
Trajtimi i Konflikteve në Media
“When the rich wage war it’s the poor who die” Jean-Paul Startre
Ani Turhani
Konfliktet e armatosura kanë qënë, janë dhe do të mbeten një ndër çështjet më të trajtuara në historinë e medias. Çështjet e fillesave, vazhdimsisë dhe fundit të konflikteve janë analizuar në çdo aspekt prej mediave të kohës. Por krahas veprimeve të armatosura, mediat kanë pasqyruar edhe pasojat sociale të konflikteve që zhvilloheshin anembanë botës si: shkatërrimet masive të zonave civile, pamjet e viktimave të luftës, vargjet e refugjatëve që linin shtëpitë e tyre për ti shpëtuar rrezikut, pra aspektet e pasojave direkte dhe të dhimbshme të një konflikti. Gjithashtu në media transmetoheshin edhe momente të bisedimeve ndërmjet palëve ndërluftuese në konflikt, duke treguar edhe aspektin burokratik të konflikteve.
Por, në gjithë tërësinë e këtyre elementëve të një konflikti, të cilat kanë gjetur pasqyrim nëpër organet e ndryshme të medias, ngrihen disa çështje për t’u trajtuar. Çfarë ndikimi ka patur media në opinionin publik për konfliktet që ndodhin nëpër botë nëpërmjet mënyrave se si i transmetonte rrjedhat e ngjarjeve? A janë treguar mediat 100% transparente në tregimin e realitetit ashtu siç ka ndodhur apo ka patur edhe retushime të pjesshme? A ka patur “aktorë të padukshëm” në prapaskenë, që kanë ndikuar në modifikime ose në mospublikim të plotë të ngjarjeve të caktuara?
Media duke u konsideruar si pushteti i katërt në një shtet, krahas pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, ka ka patur gjithmon një ndikim të madh mbi popullsinë civile nëpërmjet transmetimit të informacioneve lidhur me ngjarjet që ndodhin në jetën e përditëshme. Siç e kam theksuar edhe më parë, përsa i takon çështjes së manipulimit të opinionit publik, ndikimi i pushtetit politik mbi median është shfrytëzuar me kohë për qëllime dhe interesa të caktuar. Shembull konkret dhe jo fort të largët në kohë kemi kontrollin e medias prej regjimeve totalitare komuniste në Europën Lindore për të treguar “arritjet” në ndërtimin e socializmit dhe për të mbuluar “dështimet” e sistemit sa i takon mirëqenies ekonomike. Në rastin e konflikteve si para edhe pas rënies së Perdes së Hekurt, mediat e të dyja kampeve kundërshtare punonin intensivisht si në aspektin diplomatik, ekonomik dhe ushtarak, ashtu edhe në aspektin e propagandës mediatike për “mbrojtjen” e kauzave të tyre dhe “demaskimin” e krimeve të armiqve të tyre. Ndërkohë që në mediat amerikane dhe ato perëndimore propagandohej rritja e mirëqënies ekonomike dhe e integritetit politik të shtetasve të tyre, ”demaskoheshin” krimet dhe dështimet e regjimeve totalitare socialiste në menaxhimin e ekonomisë kombëtare, varfërinë e tejskajshme të popullatës dhe shkeljen e të drejtave civile dhe politike të njeriut. Vendet e Perëndimit akuzonin hapur nëpërmjet mediave të tyre se vatrat e luftërave rajonale nëpër botë, të grumbulluara nën emëruesin e përbashkët të Luftës së Ftohtë, ishin rezultat i ekspansionit komunist drejt vendeve të
paangazhuara. Ndërsa në mediat e vendeve të Bllokut Lindor propagandohej me të madhe triumfi i idealeve të marksizëm-leninizmit, kalimi drejt një shoqërie të zhvilluar dhe të integruar nën idealet e socializmit. Gjithashtu në këto media “demaskoheshin” dështimet e vendeve perëndimore në çështjet sociale si papunësia, kriminaliteti, mungesa e strehimit, diskriminimi mbi baza racore, shfrytëzimin e punëtorëve, kushtet e këqija të punës, etj. Ndërsa akuzave për luftënxitje të vendeve perëndimore, BRSS dhe vendet e tjera të kampit socialist u përgjigjeshin se ishte vullneti i lirë i popujve të këtyre vendeve, të cilët për vite me radhe kishin jetuar nën hijen e imperializmit europian dhe atij amerikan, duke pretenduar të drejtën për vetvendosje për marrjen në dorë të vet popullit për fatin e vendit të tyre.
Këto konflikte shpërthyen në një sërë vendesh të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, një pjesë e të cilave vazhdojnë edhe sot në trajta pak më të ndryshme në raport me Luftën e Ftohtë. Në akuzat e ndërsjellta mbi ecurinë e konflikteve si në tryezat e takimeve zyrtare në kuadrin e OKB dhe forumeve të tjera botërore, por edhe në bisedimet e fshehta që mund të zhvilloheshin midis tyre, nëpër media pasqyroheshin këto akuza si: luftë nxitëse, projektuese gjenocidesh, kriminelë lufte, imperialistë, etj. Ndërkohë mediat pasqyronin pamje nga konfliktet rajonale kudo që ndodhnin nëpër botë ku tregoheshin shkatërrime dhe vrasje masive, si në radhët e popullsisë civile edhe ushtarëve të palëve ndërluftuese, të cilat nxisnin indinjatë të thellë dhe herë-herë edhe revolta nëpër popullsitë e të dyja kampeve të botës.
Pas rënies së Perdes së Hekurt, kur media u përhap më shpejt falë shtimit të mjeteve transmetuese edhe publiku filloi të informohej gati në kohë reale për ngjarjet që ndodhnin, situata filloi të bëhej më e ndjeshme. Nga njëra anë sepse reagimet vinin me po të njëjtën shpejtësi, si dhe përhapja e lajmeve, prej grupeve të shoqërisë civile, sipas ndikimeve që kishin prej interesave të tyre, por nga ana tjetër edhe të shtyrë prej propagandave në media, nxisnin protesta dhe revolta të mëdha nëpër vendet demokratike ku opinioni publik ishte edhe më i ndjeshëm. Por një fenomen paralel do të ishte edhe rritja e indiferentizmit në publik ndaj këtyre ngjarjeve kur ato kishin tendencën të mos gjenin një rrugëzgjidhje të shpejtë. Pra në raport me kohën e Luftës së Ftohtë, në periudhën bashkëkohore duket se trajtimi i konflikteve në media ka gjetur të tjera dimensione dhe reagime, por thelbi mbetet i pandryshuar në faktin se media gjithmonë ka për të patur ndikimin mbi mënyrën se si perceptohen konfliktet dhe pasojat që ato lënë pas.