Konfliktet e një bote post-ideologjike dhe trajtimi i tyre në Media
Ani Turhani
Luftëra, pandemi, kriza ekonomike … këto janë termat që media po i rikthen në vëmendje edhe në këtë shekull në të cilin po jetojmë. Rënia e Murit të Berlinit nëntorin e vitit 1989 dhe përfundimi i Luftës së Ftohtë me shpërbërjen e Bllokut Komunist, u trajtua në media si një fillim i ri për botën ku ne jetojmë dhe konkretisht, për kontinentin europian si një rajon botëror që nuk do të përjetonte më luftëra por do të integrohej në një rend të ri zhvillimi. Por rënia e regjimeve komuniste solli në vetvete shumë benefite dhe po aq problematika për palët pjesëmarrëse në këtë proces historik. Konfliktet rajonale, krizat ekonomike, emigracioni masiv u bënë temat e përditshme që trajtoheshin në media nga fillimvitet ’90 e deri në ditët tona. Por çfarë trajtimi gjetën në media këto dhe zhvillime të tjera që do të ndodhnin në dekadat e ardhshme të fillimit të mijëvjeçarit të tretë?
Mediat në vetvete u bënë jehonë këtyre ngjarjeve përsa i përket pasojave që ato sollën, por lidhur me shkaqet që çuan në shpërthimin e këtyre ngjarjeve në të shumtën e rasteve nuk bëheshin të njohura ose dilnin tepër vonë në dritë prej organeve mediatike. Informimi i publikut të vendeve të zhvilluara, nëpërmjet transmetimeve televizive kryesisht, si dhe burimeve të tjera alternative lidhur me konfliktet e armatosura rajonale, valët masive të emigracionit, krizat ciklike ekonomike, konkludoi në krijimin e disa rrymave të opinionit publik me qëndrime të ndryshme ndaj çështjeve të caktuara. Si rryma kryesore do të përkufizoja ‘konservatorët’ dhe ‘demokratët’. Konservatorët janë grupim me elemente përkatëse tradicionalizmin, nacionalizmin e skajshëm, kapitalizmin, religjonin klasik, etj. Demokratët janë grupim me elemente përkatëse liberalizmin, multikulturalizmin, ekonominë mikse, lirinë e besimit fetar, etj.
Filluan lëvizjet pacifiste të cilat kërkonin pushimin e konflikteve ushtarake. Transmetimi i pamjeve që tregonin emigrantët të cilët mbërrinin në vendet perëndimore nxiti një fushatë lëvizjesh populiste të grupimeve konservatore për mospranimin e emigrantëve, për të cilët pritej të mbaheshin me paratë e taksapaguesve perëndimorë, si dhe të ulnin nivelin e pagave mesatare edhe për punonjësit vendas. Por Media pasqyronte edhe një fushatë propagandistike ‘në hije’ të qeverive perëndimore, të cilat duke parë pasojat e plakjes së popullsive vendase synonin që me pranimin e emigrantëve të zëvendësonin një pjesë të
krahut të punës që i mungonte tregut të lirë. Dhe këto lëvizje erdhën duke u forcuar me emigrimin gjithnjë e më të madh të popullsive joeuropiane drejt kontinentit të vjetër për t’i shpëtuar varfërisë dhe konflikteve civile. Por ndikimi që këto lëvizje emigratore dhanë, u duk në dekadat e para të mijëvjeçarit të tretë, në përqindjet e popullsisë së vendeve të Europës Perëndimore, ku raporti i popullsisë joeuropiane po arrin në afro 1/3 e banorëve të këtyre vendeve. Shumë raportime të analistëve në Media, i shikojnë me shqetësim këto zhvillime, sepse mendojnë që po të vazhdohet me këto ritme, do të kemi ndryshime në raportet etnike të popullsive.
Gjithashtu, në fillimin e vitit 2020 u shënua një zhvillim i rëndësishëm, që bëri jehonë të madhe edhe në mediat botërore: përhapja e të ashtuquajturës pandemi Covid-19 e paralizoi gati të gjithë botën prej veprimtarive ekonomike, arsimore, kulturore, etj. Në kësi rastesh, pasiguria e madhe e përhapur bëri që njerëzit të rrinin të informuar çdo ditë prej burimeve mediatike dhe të ‘përtypnin’ çdo lajm dhe informacion që përhapej pa e verifikuar për vërtetësinë e tij. Madje filluan të përhapeshin legjenda urbane, kryesisht në mediat sociale për fundin që i kanosej njerëzimit. Gjithashtu mjaft skandale po raportoheshin në media lidhur me trajtimin mjekësor të pacientëve nga ana e spitaleve. Spekulohej mjaft edhe me numrin e viktimave nga virusi, ku shtoheshin dhe hiqeshin sipas ‘nevojave’ të diktuara. Çmimet e mallrave të ndryshme të konsumit pësuan rritje të frikshme dhe të papërballueshme.
