Po e blejnë të gjithë, do e blej dhe unë!
Anxhela Brahja
Sa shpesh jeni ndikuar nga influencerat apo personazhet publikë të mediave sociale, për ndryshimin e pamjes tuaj të jashtme? Sa shpesh keni blerë produkte, keni ngrënë ushqime që këta influencera apo personazh publikë i kanë reklamuar në profilet e tyre?
Në Shqipëri dhe kudo në botë, media renditet si pushteti i katërt. Nuk është rastësi që ka ndodhur kjo renditje, pasi ky rrjet i madh influencon mënyrën sesi duhet të jetojmë dhe që në të vërtetë duhet të renditet si pushtet i parë. Nëse përmendet fjala “media”, shumica e individëve mund ta lidhin me nënfusha të saj. Duke përmendur media televizive, media sociale, radio, gazeta, revista, libra etj. Shumë individë të tjerë mund ta lidhin me platforma dixhitale ose aplikacione si për shembull: Facebook, Instagram, Whatsapp, TikTok, Twitter, etj.
Tashmë është traditë që gjatë zhvillimit të çdo emisioni televiziv, të cilët mbështetën nga sponsorat, më tepër jepen spotet publicitare sesa vetë emisioni televiziv. Në mënyrë të ngjashme, sapo hapim mediat sociale, një në dy postime hasim reklama të produkteve të ndryshme. Media sociale që në kohën e zbulimit dhe zhvillimit të saj, ka ndihmuar akoma dhe më tepër personazhet publikë, por jo vetëm. Tanimë shumë prej personazheve publikë dhe “influencerat” kanë një llogari private, që në pjesën më të madhe e përdorin për të krijuar një rrjet marketingu. Media ka evoluar me ritme të shpejta, ku ky ritëm ka ndikuar jetën e secilit individ.
Megjithëse, media televizive mund të ketë një audiencë të lartë të moshës së rritur të mesme dhe moshës së tretë, media sociale përbëhet nga një audiencë më e gjerë, duke filluar me grupmoshat si adoleshentë, rinia, mosha e rritur e hershme. Diapazoni i aksesit në media sociale dhe internet i kalon kufijtë e normales, pasi çdo individ e ka tashmë një llogari të thjeshtë në këto platforma. Për këtë arsye, “influencerat” dhe personazhet publikë targetojnë kategorinë e dytë në media sociale, por jo vetëm, me postimet e tyre në llogaritë private. Si rrjedhojë ky target-grup bie ‘pre’ ose ‘viktimë’ e reklamave të shumta, që këta të fundit përdorin për qëllime të përfitimit personal.
Lundrimi në media sociale mendohet të jetë kthyer në një trend social dhe në një farë mënyre ka mundësuar krijimin e varësisë nga të tilla platforma. Duke qenë një kanal komunikimi që nuk njeh kohë dhe kufij, ka sjellë si rezultat, kalimin jo vetëm të kohës së lirë, por edhe për blerjen e produkteve, marrjen e informacioneve të ndryshme, komunikimin me familjarë/të afërm/miq etj. Si rrjedhim, “influencerat” dhe personazhet publikë, e kanë përdorur kohën e shpenzuar nga individë të ndryshëm, si strategji marketingu dhe marrëdhënie me publikun (public relations).
Shfrytëzimi i këtij rrjeti madhështor, ndihmon “influencerat” dhe personazhet publikë, të ndikojnë në vendimet që duhet të marrin individë ndjekës të tyre, për të kryer ndërhyrje estetike apo kirurgjikale, vetëm për arsye se këta persona kanë reklamuar klinikat estetike ku kanë kryer ndërhyrje. Në këtë mënyrë, ata tregojnë se kanë pasur eksperienca të shkëlqyera dhe nuk kanë përjetuar asnjë komplikacion, ku patjetër që mund të ndodhë që disa individë të kenë eksperienca të ngjashme, por harrohet fakti që jo çdo individ bën ndërhyrje të njëjta dhe se jo çdo individ është “i famshëm”. Duhet kuptuar që është e drejtë e secilit individ të veprojë si dëshiron me trupin e tij, por gjithmonë duke pasur parasysh që këta persona mund të mos e kenë kryer me të vërtetë ndërhyrjen në këto klinika ose mund të manipulojnë që nuk kanë përjetuar asnjë komplikacion. Për më tepër, që ky reklamim mund të jetë për shkak të një marrëveshjeje marketingu, pasi ky person ka një audiencë të gjerë që e ndjek dhe si rrjedhojë mund të ketë përfitime personale.
