Edukimi për Median dhe Informacionin dhe të rinjtë në Shqipëri
Dafina Kumaraku
“Qëllimi kryesor i informacionit mediatik është të jetë i vertetë, në mënyrë që njerzit nëpërmjet zotërimit të tij, të ndihen sovran”. Jack Fuller, in News Reporting and Writing.
Edukimi për Median dhe Informacionin (EMI) është një ndër fushat më të rëndësishme, në të cilën të rinjtë duhet të aftësohen për të naviguar në oqeanin informativ që përballen sot. Media është bërë një nga elementët më ndikues në jetën sociale, ekonomike, politike dhe kulturore të shoqërisë njerëzore. Çdo ditë përballemi me informacione të ndryshme, herë të vërteta, e shumë herë të tjera jo.
Megjithatë, mediat dhe ofruesit e tjerë të informacionit janë thelbësorë për demokracinë dhe qeverisjen e mirë. Nëse mediat duhet të mbështesin demokracinë, qytetarët duhet të kuptojnë se si t’i përdorin ato në mënyrë kritike, duke ditur se si të interpretojnë informacionet që marrin, duke përfshirë përdorimin e metaforave, ironisë dhe mënyrën se si lajmet dhe ngjarjet janë përshtatur për të sugjeruar kuptime të veçanta. Mediat dhe ofruesit e tjerë të informacionit luajnë një rol kryesor në proceset e informimit dhe komunikimit. Ato janë një mënyrë për të komunikuar informacionin, edhe pse roli i tyre është shumë më gjerë se kaq.
Qëllimi i këtij artikulli është që të përshkruajë rëndësinë që ka edukimi për median dhe informacionin tek të rinjtë, që audienca të jetë e ndërgjegjësuar mbi lajmet që serviren dhe media të mos shkelë Kodin Etik në raportimin e lajmit. Studentët dhe të rinjtë duhet që të informohen mbi të drejtat që lidhen me lirinë e shprehjes si një e drejtë thelbësore për funksionimin e një shteti të lirë dhe demokratik. Liria e shprehjes është liria për të ndarë dhe shkëmbyer pikëpamjet dhe mendimet pa u cënuar. Ajo është një e drejtë themelore e njeriut. Po ashtu, liria e shtypit është një mbështetje e domosdoshme e kësaj të drejte.
Në përballje më këto liri dhe të drejta, studentët dhe të rinjtë, duhet të informohen edhe mbi çështjet kërkimore që kanë të bëjnë me EMI-n në shekullin e 21. Kjo përfshin disa nga karakteristikat që janë të lidhura me kërkimin, zgjidhjen e problemeve dhe vendimmarrjen, ku të rinjtë kërkojnë njohuri dhe aftësi të reja, duke ndjekur hapat që nga identifikimi i çështjes; njohja e qëndrimeve dhe besimeve themelore; sqarimi i fakteve dhe parimeve rreth çështjes; gjetja; organizimi dhe analizimi deri tek interpretimi dhe zgjidhja e problemit. Duke ditur më shumë për edukimin mbi median dhe informacionin, të rinjtë do të kenë mundësi që shumë çështje të cilat ata priren të diskutojnë dhe të adresojnë, të eksplorohen në thellësi dhe me profesionalizmin e duhur.
Digjitalizimi dhe rreziqet që mbart
Me zhvillimin e teknologjive të reja të informacionit dhe komunikimit, ndikimi i mediave tradicionale (radio, televizioni dhe gazeta) është zbehur dhe ato ia kanë lënë vendin medias online dhe rrjeteve sociale. Në një epokë të tillë digjitalizimi, lajmet janë bërë më gjerësisht të disponueshme se kurrë më parë. Bashkëekzistenca e mediave të shkruara, mediave audiovizive (radio dhe televizioni), internetit, telefonit etj., po mundëson qarkullimin e përmbajtjeve nëpër platforma të ndryshme në kohë reale.
Në këtë situatë, gazetarët, profesionistët dhe mediat (të reja dhe të vjetra) luajnë një rol qendror në sigurimin e qasjes në informacion dhe në lehtësimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisjen e mirë, demokratike dhe të qëndrueshme. Duke qënë se lajmi tani përcillet në kohë rekord nga media të ndryshme edhe mundësia për të dhënë një informacion të shpejtë, por jo të saktë, është më e madhe.
