365 x 1 Prill
Klerisa Azuni
Në vitin 2022 çdo ditë është 1 Prill.
Çdo ditë dëgjojmë dhe lexojmë gënjeshtra pafund nëpër media që ndikojnë në jetët tona. Ky ndikim nuk është gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë por ndonjëherë vjen edhe pa e kuptuar. Ajo çfarë e dallon 1 Prillin e vërtetë nga ai tinëzar është rëndësia. Kur vjen data 1 Prill të gjithë ne kujdesemi dhe tregohemi vigjilentë në mënyrë që të mos mashtrohemi, por ndodh vetëm një ditë ama.
Sapo kalojnë 24 orë të gjithë zhvishemi nga armatimet dhe vazhdojmë jetët tona të lumtur duke menduar se ja hodhëm. Armiku i vërtetë në fakt shfaqet pikërisht aty kur ti je i pambrojtur dhe lehtësisht i prekshëm dhe ky armik është 1 Prilli tinëzar. Vjen si një kalë Troje dhe na zë në befasi, por çfarë na dallon ne nga trojanët është se ata e zbuluan armikun dhe nisën ta luftonin, ndërsa ne akoma e kemi të vështirë ta identifikojmë pasi na shfaqet njëherë si grua, njëherë si burr,ë dhe ndonjëherë si transgjinor. Kemi një armik të jashtëm në botën virtuale, por këtë herë është i vërtetë dhe jo thjesht propagandë.
Në ditët e sotme duhet të dyshojmë për çdo gjë. Dekarti, filozof francez e nisi filozofinë e tij duke e cilësuar dyshimin që kishte në gjithçka si të vetmen gjë të sigurtë dhe nga kjo siguri që kishte te fakti që dyshonte ai kuptoi se ishte gjithashtu edhe një qënie që mendonte. Nga kjo logjikë lindi dhe thënia e tij e njohur “Unë mendoj, pra unë jam”.
Sot rreth 400 vite pasi Dekarti e tha këtë shprehje jemi përsëri në një pikë 0.
Sot në internet dhe në median e shkruar online duhet të dyshojmë për çdo gjë, vetëm kështu mund ta vërtetojmë ekzistencën tonë në shoqëri si një njeri autentik.
Sot po na serviret një realitet i rremë dhe shumica prej nesh po e marrin si të vërtetë.
Sot shoqëria vazhdon të mendojë se Facebook, Instagram, TikTok dhe çdo media tjetër janë falas, por në fakt kjo nuk është e vërtetë.
Ne i paguajmë çdo ditë këto media me vëmëndjen dhe të dhënat tona. Si funksionon?
Kompanitë e mediave sociale shesin të dhënat e përdoruesve te klientët e tyre, të cilët janë biznese që duan të reklamohen dhe kështu fitojnë para prej tyre. Vjedhin edhe vëmëndjen tonë me anë të algoritmeve duke shfaqur gjithmonë në feed interesat tona, sepse sa më e lartë të jetë audienca dhe vëmëndja, aq më i lartë vendoset çmimi ynë.
Po, ne shitemi dhe negociohemi çdo ditë si një thes me patate.
Dita ditës po na ndryshon mënyra e mendimit për shkak të rrjeteve sociale dhe modeleve që shfaqen aty. Në qoftë se para 10 viteve kur fëmijët pyeteshin për profesionin e tyre në të ardhmen përgjigjeshin: avokat, inxhiniere, mësues, sot përgjigjen: dua të bëhem influencer, youtuber, blogger, vlogger. Po humbet interesi për profesionet e vërteta deri në atë pikë sa që edhe dega e gjuhë letërsisë është afër mbylljes si pasojë e mungesës së interesimit.
Një lajm i rremë serioz që u shpërnda para pak kohësh ishte ai nga portali sitenewspaper.com ku thuhej se shqiptarët që jetojnë në Zvicër nuk do mund të udhëtojnë në vendlindje për festat e fundvitit pasi Shqipëria konsiderohet si një vend me rrezikshmëri të lartë nga Covid-19. Ky lajm nuk është i vërtetë por duke qënë se shumica nuk hulumtojnë të bëjnë disa kërkime më tepër, bien pre e mashtrimit. Mund të ketë persona që akoma nuk e kanë marrë vesh pavërtetësinë e lajmit dhe gjasat janë që të mos vijnë të festojnë në fundvit me familjen.
Një lajm tjetër i rremë dhe që shkakton shumë tension është ai se Greqia po kërkon 12 milje det nga Shqipëria. Ky lajm u pubikua nga një faqe me emrin “Gazeta korrekte”. Çfarë ironie! Gazetat që supozohet të na japin korrektësi na informojnë gabim.
Korrektimet e këtyre lajmeve dhe shumë lajmeve të tjera i gjeni te faktoje.al e cila është një faqe serioze me informacione të sakta.
Ushqejeni veten me lajme të vërteta, pasi ju ndikojnë në mënyrën e jetesës.
Për shkak të joreales që shikoni në Instagram apo IikIok, shumë e konsiderojnë jetën si një fushë me lule dhe nuk përpiqen, por qëndrojnë në plogështi duke pritur që mundësitë të vijnë vetë, ndërsa shumë të tjerë që lexojnë lajme të rreme me përmbajtje negative e shikojnë botën si një vend të lig.
Mos i kushtoni rëndësi vetëm gjërave të dukshme, por edhe atyre të padukshme.
Mos prisni t’ju zmadhohen sytë edhe veshët për t’ju lajmëruar sa herë që të jeni përballë të pavërtetave. Ato duhet t’i kuptoni ju duke i analizuar, dyshuar dhe zhvilluar të menduarit në mënyre kritike.
Këtë shkrim dua ta përfundoj me një thirrje për moshatarët e mi që së shpejti do të bëjnë 20 vjeç: Kujdesuni që nesër t’ju thërrasë një jetë e vërtetë dhe jo FAKE.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Zhvillimi i Edukimit për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
