
Media në fokus: Koncepte që duhet t’i njohim
Nasibe Nur Karik
Një raport i fundit, “DIGITAL 2022 – Global Overview”, ofron njohuri mbi tendencat dixhitale, duke përfshirë kohën e përditshme të kaluar në internet dhe platformat e mediave sociale. Sipas raportit, përdoruesi mesatar i internetit nga mosha 16 deri në 64 vjeç shpenzon gjashtë orë e 37 minuta online në ditë. Kjo përfshin kohën e shpenzuar duke parë video, duke dëgjuar muzikë, duke lexuar revista, gazeta dhe libra, duke lundruar në internet për të kërkuar informacion, duke kontrolluar rrjetet sociale dhe të tjera.
Duke pasur parasysh se sa kohë shpenzojmë duke konsumuar media, është e rëndësishme që të kemi aftësitë për të analizuar në mënyrë kritike mesazhet që marrim prej saj.
Qofshin mesazhet për edukim apo argëtim, ato ndikojnë tek ne. Edukimi mediatik na jep aftësinë për të kontrolluar këtë ndikim tek ne me konceptet kryesore në lidhje me median. Këto koncepte kryesore janë:
1. Media është e ndërtuar nga njerëzit
Mediat nuk paraqesin reflektime të thjeshta të asaj që na rrethon. Përkundrazi, media prezanton prodhime të punuara me kujdes që janë rezultat i shumë vendimeve dhe faktorëve përcaktues. Këto janë bërë nga njerëz me qëllime specifike. Mesazhet në media konstruktohen sipas perspektivave të ndërtuesit. Besimet, idetë, këndvështrimi dhe synimet e tyre ndikojnë në atë që prodhohet në media.
2. Njerëz të ndryshëm e përjetojnë median në mënyra të ndryshme
Kur njerëzit konsumojnë (përdorin) median, ata zbatojnë besimet, idetë dhe perspektivat e tyre në interpretimin e tyre të informacioneve të marra në media. Të gjithë mund të mos interpretojnë të njëjtën mesazh në të njëjtën mënyrë. Çdo anëtar i audiencës sjell në mesazh një grup unik përvojash jetësore. Dallimet në moshë, gjini, arsim, kulturë dhe të tjerë gjenerojnë interpretime unike.
3. Mesazhet e medias kanë implikime komerciale
Media ndikohet nga konsideratat komerciale, dhe se si ato prekin përmbajtjen, teknikën dhe shpërndarjen. Shumica e prodhimit të medias është një biznes dhe kështu duhet të ketë një fitim. Çështjet e pronësisë dhe kontrollit janë qendrore. Një numër individësh kontrollojnë atë që shikojmë, lexojmë dhe dëgjojmë në media.
Pjesa më e madhe e përmbajtjes që krijojmë postohet dhe shpërndahet financiarisht pa pagesë, por ka një çmim që ne paguajmë për përdorimin e këtyre shërbimeve “falas”. E gjithë përmbajtja që postojmë në internet përdoret për të krijuar një profil për ne si klientë të mundshëm.
4. Audienca ‘negocion’ kuptimin në media
Nëse media na ofron një pjesë të madhe të materialit mbi të cilin ndërtojmë realitetin tonë, secili prej nesh gjen ose “negocion” kuptimin sipas faktorëve individualë: nevojat dhe ankthet personale, kënaqësitë ose problemet e ditës, këndvështrimin moral, e kështu me radhë.
5. Forma dhe përmbajtja janë të lidhura ngushtë në mesazhet mediatike.
Siç ka vënë në dukje dhe Marshall McLuhan, çdo medium ka gramatikën e vet dhe e kodifikon realitetin në mënyrën e vet të veçantë. Media të ndryshme raportojnë të njëjtën ngjarje, por krijojnë përshtypje dhe mesazhe të ndryshme për faktin se raportjnë sipas mënyrave të ndryshme.
Në një epokë kur mediat janë një pjesë e pashmangshme e jetës sonë, kuptimi i këtyre koncepteve kyçe na ofron aftësinë të jemi kritikë të informacionit. Gjithashtu, na ndihmon të jemi konsumatorë të përgjegjshëm të informacioneve (mesazheve) dhe pjesëmarrës aktivë në diskutimet shoqërore dhe politike.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