Në raportimet mediatike zunë vend jo pak të rëndësishëm edhe fenomenet negative shoqërore, të cilat patën edhe përhapje të madhe këtë periudhë si: rritja e numrit të divorceve, rritja e veprimtarive kriminale, rënia e zhvillimit kulturor të brezit të ri dhe rritja e varësisë nga pajisjet teknologjike. Zhvillime të tjera të rëndësishme që do të zinin vend në media, u bënë edhe konfliktet ushtarake që shpërthyen rishtaz edhe pas virusit Covid-19. Është fjala për Luftën Rusi-Ukrainë, e cila zanafillën e vet e pati në 2014 me pushtimin e gadishullit të Krimesë, por si datë zyrtare njihet 24 shkurti 2022. Ky është konsideruar ndër konfliktet ku makineria e propagandës ka punuar më intensivisht në të dyja palët ndërluftuese. Teksa Rusia e ka konsideruar këtë luftë si një ‘operacion special’ për ‘çlirimin’ e ukrainasve nga ‘neonazistët e Kievit’, Ukraina nga ana e saj e ka propaganduar si një pushtim i nxitur nga regjimi autoritarist i Moskës me synim përvetësimin e mëtejshëm të territoreve dhe pasurive kombëtare të një shteti sovran. Sipas raportimeve në media, në të dyja kampet e kësaj lufte, humbjet po arrijnë në shkallë kolosale. Miliona ukrainas janë larguar për t’i shpëtuar pasojave të luftës që
po zhvillohet në vendin e tyre. Shumë të tjerë janë larguar me synimin për t’i shpëtuar detyrimit ushtarak që të mos vdesin në luftë. Furnizimi me armatime dhe ekonomia e vendit po mbahen prej ndihmave që po dërgojnë vendet perëndimore. Nga ana tjetër edhe Rusia ka pësuar humbje të konsiderueshme prej luftës. Sipas raportimeve, mijëra ushtarë rusë kanë rënë viktima në luftë për marrjen nën kontroll të territoreve ukrainase. Mijëra të tjerë janë larguar nga vendi për t’i shpëtuar detyrimit ushtarak dhe shumë të tjerë kanë rënë nëpër burgje për shkak të kundërshtimit të politikave qeveritare. Ekonomia ruse po vuan një rëndesë të dyfishtë për shkak të barrës së luftës dhe largimit të kapitalit europiano-perëndimor së bashku me atë amerikan. Por në kompensim të gjithë kësaj kostoje ka arritur të marrë 1/6 e territorit të Ukrainës, të gjejë tregje të reja për zhvillimin e ekonomisë kombëtare dhe të rrisë influencën e saj në segmente të caktuara të shoqërive perëndimore dhe vende të Botës së Tretë. Megjithëse ka patur konflikte të tjera paraardhëse, lufta Rusi-Ukrainë u duk sikur u dha shkas konflikteve të tjera në vijim.
Aneksimi i rajonit autonom të Nagorno-Karabakut, të banuar historikisht prej armenëve etnikë nga Azerbajxhani u bë i mundur prej tërheqjes së një pjese të paqeruajtësve rusë nga rajoni dhe bllokimin e rrugëve të komunikimit me Armeninë prej ushtrisë azere. Rifillimi i konfliktit midis Izraelit dhe Palestinës duket si një nismë e Rusisë për të nxitur destabilizim në Lindjen e Mesme, pas mbështetjes që ka dhënë për regjimin e Asadit në Siri. Por jo të paktë janë edhe zërat që qarkullojnë se Rusia po mbështet Izraelin për shkak të lidhjeve që ka patur popullsia hebraike me Rusinë, që në periudhën cariste të shek.XIX.
Të gjitha këto sfida që po karakterizojnë shekullin në të cilin po jetojmë, po e bëjnë të ardhmen të duket tepër e mjegullt dhe të pasigurtë. Mos vallë po duken shenjat e një rendi të ri botëror në të cilin nuk do të jetë vetëm një superfuqi sunduese por një grup superfuqish? Sa siguri kemi për kohën që po vjen në raport me atë çka kemi lënë pas? Jetojmë në një kohë ku individi, i cili ka luftuar për të ndërtuar botën po duket më i pafuqishëm se kurrë për të vendosur rendin dhe stabilitetin në jetën e tij. Mos vallë duhet përmbysur ky rend ekzistues për t’i lënë vendin një rendi të ri?
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