E njëjta analogji dhe paralelizëm ndodh me reklamimin e produkteve dhe ushqimeve, që mendohet se përdorin dhe konsumojnë këta persona me ndikim tek audienca. Në mënyrë specifike, produkte si: medikamente orale për trajtimin e akneve, kremra për trajtimin e lëkurës dhe fytyrës, produkte truku (make-up), pajisje elektronike për stilimin e flokëve, vajra për trajtimin e flokëve, telefona, pajisje elektroshtëpiake, showroom-e për pajisje dhe enë kuzhine, medikamente për sëmundje të ndryshme etj. Në mënyrë të ngjashme, për të listuar produkte ushqimore si: çajra dobësimi, ushqime për fëmijët, ushqime për t’u dobësuar, etj. Secili individ nëse ekspozohet me postime ku reklamohen varietetet të përmendura më sipër, do të analizojë situatën e tyre dhe po ashtu do të mendojë që për shembull, i duhet të kryejë një ndërhyrje estetike apo kirugjikale, pasi është ndikuar nga pjesa më e madhe e shoqërisë dhe këta “personazhe”, për ta bërë apo të blejë një produkt për trajtimin e fytyrës, ku në të vërtetë mund të mos i duhet fare dhe mund ta dëmtojë.
Për të ilustruar me një shembull të gjitha elementët e përmendur më sipër, gjatë lundrimit në median sociale, TikTok, jam përballur me një individ që kishte blerë një medikament X, që ndihmonte në pakësimin e djersitjes se tepërt. Ky medikament ishte reklamuar nga një “influencer”, ku shprehej se ky produkt e kishte ndihmuar në pakësimin e djersitjes 1 muaj pas aplikimit të tij në lëkurë dhe se mund të blihej në çdo farmaci pa recetë mjekësore. Individi në fjalë ndan të njëjtën shqetësim dhe kjo ndikoi që ta blinte produktin dhe pas 1 muaji aplikimi, jo vetëm që nuk pati rezultat, por pati një reaksion lëkure.
Këshilla miqësore me vlerë që mund të jepet për diskutimet më sipër, ka të bëjë me vigjilencën e “konsumatorit”, pasi nuk duhet të bjerë “pre” apo “viktimë” e reklamimeve të produkteve që “influencerat” dhe personazhet publikë mund të postojnë. Kini parasysh që, përpara se të nxitoni të blini produktet e reklamuara apo të kryeni ndërhyrjet estetike/kirurgjikale, që ndjeni dhe besoni se mund të përmirësojnë shqetësimet tuaja, konsultohuni me një profesionist të fushës. Kështu, këta të fundit ju ndihmojnë që të njihni/kuptoni akoma dhe më mirë strukturën e trupit/fytyrës tuaj, tipin/llojin/teksturën e lëkurës dhe në fund ju rekomandojnë produkte apo ndërhyrje që kanë benefite/përmirësime për ju si individë. Në të kundërt, mund të pyesni këta “influencera” dhe personazh publikë, sesa informacion apo ekspertizë/specializim kanë për gamën e gjerë të produkteve apo ndërhyrjeve estetike/kirurgjikale që reklamojnë.
Në përfundim, patjetër që media sociale ka anët e saj pozitive dhe se brenda atij mediumi virtual ka persona që nuk manipulojnë apo gënjejnë për postimet që hedhin në llogaritë e tyre. Por, seleksionimi dhe “edukimi mediatik”, duhet të fillojë gjithmonë nga vetë individi, duke hulumtuar/kërkuar akoma dhe më shumë informacion në lidhje me reklamimet e produkteve/ndërhyrjeve që postojnë këta persona. Krijoni imunitet ndaj reklamimeve që nuk janë të dobishme dhe domosdoshme për ju si individë. Zgjoni kuriozitetin tuaj për të marrë sa më shumë informacion mbi situatat që prekin jetën tuaj të përditshme. Për ta përmbyllur, po ju paraqes tre thënie nga personazhe të fushave të ndryshme, që të reflektoni mbi kuptimin e këtyre thënieve.
“Ju nuk keni nevojë për një koorporatë apo një kompani marketingu për t’ju identifikuar tani: ju mund ta bëni vetë. Ju mund të përcaktoni se kush jeni me një ndjekës në mediat sociale.” (Ray Allen, ish-basketbollist profesionist amerikan)
“Duhet disiplinë për të mos lejuar që mediat sociale të të vjedhin kohën.” (Alexis Ohanian, Sipërmarrës dhe investitor i internetit armeno-amerikan)
“Mediat sociale po ndryshojnë mënyrën se si ne komunikojmë dhe mënyrën se si ne perceptohemi, si pozitivisht ashtu edhe negativisht. Sa herë që postoni një foto, ose përditësoni statusin tuaj, ju po kontribuoni në gjurmën tuaj dixhitale dhe identitetin tuaj personal.” (Amy Jo Martin, autore, folëse, sipërmarrëse dhe investitore amerikane.)
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Zhvillimi i Edukimit për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
