
Mendimi kritik për median dhe informacionin
Hysen Çobani
Përmirësimi i cilësisë së transmetimit dhe zhvillimet e shumta teknologjike kanë ndikuar në fuqizimin e pozicionimin e mediave, të cilat kanë tërhequr akoma më shumë audiencë duke arritur në nivele shumë të larta në krahasim me periudha kohore të mëparshme.Gjithashtu zgjerimi dhe pasurimi i programacionit në këto vitet e fundit e ka transformuar rrënjësisht realitetin mediatik në vend. Megjithatë për faktin se është një ndër katër pushtetet kryesore brenda një shteti, ndikimi që media ka mbi publikun duhet vlerësuar dhe analizuar sepse tregon dhe detaje se si ajo e realizon misionin e saj.
Qasja që audienca ka ndaj informacionit është shumë e rëndësishme për të kuptuar ndikimin që media ushtron nëpërmjet furnizimit të pandalshëm me një shumëllojshmëri “produktesh mediatike”.Audienca duhet të ketë gjithmonë një vështrim kritik mbi çfarëdo lloj informacioni pavarësisht nëse vërtetë është i saktë apo jo. Në këtë mënyrë krijohet edhe një lloj reflektimi që është shumë deciziv për të krijuar një model të ri të mënyrës se si duhet qëndruar përballë medias.
Mënyra si prezantohet media sot përballë publikut është e ngjashme me një “pasqyrë” që tregon çdo gjë që ndodhet përballë saj, por në këtë situatë ajo çfarë pasqyrohet nuk mund të jetë në të gjitha rastet reale dhe me baza të qëndrueshme.E nxitur nga faktorë të shumtë si fitimi personal apo lidhje të caktuara me figura publike të njohura, media mund të transformojë përmbajtje të caktuara duke trazuar opinionin publik me mënyrën si e “shet” një produkt të tillë të ambalazhuar në formatin që ajo dëshiron.Në këto kushte është një sfidë për audiencën që të jetë selektive, e kujdesshme dhe kritikuese mbi tematikat e trajtura e të transmetuara përmes ekranit. Ky lloj reagimi nga ana e audiencës nuk mund të ndodhë nëse nuk ka disa njohuri të avancuara rreth strategjive të komunikimit që përdoren për të ndërtuar “ura dialogu” midis dy palëve.
Duke qenë se në çdo moment të ditës jemi të rrethuar nga lajmet që vijnë nga portalet, informacionet që transmetohen në televizion apo të rejat më të fundit që mund të marrësh edhe në rrjetet sociale, dallimi i lajmeve të vërteta nga ato të rreme është sfida e sotme për të kuptuar panoramën mediatike në Shqipëri. Një ndër hapësirat e tjera ku prezantohen tema dhe diskutohet në një nivel të lartë janë edhe programet televizive, por problemi në to qëndron se ka pozicionime të caktuara duke mos e lënë të funksionojë sipas një vijueshmërie të pandikuar. Në televizionet shqiptare dallohen qartë moderatorë që mbajnë një kah të caktuar, dallohen programe të ndryshme që janë krijuar për të mbështetur qeverinë apo individë të tjerë. Analistët, gazetarët dhe të ftuarit e tjerë nëpër emisione nuk përcjellin apo transmetojnë mesazhet e tyre, por ndodhen në një lloj trysnie që i bën të jenë të komanduar dhe në shërbim të interesave të caktuara.
Në një realitet të tillë ku liderët e opinionit ndikojnë fuqishëm në mënyrën se si informacioni transmetohet te publiku, të gjithë ne si ndjekës pas ekranit jemi të prekur nga kjo “valë” e shpejtë që ndikon edhe mënyrën tonë të të menduarit. Njohja me këto problematika është një hap i madh
për të krijuar një reflektim e për të shpëtuar nga “rëra thithëse” në të cilën media synon që të përfshijë grupime të mëdha të ndjekësve, të cilët zgjedhin të qëndrojnë besnik ndaj preferencave të tyre. Media është bërë sot pjesë vitale e jetës së njeriut sepse është ajo që informon dhe e mban të lidhur me botën. Shkëputja nga platformat mediatike dhe izolimi ndaj informacionit nuk mund të jetë një zgjidhje për të parandaluar impaktin negativ që media mund të transmetojë nëse nuk ecën siç duhet me funksionimin e saj. Angazhimi i çdo personi, organizate apo grupimi tjetër për të publikuar mesazhe që janë me një qasje kritike apo reflektuese rreth medias është i domosdoshëm që të ndodhë në çdo kohë pavarësisht se sa mirë mund të përshkruhet panorama mediatike në sondazhe ose emisione të caktuara.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare: Nga pilotimi në zbatim”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
