
Sfidat e implementimit të edukimit mbi median dhe informacionin në vendet post-komuniste
Ky punim përqëndrohet veçanërisht në studimin e mbarëvajtjes së këtij procesi implementimi në vendet post-komuniste. Qëllimi i punimit është të evidentohen sfidat kryesore të implementimit të edukimit mbi median dhe informacionin në këto vende, duke studiuar ndikimin që ka patur regjimi komunist në ngujimin e mendimit kritik dhe si rrjedhojë, krijimin e komuniteteve vulnerabël dhe të painformuar ndaj efekteve të medias dhe rolit të saj si pushtet i katërt.
Me anë të metodës së rishikimit të literaturës, punimi do të nxjerrë në pah marrëdhënien midis regjimeve komuniste dhe medias si kanal informimi, duke dhënë njëfarë konteksti historik. Më tej, synohet të bëhet një analizë krahasuese midis niveleve të edukimit për median dhe informacionin në vendet post-komuniste dhe ato perëndimore. Nga ky studim, arrihet në përfundimin se regjimi komunist ka ndikuar në ngujimin e mendimit kritik, me anë të censurës së medias, përqëndrimit në përmbajtje mediatike me karakter politik dhe shfrytëzimit të medias si mjet për përhapjen e propagandës. Kjo ka bërë që edhe në ditët e sotme, implementimi i edukimit mbi median dhe informacionin në këto vende të përballet me sfida.
Punimi është kryer nga Xhensila Dautllari, studente pranë Kolegjit Universitar Bedër, nën shqyrtimin dhe mbikqyrjen e Prof. Erlis Çela.
Punimi është realizuar si pjesë e projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin në universitetet shqiptare: Nga pilotimi në zbatim,” të mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.