
Të rinjtë dhe qasja ndaj medias dhe informacionit
Enxhi Samarxhiu
Njeriu në vetvete është një natyrë komplekse që mbart cilësi dhe instikte që e shoqërojnë gjatë jetës së tij. Një nga cilësitë apo karakteristikat që ka njeriu në natyrën e tij është kurioziteti dhe etja për t’u informuar e për të ditur çdo gjë. Sigurisht që në njerëz të ndryshëm etja për informacion është e ndryshme sepse varet nga karakteri, nga mosha, edukimi etj. Në këtë artikull kam zgjedhur të ndalem te grupmosha e të rinjve dhe qasja që kanë ata ndaj medias dhe informacionit. Absolutisht duke qenë brezi më i ri i shoqërisë qasja është e ndryshme ndaj informacionit me të drejtë si çdo brez që ka karakteristikat e tij.
Mjetet për të marrë informacionin janë gjithashtu të ndryshme. Ndonëse teknologjia ka marrë një përhapje goxha të gjerë vitet e fundit dhe infomacioni po përhapet gjithnjë e më shpejt në kanalet teknologjike grupmosha që ka aksesin më të madh ndaj këtyre kanaleve mbeten të rinjtë. Është fakt i cili shikohet çdo ditë e më shumë se kanalet ndaj të cilave të rinjtë janë më shumë të ekspozuar janë rrjetet sociale apo edhe format e tjera të informacionit si website-t zyrtare të mediave të ndryshme. Rrjetet sociale duke pasur numrin më të lartë të përdoruesve kanë marrë edhe një hov më të madh në shpërndarjen e informacionit, madje mund të themi që janë bërë kanali me ndikimin më të lartë kur dikush qoftë person publik apo jo do të ndajë një lajm apo një informacion të rëndësishëm.
Duke qenë se i përkas vetë grupmoshës së të rinjve do të thoja se krahasuar me një grupmoshë tjeter siç mund të jenë prindërit tanë edhe duke patur më shumë informacion përsa i përket trukeve që bëhen sot për klikime më shumë apo për marketing, si grupmoshë jemi pak më të informuar për të dalluar një lajm të vërtetë nga ai fake, por që gjithsesi ndikim shumë të madh ndaj qasjes së informacionit mendoj se ka mosha dhe edukimi i personit. Nuk mund të presim që një adoleshent të ketë të njejtën qasje dhe të arrijë të dallojë një informacion të vërtetë nga ai fake në të njejtën mënyrë siç mund ta dallojë një i rritur.
Edukimi gjithashtu luan një rol kryesor. Individë të cilët janë të rinj por janë diplomuar apo vazhdojnë studime në fusha të tilla ku çdo ditë janë në kontakt me informacionin, me teknologjinë, me mënyrën e transmetimit të informacionit apo me teknikat propaganduese që ndjekin mediat kanë një qasje tjetër ndaj informacionit të cilit i ofrohet, rrjedhimisht qëndrimi që mban dhe mënyra si zgjedh ta marrë informacionin ka më tepër ndryshime, aq më tepër kur individë me specializim apo me më shumë njohuri angazhohen në sensibilizimin e pjesës tjetër përsa i përket pikave ku duhet të ndalen për të dalluar një lajm të vërtetë nga ai jo i vërtetë etj.
Nuk dua të lë pa përmendur që një tjetër aspekt të medias është ndikimi në psikologjinë e individit. Ndoshta dashur pa dashur lajmet që zënë më shumë vend në kronika mbeten krimet, aksidentet, vrasjet, me pak fjalë kronika e zezë. Duke qenë se media mundohet të jetë në çdo kanal të ndryshëm informativ, teknologjik apo social duhet të vendoset një filtër apo të zgjidhen mënyra të tjera të qasjes së informacionit pasi çdo informacion ka ndikimin e tij në psikikën e çdo individi dhe duhet pasur jashtëmase shumë kujdes kur tashmë e dimë se përdoruesit më të mëdhenj të teknologjisë janë të rinjtë dhe qoftë edhe një fjalë e papërshtatshme ndikon në gjendjen psikologjike të individit. Brezat që po vijnë janë akoma edhe më shumë të predispozuar nga probleme psikologjike ndaj kujdesi në mënyrën se si informacioni serviret duhet të jetë akoma më i lartë.
Sigurisht që nuk duhet të fajësohet vetëm media për atë çfarë transmeton, por duhet të jenë edhe prindërit ata që luajnë një rol të rëndësishëm në kontrollin fëmijëve të tyre ndaj aksesit që kanë në kanale që zgjedhin të informohen. Unë do të dëshiroja ta mbyllja këtë artikull me zgjidhjen më të mirë që na përfshin të gjithëve dhe që është sensibilizimi. Duhet që të sensibilizohemi të gjithë si individë, shoqëri apo institucione në zgjedhjen e metodave më të mira dhe të balancuara të qasjes ndaj informacionit të duhur dhe të vlefshëm sidomos për të rinjtë.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare: Nga pilotimi në zbatim”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
