Aftësimi në Media e Informacion: sfida e bibliotekave sot
Nga Dr. Etleva Domi
Aftësimi në Media e Informacion është një temë, që prej kohësh është bërë kryefjala e takimeve, tryezave të rrumbullakëta, konferencave, duke përfshirë një numër gjithnjë e më të madh njerëzish nga gjithë kontinentet dhe horizontet kulturore, si: bibliotekarë, staf akademik, specialistë të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, përfaqësues të medias së shkruar dhe elektronike, dhe jo vetëm, që po diskutohet dendur si në mjedise shkencore, ashtu edhe mediatike, duke u bërë “fjalë kyç” e manifesteve, deklaratave të shumta, si ajo e Pragës, Aleksandrisë, Parisit, Lionit, Havanës etj. apo e nismave të organizatave profesionale botërore, duke përbërë edhe sfidën e këtij fillimshekulli. Për më tepër, tema po merr vlerë të veҫantë sidomos në situatën aktuale të pandemisë COVID-19, që ka mbërthyer mbarë botën, sfidë me të cilën po përballen të gjithë sot, përfshirë edhe sistemin bibliotekar, por tanimë duke e parë në një këndvështrim të ri.