Kontrata e pashkruar mes medias dhe institucioneve të drejtësisë.
Valentinë Ndershtiqaj
Drejtësia dhe media janë dy elemente jashtëzakonisht me rëndësi të veçantë, të cilët në vetvete përfaqësojnë mbrojtjen dhe sigurinë për garantimin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe nga ana tjetër, qëndron media, si zëri kumbues në rast të shkeljes apo cënimit të të gjithë korpusit të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Media, e cilësuar si një pushtet i katërt, që ngrihet e funksionon mbi parime pavarësie e paanshmërie, sëbashku me drejtësinë, përfaqësojnë ekzistencën e bazave të forta të demokracisë në vendin tonë.
Media dhe institucionet e drejtësisë, i shohim në një marrëdhënie në dukje, të ngushtë mes tyre, por kur flasim për këtë marrëdhënië se si funksionon në të vërtetë, na lindin shpesh pikëpyetje.
E gjithë kjo marrëdhënië kontradiktore apo e paqëndrueshme, ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e madh të demokracisë, por nga ana tjetër rrezikon dështimin e saj në masë.
Shqipëria, si një vend në tranzicion, me problemet e saj sociale, ekonomike e shpesh me paqëndrueshmëri politike, më shumë se kurrë, sot ka nevojë që të ketë media dhe drejtësi të pavarur.
Aq sa duken të ndara, si pushtete, më shumë i shohim teksa ndërveprojnë me njëra tjetrën, duke u bërë streha e njëra tjetrës për problemet që prekin interesat e secilës palë.
Duket sikur kanë nënshkruar një kontratë mes tyre, por që nuk i përmbahen rregullave të saj, duke mos negociuar bashkë për të përçuar dhe zgjidhur problemet që na shqetësojnë të gjithëve, por duke u shfaqur si rivalë mes tyre.
Por ku qëndron problemi në të vërtetë? Duket sikur mediat kanë dalë pak nga korniza e tyre etike dhe ligjore, duke tejkaluar kufijtë e përcaktuar për to. Kjo vërtëtohet me faktin se duket që në një pjesë të madhe media ka humbur pak orientimin e drejtë të saj duke shkuar drejt infromacionit të shtrembët dhe jo të vërtetë, akuzave, fakteve të rreme, shpifjeve, gjuhës së urrejtjes apo duke mos lënë pas shumë emisione televizive që kanë dalë jashtë cdo konteksti.
Nga ana tjetër kemi institucionet e drejtësisë, të cilat ngrihen dhe funksionojnë me misione të qarta dhe të mirëpërcaktuara. Gjithë sistemi ynë i drejtësisë ka pësuar ndryshime të shpeshta, e gjitha kjo ndikuar nga faktorë ekonomikë, politikë, socialë, kulturorë, por padyshim edhe faktori ndërkombëtar ka pasur ndikim jashtëzakonisht të madh në legjislacionin kombëtar dhe sistemin tonë të drejtësisë.
Ajo që vërtet na shqetëson është fakti se deri kur do të kemi një sistem drejtësie dhe një media të ndikuar dhe të varur më së shumti nga politika dhe jo vetëm. E parë në një këndvështrim kritik këtë raport, duhet të themi se politika duhet të jetë alarmi që duhet të bjerë sa herë që këto dy pushtete nuk veprojnë siç duhet dhe jo të bëhet bashkëpunëtor me to për të mbrojtur dhe shpalosur interesat politike.
Nuk duhet të harrojmë që gazetarë, media dhe emisionet televizive po shtrembërojnë të drejtën dhe sistemi i drejtësisë po ndikohet shumë nga gjithë ky korpus i gjerë mediatik. Duhet të përmendim faktin që në shumë emisione televizive, me të ftuar specialë, analistë, opinionistë, politikanë apo specialistë fushash bëjnë emisione që trajtojnë çështje që kanë të bëjnë me krimin, krimin e organizuar, bandat terroriste, vrasje, plagosje, “të fortit e këtij apo atij qyteti”, pra në tërësi me elemente penale, ku gjithë kjo trupë televizive, ndajnë mendime, japin informacione, ngrejnë hipoteza të shumta për çështje të drejtësisë penale kryesisht, duke e dëmtuar procesin e hetimit të këtyre çështjeve dhe duke e larguar hetimin nga e vërteta. Po ashtu këto emisione televizive, të cilat bëjnë një investim të tillë mediatik, dëmtojnë jashtëzakonisht punën e institucioneve të drejtësisë, duke mos i lejuar të bëjnë një punë të pavarur dhe të pandikuar nga gjithë ky vorbull informacionesh.
Një tjetër problem që mbetet “i pazgjidhur” është dhe fakti që “prezumimi i pafajësisë” po bën të pafajshëm shumë persona, të cilët bëhen shpërndarësit, informatorët, përçuesit apo transmetuesit e një grumbulli të madh informacionesh, akuzash, shpifjesh, gjuhe urrejtjeje. Të gjitha këto kanë sjellë prishjen e imazhit të shumë personave dhe cënimin e shumë të drejtave themelore të pafund subjekteve të drejtësisë tonë kombëtare dhe jo vetëm. Problemi qëndron se askush nuk cilësohet fajtor deri sa të vërtëtohet e kundërta dhe gjykata të dalë me vendim përfundimtar për të bërë përgjegjës personin e papërgjegjshëm dhe nga kjo të ndërgjegjësohen dhe shumë të tjerë, të cilët e kanë bërë rutinë të tyre shpërndarjen e gjithë këtij grumbulli informacionesh.
Por çfarë mund të përmirësojnë në marrëdhënien e tyre media dhe drejtësia? Sigurisht ka shumë aspekte, të cilat kërkojnë rregullim dhe vetërregullim ndërmjet tyre, por duhet që media të veprojë drejtë në punën e saj dhe më pas dhe drejtësia të funksionojë mbi baza demokracie dhe të dyja të bëjnë një punë të madhe në mbrojtjen, garantimin, respektimin dhe fuqizimin e shtetit demokratik dhe tërësisë së të drejtave të njeriut, duke kontribuar kështu në konsolidimin dhe vazhdimin e rrugës së drejtë për anëtarësimin në familjen e madhe europiane.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Zhvillimi i Edukimit për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
