Edukimi për Median dhe Informacionin në Sistemin Arsimor Shqiptar: Mësimet e Deritanishme dhe Hapat e Mëtejshme
Sot zhvilluam tryezën e rrumbullakët përmbyllëse të projektit: “Krijimi i besimit në media në Europën Juglindore: Mbështetje për gazetarinë si e një e mirë publike”, ku u prezantuan gjetjet kryesore të raportit mbi integrimin e edukimit për median dhe informacionin në arsimin parauniversitar.
Takimi mblodhi përfaqësues të ASCAP-it, mësues, drejtues shkollash, gazetarë dhe ekspertë të arsimit për të reflektuar mbi progresin e arritur, si edhe për të diskutuar prioritetet e ardhshme.
Një nga mësimet kryesore të deritanishme është se EMI po jep rezultate konkrete në zhvillimin e aftësive të larta të të menduarit, aftësive për verifikimin e informacionit dhe rritjen e ndërgjegjësimit ndaj dezinformimit. Raporti konfirmon se integrimi i EMI-t në procesin mësimor ka krijuar baza të rëndësishme për ndërtimin e kompetencave që kërkon shoqëria e sotme.
Në të njëjtën kohë, diskutimet nxorën në pah se sfidat po evoluojnë me shpejtësi. Inteligjenca Artificiale po transformon mënyrën si prodhohet, shpërndahet dhe konsumohet informacioni. Kjo shoqërohet me mundësi, por edhe me rreziqe që lidhen me dezinformimin, plagjiaturën, mësimin sipërfaqësor, si edhe përdorimin etik të teknologjisë.
Hapat e mëtejshëm kërkojnë një qasje më të strukturuar dhe afatgjatë. U theksua nevoja për forcimin e mëtejshëm të edukimit për median dhe informacionin në sistemin arsimor, si edhe reflektimin e edukimit për Inteligjencën Artificiale në strategjitë dhe politikat arsimore kombëtare.
Në këtë kuadër, @ASCAP rikonfirmoi përkushtimin institucional për të mbështetur përditësimin e standardeve, zhvillimin e kurrikulës dhe fuqizimin e mësuesve, në mënyrë që sistemi arsimor t’u përgjigjet në mënyrë efektive sfidave të reja të epokës digjitale.
Takimi u zhvillua në kuadër të projektit “Krijimi i besimit në media në Evropën Juglindore: Mbështetja e gazetarisë si një e mirë publike”, financuar nga UNESCO Office Venice dhe Bashkimi Evropian, dhe zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias në bashkëpunim me ASCAP.








