‘Një vështrim tej shëmbëlltyrës së medias’
Fationa Verbaj
‘’Specialistët e marrëdhënieve me publikun bëjnë kompozime lulesh të fakteve,duke fshehur petalet e vyshkura e më pak tërheqëse nën petkun e petaleve që lulëzojnë më tepër’’-shprehet Alan Harrington, novelist e gazetar i shquar i viteve 50’-60’. Nëpërmjet kësaj metafore, ai ka ezauruar një aspekt mjaft thelbësor të medias dhe mënyres sesi ajo e ushtron pushtetin e saj mbi masën.
Sot, më tepër se kurrë ndonjëherë, kemi mundësinë të informohemi me një shpejtësi e cila kohë më parë vetëm ëndërrohej nga njerëzimi. Kjo dyndje, ardhur nga një shumëllojshmëri burimesh, e bën procesin kaotik dhe rrjedhimisht na duhet të përballemi çdo ditë me një zgjedhje: nëse duam të jemi besues ose mosbesues ndaj vërtetesisë së një ngjarjeje apo lajmi.
Media, kryesisht ajo e rrjeteve sociale, ka nje ritëm të atillë ku informacioni qarkullon në mënyrë të rrufeshme nëpër përdorues të ndryshëm, ku është e rëndësishme të përmendim se ata janë jo vetëm marrësit, por jo rrallë herë dhe vetë burimi, pasi mjaft të rinj sot angazhohen në veprimtari të tilla për të ndarë përvojat dhe idetë e tyre. Spektri mbi këtë dikutim ka një shtrirje të gjerë, por duke e parë nga këndveshtrimi pozitiv, një platformë ku të rinjtë mund të shkëmbejnë me njëri- tjetrin eksperienca dhe informacione që per ta mund të jenë frytdhënëse, duket emocionuese dhe produktive.
Në momentin kur vendosim të shpërndajmë një informacion të caktuar, bashkë me të bëhemi përgjegjës për pasojat e mundshme që mund të ketë. Media ka një rol të padiskutueshëm në influencimin e masës dhe ndikon në mënyra të ndryshme tek individët e të gjitha grupmoshave. Ndikimi që ka qoftë media televizive, apo ajo sociale, që mbizotëron ndër burimet informative të kohës, është ndoshta më madhor dhe ka një shtrirje më të gjerë sesa arrijmë vërtetë të kuptojmë. Shpeshherë lajmi që qarkullon mund të jetë i çalë në vërtetësinë që pretendon se ka duke sjellë problematika tepër sfiduese, vecanërisht në shoqërinë tonë.
Në çdo sekuencë tonën konsumojmë informacion derisa konsumohemi nga etja për të përthithur ende.S’do mend që lajmet rozë dhe ato që mbartin emocione të forta apo janë tabu për mjedisin social ku bëjmë pjesë na terheqin në gjirin e tyre si një vrimë e zezë. Media posedon një rol tejet të rëndësishëm në mënyrën se si zgjedh të transmetojë informacionin, pasi qasja që përkrah do të vendosë reagimin e shoqërisë. Kjo shpjegon dhe prirjen ndaj titujve hiperbolikë, të cilët nxisin emocione të forta tek marrësi. Transmetimi i duhur është thelbësor pasi shpesh ngjarjet japin mesazhe të fuqishme që motivojnë ose promovojnë sjellje të caktuara.
Pa qenë të ndërgjegjshëm ekspozohemi çdo ditë ndaj një diversitet modelesh që na diktojnë qasjen ndaj gjthçkaje, e kështu bëhemi pjesë e vorbullës së lajmeve mediatike. Pushteti që kjo e fundit mbart kalon pa kuptuar frymën e vet në opinionin e gjerë duke e drejtuar turmën sipas interesave të veta.Vecanërisht të rinjtë e adoleshentët kan predispozitë për t’u ndikuar nisur nga fakti që janë më të ekspozuar ndaj medias sociale ku perdite qarkullojnë informacione të rreme po ashtu edhe keqdashëse duke inkurajuar sjellje qe i demtojne .Për më tepër,ndodh rëndom që informacioni te përthithet pa u përpunuar apo analizuar ndërkohë që burimi ka gjasa të mos jetë fort i besueshëm.
