zbuluar lajmet fallco: Duhet të shikojmë për 1) Burime të dyshimta ose të paqarta – nëse një meme, një artikull ose një video nuk tregon qartë se nga vjen informacioni, atëherë ky është një “red flag” i madh. Një citim nga një personalitet i shquar, për shembull duhet të publikohet në një media të besueshme dhe të referohet tek burimi i lajmit. 2) Gabimet drejtshkrimore dhe shenjat e pikësimit – janë shpesh herë një shenjë për dezinformim. 3) Videot që u mungon konteksti dhe janë të edituara; 4) Click-bait – linqet qe shpesh gënjejnë me me tituj bombastikë për të marrë klikime që konvertohen në lekë, dhe së fundi 5) Websitet fallso të internetit – të cilat janë në mënyrë të frikshme të ngjashme me origjinalin dhe shpesh duken të besueshme nga emri, por nga përmbajtja kanë qëlllime negative, këtu këshillohet te kontrollohet nëse në fund të emrit ka .org ose .com te cilat zakonisht jane zyrtare.
Ndryshimi fillon nga ne, prandaj duhet të jemi të vëmendshëm dhe të mendojmë dy herë dhe të mos besojmë çdo gjë që lexojmë ose shohim menjëherë.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Zhvillimi i Edukimit për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
