Sunday May 18, 2025
Kontakt
EMI-MIL EMI-MIL
  • Home
  • Rreth Nesh
    • Projekte
    • UNESCO
  • Mjete & Burime EMI
    • Botime
    • Libra & Artikuj
    • Udhëzues & Manuale
    • Video
    • Kurse Online
    • Blogu AkadEMI
    • Studentët për edukimin mediatik
  • EMI baze
    • Edukimi bibiotekar
    • Edukimi për lajmet
    • Edukimi për informacionin
    • Edukimi për lirinë e shprehjes dhe të informimit
  • EMI Teknologji
    • Edukimi për botën dixhitale
    • Edukimi për përdorimin e internetit
    • Edukimi për përdorimin e kompjuterit
    • Siguria fillon nga njohuria
  • EMI Multimedia
    • Edukim për botën e lojrave
    • Edukim për botën e televizionit dhe të reklamës
    • Edukimi për fushën e filmografisë
  1. Home
  2. Studentët për edukimin mediatik
  3. Konkurrenca për vëmendje ka zhdukur konceptin e etikës në media
 Konkurrenca për vëmendje ka zhdukur konceptin e etikës në media
Studentët për edukimin mediatik

Konkurrenca për vëmendje ka zhdukur konceptin e etikës në media

December 10, 2024
  • 1
    Facebook

Xhensila Dautllari

Për të folur rreth etikës në media dhe sfidave që hasim për ta ruajtur atë, si fillim duhet të kemi parasysh se çfarë është etika si koncept i mëvetësishëm. Sipas përkufizimit të Enciklopedisë Stanford të Filozofisë (Stanford Encyclopedia of Philosophy), etika është studimi i parimeve dhe normave që udhëheqin sjelljen njerëzore, duke përcaktuar se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar, çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Në media, etika merr një rëndësi të veçantë, ndërkohë që teknologjia zhvillohet në mënyrë dinamike, e po me të njëjtin ritëm evoluojnë edhe mënyrat e prodhimit dhe transmetimit të përmbajtjeve mediatike. Sipas Kodit të Etikës së Gazetarëve të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (Comittee to Protect Journalists) dhe organizatës ndërkombëtare Reporters Without Borders, etika në media përfshin studimin e parimeve që drejtojnë sjelljen e gazetarëve dhe mediave, duke siguruar që informacioni të jetë i saktë, i paanshëm dhe i drejtë, ndërkohë që respektohen të drejtat e individëve dhe shoqërisë. Në thelb, ky është edhe objektivi i gazetarisë si mision dhe profesion.

Megjithatë, çdo përkufizim mbi etikën mbetet një qasje normative, e kufizuar në kornizën e “si duhet të jetë”, e duke iu ardhur gazetarëve si një lloj udhëzimi për ushtrimin e profesionit të tyre. Vitet e fundit, shkelja e etikës në media është kthyer në një dukuri gati të pashmangshme, duke bërë që çdo lloj diskutimi mbi të të humbasë në rrjedhën e diskutimeve të tjera që i merr era. Mirëpo çfarë e ka sjellë gazetarinë shqiptare në këtë situatë?

Pas rrëzimit të sistemit komunist e njëkohësisht me prurjet e reja teknologjike në tregun mediatik, media shqiptare lulëzoi si kurrë më parë. Koncepti i medias online, i dha gazetarisë një qasje tërësisht të re përsa i përket prodhimit dhe transmetimit të informacionit. Nëse për të patur një medium, jo shumë kohë më parë duhej një institucion fizik, një drejtues dhe një staf i mirëfilltë, ashtu si dhe mjetet përkatëse për realizimin e përmbajtjeve, sot duhet vetëm një domain, ose për ta bërë edhe më të thjeshtë, një llogari në rrjetet sociale. Një lehtësi kaq e madhe në prodhimin dhe shpërndarjen e informacionit bëri që portalet mediatike të pushtonin median shqiptare.

Shqipëria është një vend që nuk i kalon 3 milionë banorë, e megjithatë sot është e pamundur të dimë me saktësi se sa prodhues mediatikë operojnë këtu. Me përafërsi, ekzistojnë rreth 700-800 portale online të shpërndarjes së informacionit, rreth 70-80 kanale televizive kryesore, rreth 40-50 radio dhe vetëm 15-20 gazeta, një pjesë e mirë e të cilave kanë kaluar po online. Në një mjedis të tillë, mediat janë në luftë të vazhdueshme për mbijetesë. Kjo mbijetesë sigurohet vetëm nga vëmendja e konsumatorëve shqiptarë, e

përkthyer në shikime, komente, shpërndarje dhe forma të reja të ndërveprimit, që më pas përkthehen në të ardhura financiare. Nevoja për vëmendje dhe monetizim, si dhe të mbajturit anonim se kush qëndron pas ekranit, ka bërë që etika në media jo vetëm të shkelet, por të zbehet e dalëngadalë të zhduket si koncept.

