E besova dhe e pësova!
Emili Muçobega
A keni lexuar një lajm në rrjetet sociale, që e keni besuar, e më pas e keni pësuar?!
Sot vendosa të shkruaj për ndikimin e keqinformimit në rrjetet sociale tek të gjithë ne. Sa shumë informacione të pavërteta dhe lajme të paverifikuara gjenden sot në platformat online, të cilat përdoren gjerësisht nga të rinjtë të tilla si, Instagram, Tik Tok, Facebook, etj. Mendoj se çdo person që po e lexon këtë shkrim, përfshirë këtu edhe mua që po e shkruaj, mund të jetë ndeshur të paktën një herë me një keqinformim në këto platforma online.
Tradicionalisht lajmet i kemi marrë nga burime të besuara, si gazetarët profesionistë dhe mediat televizive, të cilët e kanë detyrim të ndjekin kodet e etikës dhe standardet e profesionit, si edhe legjislacionin përkatës. Ndërsa, interneti sot ka mundësuar një realitet të ri të publikimit të informacionit, i cili shkel çdo kod apo standard të mundshëm. Shumë prej nesh sot i marrim lajmet nga faqet në internet dhe rrjetet sociale, ku shpesh herë nuk mund ta kuptojmë se sa i vërtetë është ky informacion.
Këtu mund të përmendim rastin e dy gazetarëve shqiptarë dy vite më parë, në 23 Shtator 2019. Gazetarët, përmes platformës së tyre online transmetuan lajmin se një tërmet me magnitudë mbi 6 shkallë pritej të godiste rajonin e Tiranës rreth orës 23:30. Ky lajm i rremë u publikua në platforma të shumta online në rrjete sociale si Instagram, Facebook, Tik-Tok, etj. Në këto lajme gazetarët shkruanin dhe publikonin thirrje drejt popullatës që të linin shtëpitë e tyre përpara se mesnata të vinte. Besoj se e mbani mend! Unë isha ndër të parët banorë që së bashku me familjen time, kryesisht për shkak të frikës, por edhe nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti i një dite më parë, u larguam nga banesa jonë drejt një qyteti në jug të vendit. Paniku, frika dhe ankthi që të gjithë ne përjetuam nga ky lajm i rremë ishte një arsye e mjaftueshme që portalet e këtyre “gazetarëve” të mbylleshin e të bëheshin shembull për shumë e shumë të tjerë. Ndjesia që unë përjetova nga ai lajm i rremë ka lënë shenjë në mendjen time që nga ajo ditë…
Lufta kundër keqinformimit është shumë e vështirë, pasi është një proces i ndërlikuar, që nuk mund ta luftojmë të vetëm, por me bindje të plotë mund të them se pasojat që sjell janë shumë të dëmshme. Gjithashtu, këto keqinformime mund të kanalizohen në një mënyrë të rrezikshme për fëmijët dhe të rinjtë, që mund të binden dhe të marrin pikëpamje të shtrembëruara për botën. Si rrjedhojë, kjo mund t’u shkaktojë atyre një dëm të madh në perceptimin e botës reale. Ajo që një fëmijë apo një i ri sheh në rrjetet sociale mund të formësojë mënyrën se si ai apo ajo e shikon botën duke ndikuar në mirëqenien e përgjithshme.
Po si shpërndahet keqinformimi?
Sipas mendimit tim, kjo temë përfshin gjerësisht median online dhe platformat e shpërndarjes së videove, lojrave, forumeve online apo edhe seksionet e komenteve ku shpeshherë përballem me persona që shpërndajnë informacione të pavërteta e të pabazuara në fakte.
Në një prej studimeve të tij profesor Tom Buchanon, pedagog në departmentin e psikologjisë, në Universitetin e Westminster në Londër, argumenton se individët që hasin informacion të rremë në rrjetet sociale mund ta përhapin atë më tej në mënyrë aktive, duke e ndarë në platformat e tyre online ose duke u angazhuar në mënyra të tjera alternative. Pjesa më e madhe e përhapjes së keqinformimeve mund t’i atribuohet veprimit njerëzor. Në studimin e tij profesor Buchanon, shton se gjasat më të mëdha për të ndarë keqinformimin vijnë nga individë, të cilët nuk kanë njohuri të mëparshme lidhur me materialin apo informacionin që kërkojnë.
Disa njerëz nuk e kuptojnë vërtetësinë e një informacioni dhe pasojat i vuajnë rëndë. Këtu dëshiroj të ndaj me ju eksperiencën e një mikeshës time, e cila e bindur dhe me vullnetin e saj, ndoqi një dietë të njohur që e kishte gjetur nga një faqe në Instagram. Dëshira për të humbur disa kilogramë në një kohë të shkurtër i kushtoi rëndë. Kjo dietë e krijuar nga një pseudo – dietolog anonim nuk ishte një zgjidhje për problemin e peshës së saj, pasi në mënyrë agresive i lindën probleme më të mëdha shëndetësore. Uria ishte vendimi më i keq që ajo mund të ndërmerrte dhe aq më tepër e sugjeruar nga një faqe Instagrami, ku nuk dihet kush qëndron pas saj.
Pasi e aplikoi dietën për rreth një javë, fatkeqësisht mikesha ime krijoi një problem të ri shëndetësor. Gjendja e saj ekzistuese u përkeqësua dhe iu desh të merrte mjekime për gastritin. Të eksperimentosh dhe të abuzosh me informacione të sajuara dhe jo reale është e lehtë, por ndikimi negativ që ato shkaktojnë në botën reale mbetet një sfidë. Është e rëndësishme të theksojmë se keqinformimi është shumë i rrezikshëm dhe se redaksia e lajmeve apo personat që marrin informacione nga rrjetet sociale duhet të shqyrtojnë burimin përpara se të lexojnë përmbajtjen. Këtë gjë duhet ta bëjmë të gjithë, pasi burimi dhe vërtetësia e një materiali janë hapi i parë për të kuptuar me çfarë informacioni po ndeshemi.
Termi problematik fake news (lajm i rremë) ka çuar në një përhapje të madhe të keqinformimeve në mbarë botën. Njerëzit duhet të edukohen rreth teknikave bindëse që përdoren për të analizuar një burim informacioni të sigurtë. Vërtet kjo nuk është e lehtë, ama mendoj se një ide e mirë është edhe shtimi në kurrikukat shkollore i disa orëve përkatëse ku të rinjtë të mësojnë se si të ndajnë burimet fake nga ato reale.
Për ta përmbyllur, rrjetet sociale janë një kanal i rëndësishëm i shpërndarjes së informacionit, por gjithashtu kanë kontribuar në përhapjen e keqinformimeve. Nga njëra anë përhapja e keqinformimeve në rrjetet sociale e mashtron publikun dhe e shtyn atë të marrë vendime të gabuara. Nga ana tjetër, ajo sjell edhe kërcënime të mëdha për shëndetin fizik, mendor dhe ekonomik. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë karakteristikat e përhapjes së keqinformimeve në rrjetet sociale. Duhet të sigurohemi për referencën e informacionit që klikojmë dhe të analizojmë në mënyrë kritike përmbajtjen e tij. Prandaj, që të mos besosh dhe mos ta pësosh, duhet të analizosh!
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Zhvillimi i Edukimit për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
