Të rinjtë dhe qasja ndaj medias dhe informacionit
Nils Mema
Rinia përkufizohet nga mosha 21 deri në 29 vjeç, ndërsa mosha më e hershme është stadi i adoleshencës. Megjithatë, besoj se të dyja moshat e rinisë duhet të jenë pjesë e kësaj eseje përshkruese. Për mua, “qasja” nënkupton një qëndrim personal ose shoqëror ndaj një fenomeni.
Fillimisht, ne jemi më të prirur të marrim informacionin nga mediat më të njohura, por jo gjithmonë këto media janë burime të sakta dhe të verifikueshme. Kjo është veçanërisht e vërtetë për mediat sociale, të cilat shpeshherë përmbajnë informacion të pasaktë, duke na detyruar të hyjmë në analiza dhe kritika të mëtejshme. Qasja e të rinjve ndaj mediave po ndryshon me ritme të shpejta, duke u orientuar gjithnjë e më shumë drejt rrjeteve sociale, që realisht po përbën një problem të madh në shoqëri.
Ne nuk kemi më durimin apo dëshirën të vizitojmë biblioteka apo të gjejmë studime të miratuara nga ekspertët përkatës. Shpesh harrojmë se informacioni mediatik mund të jetë i rremë ose jo i saktë, dhe kjo ndodh pasi shpesh nuk bëjmë analizën e informacionit që marrim. ChatGPT po bëhet një fenomen shumë i përdorur, dhe statistikat tregojnë sa shpesh përdoret nga të rinjtë. Pasojat negative të ChatGPT janë të shumta, pasi ai sjell një reduktim të leximit dhe të përdorimit të fjalorit të pasur, duke ndikuar negativisht në zhvillimin personal.
Aftësia e njeriut është të përshkruajë diçka me fjalorin e tij të zgjeruar. Imagjinoni një botë ku të gjithë përshkruajnë diçka me të njëjtin fjalor; kjo është katastrofike për zhvillimin individual. Një tjetër shqetësim është marrja e informacionit nga rrjetet sociale, që ka sjellë një prapambetje të lartë të dijeve të të rinjve. Ky është këndvështrimi im personal.
Po pse e them këtë? Fenomeni i parë që vëzhgoj është rinia me celularët në duar, duke shikuar media argëtuese ose përmbajtje me gjuhë urrejtje, që ofron një kënaqësi momentale, por me pasoja shumë të rënda për formimin e tyre. Padyshim, shoh shumë pak të rinj me libra në duar dhe kur shikoj celularët e tyre, ndodhem duke parë që ata nuk po lexojnë studime të miratuara dhe të mirëfillta.
Të gjithë e dimë se zhvillimi më i madh vjen përmes leximit të mediave serioze ose botimeve të miratuara. Ky proces është çelësi për të zhvilluar fjalorin dhe dijen tonë dhe për të ndërtuar një profesion. Prandaj, edhe librat shkollorë dhe informacioni shkollor kalojnë nëpër filtra të shumtë, për të krijuar ekspertë dhe profesionistë të vërtetë.
Deri tani kam qenë shumë kritik për median duke analizuar pjesët negative të saj, por gjithashtu ajo ka sjellë edhe shumë gjëra pozitive dhe përfitime të jashtëzakonshme. Nëse më parë në duar nuk mund të kisha një studim nga një profesor i huaj, si nga Ballkani, Evropa apo më tej, tani interneti, një nga mediat më të mëdha, ka bërë që kjo të jetë shumë e lehtë. Ky informacion arrin tek unë shumë shpejt dhe më zhvillon, më bën më profesionist dhe ekspert.
Kjo nuk zhvillon vetëm mua, por edhe në një shkallë më të gjerë se sa vetëm për mua. Ky është një mundësi e jashtëzakonshme që më mundëson të përmirësohem shumë shpejt dhe në mënyrë të lehtë. Po ashtu, më mundëson të mbaj kontakte me kolegët e mi në mbarë botën, të ndajmë dije dhe të këshillohemi për situata të ndryshme, duke sjellë përparim të jashtëzakonshëm dhe duke marrë vendime më të mira.
Kjo është qasja pozitive që të rinjtë kanë ndaj medias së sotme, një lehtësim i jashtëzakonshëm kur përdoret për qëllime të mira. Gjithsesi, duhet të kujtojmë se e kemi vetë në dorë të zgjedhim mes të mirës dhe të keqes, dhe kjo ka shumë rëndësi. Media është si çdo gjë tjetër në jetë, individi e zgjedh ta përdorë për mirë ose për keq. Megjithatë, nuk duhet lënë pas dore masat shtetërore për të mbrojtur individët dhe shoqërinë nga mediat që përhapin dezinformim dhe gjuhë urrejtjeje.
Të dyja palët, si shoqëria ashtu edhe qeveria, duhet të jenë shumë të kujdesshme ndaj ndikimit të mediave dhe informacionit që përhapin, duke marrë masa për të mbrojtur zhvillimin e shëndetshëm të shoqërisë. Duhet të vëzhgojnë fenomenet si rrjetet sociale dhe ChatGPT dhe të kryejnë studime mbi pasojat që ato po sjellin për të rinjtë. A po sjellin ato më shumë pasoja negative apo pozitive? Në fund të fundit, janë qeveritë ato që duhet të vendosin dhe të lejojnë që aktorët e medias të veprojnë në përputhje me interesat e shoqërisë.