Pra,nën vrullin e përditshmërisë,i konsiderojmë të mirëqëna detaje që mund të kenë nota propagandistike që përdoren për të përmbushur një synim të caktuar,në varësi të interesave të personave mediatik.Na ndodh shpesh që të kushtëzohemi nga standardet të cilat na prezantohen ditë pas dite po ashtu dhe ideologjitë bashkëshoqëruese.Për shembull,mund të kujtojmë radion si një mjet primar informimi ku publiku merrte mesazhe me një shpejtësi të konsiderueshme për kohën,specifikisht në periudhë lufterash aktive ,ku informatat lidhur me zhvillimet në fronte apo ato politike në përgjithësi kishin rëndësi jetike.Ndaj,njerëzit e shohin ende median si mbajtëse të informacionit të ‘cmuar’,pavarësisht nëse përmban ose jo mesazhe thelbësore për ne.
Rrjedha e vrullshme e përditshmërise na vendos shpesh në një pozicion ku një lajm e marrim si të mirëqenë,duke mos hulumtuar fillimiaht se nga ka ardhur ky lajm dhe të jemi dyshues në lidhje me vërtetësinë e tij.Në opinionin tim ,edukimi i brezave të rinj rreth pasojave dhe implikimeve të medias në përgjithësi është një nismë që duhet përkrahur dhe i duhet dhënë rëndësia e duhur pasi të rinjtë ndjejnë gjithnjë e më tepër nevojën për t’u ndërgjegjësuar rreth fuqisë mediake dhe sesi ajo ndikon ne formimin e opinionit te tyre.Të rinjtë dhe adoleshentët jan më fuqishëm se kurrë të ekspozuar nga një lum informacionesh në median sociale duke u influencuar gjerësisht nga gjuha dhe qëndrimet që promovohen aty.
Jo vetëm media sociale por dhe ajo televizive ka prodhuar mjaft polemika dhe shqetësime vitet e fundit në Shqipëri për promovimin e personazheve që përfaqësojnë ide dhe sjellje të cilat dëmtojnë mënyren sesi të rinjtë konceptojnë veten dhe të tjerët në hapësiren e tyre sociale.Autorë të shumë programeve e shfrytëzojnë pushtetin e tyre për të krijuar situata që nxisin ndjenja të forta tek shikuesi,shpeshherë në sensin negativ.Të rinjtë por jo vetem,shohin nëpermjet ekranit teksa normalizohen sjellje te pakëndshme e herë-herë të dhunshme ,gjë që krijon standardin për marrëdhëniet që do të krijojnë me vonë.Një shoqeri delikate si e jona e ka më të lehtë të konformohet ndaj sjelljeve të tilla e duke parë sesi emisionet qe kane më shumë shikueshmëri jan pikërisht ato që prodhojne lotë,dramaticitet ,emocione të forta,mund të themi se kemi një ‘uri’ të pamasë për të konsumuar këtë zhanër.Ndaj dhe drejtuesit e tyre priren t’i japin audiences atë qe kërkon duke ngritur në piedestal antivlerat dhe duke shfrytëzuar dhimbjen reale të personazheve,për klikime .
Media,ky mekanizëm i pushtetit,e ushtron pikërisht këtë pushtet mbi individë dhe shoqëri,duke krijuar keshtu realitete kolektive fale informacionit qe perzgjedh te strukturoje per turmen e gjere.Te mos qenurit koshiente gjate ketij procesi themelor,ne perthithim pa vetedije ideologji dhe formesojme opinionin e pergjithshem mbi aspekte te jetes sone po ashtu dhe norma shoqerore.Media modelon ndjenjat dhe perceptimet tona duke krijuar keshtu dhe kontekstin tone social.Nderkohe,eshte primare te njohim mire implikimet e saj dhe te analizojme ne menyre kritike informacionin qe konsumojme per te mos u bere pre e ndikimeve te demshme te saj.Angazhimi i te rinjve ne edukimin mediatik duhet kthyer ne nje kulture e per rrjedhoje te arrihet shmangia e materialeve problematike.
Ky blog është konceptuar si hapësirë për studentët që të shprehin mendimet, ndjesitë, si dhe rekomandimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me edukimin mediatik dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Ky blog është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare: Nga pilotimi në zbatim”. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë blog janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.