
Analizë krahasuese e politikave dhe iniciativave të Edukimit mbi Median dhe Informacionin (EMI) në Shqipëri me vendet e suksesshme në këtë fushë (Finlanda)
Në një kohë ku përdorimi i të gjitha mediumeve dhe fluksi i informacionit po luajnë një rol vendimtar në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë botën dhe veprojnë në të, edukimi për median dhe informacionin (EMI) duket se është shndërruar në një element të domosdoshëm në zhvillimin e shoqërive demokratike. Disa vende kanë qenë mjaft të suksesshme në implementimin e politikave por dhe integrimin në kurrikula arsimore në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë Shqipëria duket se po vazhdon të përballet me sfida të shumta në lidhje me përfshirjen e EMI-it në kurrikulat arsimore.
Ky studim synon të ofrojë një analizë krahasuese të politikave dhe praktikave të EMI-t në Shqipëri dhe iniciativave në vende, që kanë treguar sukses në këtë fushë, siç janë vendet nordike. Përmes një rishikimi të imtësishëm të literaturës, një analize krahasuese me politika të ndryshme që kanë pasur sukses dhe një analize sasiore me studiues të medias në Finlandë dhe mësues të arsimit të mesëm në Shqipëri, studimi synon të identifikojë qasjet më të mira dhe të propozojë zgjidhje për përmirësimin e politikave. Në këtë mënyrë mund të kemi dhe një rritje ndërgjegjësimi në lidhje me rëndësinë e EMI-t dhe zhvillimin e aftësive kritike të qytetarëve për tu përballur me mjedisin e vështirë mediatik në të cilin tashmë jetojmë.
Punimi është kryer nga Marina Zela, studente pranë Kolegjit Universitar Bedër, nën shqyrtimin dhe mbikqyrjen e Prof. Erlis Çela.
Punimi është realizuar si pjesë e projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin në universitetet shqiptare: Nga pilotimi në zbatim,” të mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.