Shkelja e etikës ndodh që në përzgjedhjen e titullit. Që një artikull të klikohet nga një konsumator kundrejt gjithë morisë përmbytëse të artikujve të tjerë, duhet të ketë një titull sa më tërheqës. Kjo i shtyn gazetarët që jo pak herë të bien pre e clickbait-eve, duke shkaktuar dezinformim.

Një tjetër problem që i çon gazetarët të humbasin profesionalizmin në punën e tyre është koha e limituar. “Të parët për lajmin e fundit” është kthyer tashmë në një fron që lakmohet nga të gjithë drejtuesit e medias. Nëse lajmi yt nuk publikohet i pari, atëherë me shumë gjasë do të humbasë e nuk do të ketë kurrëfarë vlere, pasi nuk do të arrijë deri te audienca. Kjo vë në presion gazetarët që të mbyllin një lajm sa më parë të munden, duke anashkaluar gjetjen e disa burimeve apo verifikimin e informacionit. Diçka e tillë vë në pikëpyetje rolin apo misionin e gazetarisë: a është ende thelbësore të informojmë, apo thjesht të fitojmë para?

Nuk janë pak rastet kur, për hir të një publikimi fitimprurës, gazetarët nuk shkelin vetëm etikën në media, por edhe të drejtat e individëve e moralin njerëzor, duke u shndërruar në makineri robotike që duhet të mbarojnë diçka brenda njëfarë kohe të përcaktuar. Normalizimi i pamjeve ekstreme të kronikës së zezë, i transmetimit të intervistave të panevojshme me njerëz që kanë humbur të dashurit e tyre, i shfrytëzimit të tragjedive për të krijuar histori që ngjallin emocion dhe interes për audiencën, shkon përtej çdo norme etike e morale, jo vetëm përtej parimeve gazetareske.

Një gjendje e tillë kërkon në mënyrë të menjëhershme marrjen e masave për parandalimin e përkeqësimit të kësaj situate. Edukimi mbi median dhe informacionin nuk duhet t’i mëshohet vetëm audiencës, por domosdoshmërisht duhet të jetë një element thelbësor në punën e përditshme të çdo gazetari, reporteri e çdo njeriu që është pjesë e fushës mediatike, në mënyrë që të ruhen e të mos mposhten parimet e gazetarisë cilësore.

Previous post
Next post

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Postimet e fundit

  • Edukimi për median dhe informimin – nga projekt në përparësi e politikës arsimore
  • Inflacioni Mediatik, Paradoksi i Një Strukture
  • Fuqia e Edukimit Mediatik
  • Mendimi kritik për median dhe informacionin
  • Mendimi Kritik për Median dhe Informacionin

Kategoritë

  • Blogu AkadEMI
  • Botime
  • Edukim për botën e televizionit dhe të reklamës
  • Edukimi bibiotekar
  • Edukimi për botën dixhitale
  • Edukimi për informacionin
  • Edukimi për lajmet
  • Edukimi për lirinë e shprehjes dhe të informimit
  • Edukimi për përdorimin e internetit
  • Edukimi për përdorimin e kompjuterit
  • EMI baze
  • EMI Multimedia
  • EMI Teknologji
  • Info
  • Libra & Artikuj
  • Mjete & Burime EMI
  • Projekte
  • Rajoni
  • Siguria fillon nga njohuria
  • Studentët për edukimin mediatik
  • Thirrje
  • Udhëzues & Manuale
  • UNESCO
  • Video
Të Fundit
Libra & Artikuj

Edukimi për median dhe informimin – nga

February 19, 2025
Studentët për edukimin mediatik

Inflacioni Mediatik, Paradoksi i Një Strukture

December 27, 2024
Studentët për edukimin mediatik

Fuqia e Edukimit Mediatik

December 26, 2024
Studentët për edukimin mediatik

Mendimi kritik për median dhe informacionin

December 26, 2024
Postime të ngjashme
Libra & Artikuj

Edukimi për median dhe informimin – nga

February 19, 2025 14 min read
Studentët për edukimin mediatik

Inflacioni Mediatik, Paradoksi i Një Strukture

December 27, 2024 7 min read
Studentët për edukimin mediatik

Fuqia e Edukimit Mediatik

December 26, 2024 8 min read
Kjo platformë është prodhuar në kuadër të projektit të UNESCO-s të financuar nga BE: "Krijimi i Besimit në Media në Evropën Juglindore dhe Turqi, Faza II."
Copyright 2025. All Right Reserved