Duke pasur parasysh se përmbajtja e aksesueshme përmes internetit ose disa portaleve shpesh nuk është verifikuar, është e rëndësishme që të rinjtë të mësojnë të lexojnë përmbajtjen me një sy kritik dhe të mos marrin gjithçka si të mirëqenë. Përmbajtja e krijuar nga përdoruesi, shpesh mund të jetë e pjesshme, e njëanshme ose e pasaktë. EMI sjell shmangien e leximit të lajmeve të rreme, keqinformimit dhe dezinformimit.
Pavarësisht se mediat dhe gazetarët duhet të zbatojnë parimet e Kodit Etik dhe Standardit të Gazetarisë, sërish ka mjaft shkelje në raportim sidomos për çështje të ndjeshme të lidhura kryesisht me kronikën e zezë. Këto janë rastet më të shpeshta kur disa media nuk zbatojnë dhe neglizhojnë Kodin e Etikës, për shkak të transmetimit në kohë rekord të lajmit. Të tilla janë rastet e paraqitjes së imazheve apo videove të paautorizuara nga individët që janë të përfshirë në këto video dhe kur informacioni që përcillet nuk është edukues dhe i rëndësishëm për audiencën.
Në thelb Kodit Etik[1], që është i hartuar nga një grup ekspertësh vendas dhe të huaj, ka si qëllim vendosjen e një kornize të caktuar ku bëhet ndarja midis asaj që duhet dhe që nuk duhet transmetuar në media. Nëse të rinjtë edukohen se përmbajtja mediatike duhet të jetë etike dhe cilësore atëherë kemi siguruar një media që i shërben audiencës në mënyrë pozitive. Por përdorimi i mjeteve të reja të komunikimit dhe tranzicioni i këtyre mediave nga televizioni në botën online, zbehu dukshëm edhe kodet etike. Kjo u shoqërua me rritjen e mediave të cilat ishin në pronësi të mediave tradicionale, por edhe të personave që nuk kanë asnjë lidhje me gazetarinë profesionale.
Në syrin e publikut, media online i kushton më shumë rëndësi interesave të veta financiarë se sa informimit të publikut. Në një studim të bërë vitet e fundit në Shqipëri, vërehet se 40.9% [2]e të anketuarve, shprehen se janë plotësisht dakord t`u kushtohet rëndësi interesave të veta financiarë se sa informacionit cilësor, 36.0% shprehen se janë dakord, 18.2 % e tyre janë neutral dhe një përqindje shumë e vogël nuk janë dakord. Nga ana tjetër, ky studim tregon se shumica e qytetarëve janë të vetëdijshëm për thyerjen e kodeve etike në media. Një ndikim pozitiv në ndërgjegjësimin ndaj shkeljeve të Kodit Etik është fakti se tashmë audienca mund të zgjedhë mediat ku merr informacionin.
Teknologjia e informacionit dhe komunikimit ka hapur mundësitë për pjesëmarrje më të madhe të audiencës në shpërndarjen e informacioneve duke i inkurajuar njerëzit të përfshihen në proceset demokratike dhe shoqëria të jetë më e hapur. Si rrjedhojë, teknologjia e re dhe gërshetimi i saj në media po krijon hapësirë për vetëshprehje dhe pjesëmarrje në diskutime publike. Tashmë edhe individët, të cilët nuk janë gazetarë të mirëfilltë mund të kontribuojnë në dhënie informacioni duke publikuar artikuj dhe shkrime që i përkasin fushës së tyre të interesit. Megjithatë, ky informacion duhet të jetë i bazuar në fakte, i verifikuar dhe i krijuar në mënyrë etike.
Hapësira mediatike ka nevojë të mbushet me informacione të dobishme, që i shërbëjnë qytetarëve, studentëve, të rinjve, fëmijëve, etj. Nëse do të punohet me edukimin mediatik dhe njëkohësisht rritjen e aftësive për të krijuar përmbajtje të bazuara, shkencore, të verifikuara, atëherë kjo do të ndikontë në uljen e lajmeve të rreme, do të rriste profesionalizmin e gazetarëve dhe medias. Deri sa kjo të ndodhë, të rinjtë duhet të zhvillojnë kompetencat për EMI-n.
[1] https://www.osce.org/files/f/documents/d/7/21235.pdf
[2] https://www.researchgate.net/publication/361017725_Media_online_dhe_etika_ne_transmetim
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Zhvillimi i Edukimit për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
